Deputetët e sotëm të Kuvendit do i kishte zili edhe Byroja Politike

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se vendi ynë është i varfër, por jo të gjithë e dinë se sa na kushtojnë deputetët. Përveç rrogës, çdo muaj populli hallexhi paguan për “delenxhinjtë” dhe sherrxhinjtë edhe 150 milion lekë. Vetëm nga karburanti ata përfitojnë 48 milion në muaj, pa llogaritur telefonat, qiratë, dietat, udhëtimet jashtë shtetit, kreditë me interes zero etj. Prof. Fuga: 755 mijë lekë në muaj për deputetët, sa qesharake, aq edhe korruptive

Nga tarifat e telefonit te qiraja dhe karburanti, lukset e deputetëve i kushtojnë 120 mijë euro taksapaguesve, ja kush kryeson listën

Shqiptarëve u mungon buka e ilaçet, kanë pensionet më të ulëta, çmimin e naftës dhe energjisë më të shtrenjtin në Europë, por jemi krenar sepse kemi deputetët të privilegjuar me rroga, dieta dhe shpërblime të majme

NOA

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Shqipëria është një vend i varfër, por jo të gjithë e dimë se sa na kushtojnë deputetët.Deputetët e Kuvendit përpos rrogës, kanë edhe përfitime të tjera shtesë për punën që bëjnë si të zgjedhur dhe përfaqësues të qytetarëve, edhe në një periudhë krize.Shifrën prej 40 mijë eurosh vetëm për karburantin e kanë përfituar të gjithë ligjvënësit, 124 të zgjedhur. Ajo që bie në sy është se asnjë deputet nuk e ka refuzuar këtë pagesë. Duke i hedhur një sy listës së deputetëve rezulton se ata që kanë përfituar më shumë ose pagesën maksimale prej 40 mijë lekësh janë ata që përfaqësojnë edhe qarqet më të largëta. Në krye të listës qëndrojnë deputetët e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës, të cilët kanë një kosto më të lartë për buxhetin e shtetit.Një nga zërat për të cilat është paguar më shumë në muajin shkurt është edhe dieta e deputetëve. Gjatë këtij muaji, janë shpenzuar 50 mijë euro ose 6 272 177 lekë vetëm për dietat për 117 ligjvënësit, pasi 10 prej tyre e kanë refuzuar këtë lloj pagese.Pjesa më e madhe e deputetëve, 97 kanë përfituar të njëjtën shifër, 75 250 lekë. Pjesë e kësaj liste janë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që kanë përfituar shifrën 75 250 lekë.13 deputetë kanë përfituar shifrën e njëjtë prej 37 625 lekë dhe 3 deputetë kanë përfituar 39 506 lekë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përfituar në muajin shkurt 54 895 lekë dieta, ndërsa dy nënkryetarët, respektivisht Ermonela Felaj 45 026 lekë dhe Agron Gjekmarkaj 75 250 lekë dieta. Një nga përfitimet e përmuajshme të deputetëve është edhe pagesa e komunikimeve në telefon.Në bazë të listëpagesave të Kuvendit, rezulton se për muajin shkurt 124 deputetët kanë përfituar 2 135 000 lekë ose rreth 20 mijë euro shpenzime për telefonin e tyre.Pagesat për këtë përfitim janë të ndarë në dy shifra, 20 mijë lekë në muaj dhe 17 mijë lekë në muaj. 20 mijë lekë në muajin shkurt për telefonin përfituan Taulant Balla, Arben Pëllumbi, Eduard Shalsi, Jorida Tabaku, Grida Duma, Nasip Naço, Flutura Açka, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka. Pagesa për qira për deputetët, të cilët përfaqësojnë zona të largëta janë paguar në muajin shkurt plot 585 666 lekë.Këtë shifër e kanë përfituar 17 deputetë, pjesa më e madhe e tyre kanë marrë shifrën 35 mijë lekë në muaj. Po ashtu, gjatë muajit shkurt janë bërë edhe pagesa për hotel, për 6 deputetë në shumë prej 129 000 lekë. Në total, 127 ligjvënës shqiptarë përpos pagës mujore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plot 14 774 306 lekë ose rreth 120 mijë euro.

Berisha kërkesë Parlamentit

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar Parlamentit t’i tërheqë nga llogaria e tij bankare paratë e derdhura për muajin shkurt për dieta.Berisha tha se nuk do të pranojë asnjë dietë deri në fund të mandatit të tij.

755 mijë lekë në muaj për deputetët, sa qesharake aq edhe korruptive

Prof.Artan Fuga

755.225 lekë dieta në muajin shkurt të vitit 2022, për secilin nga 93 deputetët në listë, si lekë shërbimesh, kjo është sa qesharake aq edhe pastërtisht korruptive.

Është për kuje! Uaaaau një rrogë profesori në muaj vetëm dieta!!!

Shikoni, shikoni! Po të konsiderojmë se hanë e pinë në një ditë me dietë 50.000 lekë, i bie që të kenë qendruar 15 ditë me shërbim gjatë muajit shkurt. Se në hotele e motele nuk kanë përse qendrojnë se Shqipëria një tabaka sipërfaqe është!

Ku kanë vajt mor burrë? Kanë axhendë zyrtare se cilët zgjedhës kanë takuar, çfarë objektivi kanë pasur, cilën çështje kanë zgjidhur? Me çfarë vërtetojnë se kanë qenë me shërbim dhe jo për ngjala, për peshk, për femra, për gallatë, për qokë, koqe, etj. sikundër mund t’i akuzojë dikush ?

Tani e kuptoj se përse në agjencitë publike bëhet nami me abuzimet me fondet publike! Tani e kuptoj se ku merret shembulli! Ka mbaruar gjithçka! Eshtë e kotë!

Pa të shohim edhe dietat e muajve të tjerë, po të viteve të tjera? Me çfarë dokumenti zyrtar i kanë vërtetuar shërbimet, shpenzimet?

A i boton Kuvendi i Shqipërisë shpenzimet ekstra çdo muaj të deputetëve ?