Bluzat e bardha “kurban” të premtimeve të Rilindjes për shëndetësinë falas

    Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës “Nënë Tereza”, pothuajse çdo ditë po përballen me kërcënime nga ana e pacienteve për shkak të mungesës së medikamenteve më elementare në spital. Nisur nga rastet e shumta, ku mjekët kërcënohen me jetë nga pacientët, bluzat e bardha i kanë drejtuar një peticion drejtorisë së QSUT-ës, përmes të cilit kërkojnë që të sigurohet me forca të sigurisë reparti i urgjencës së shërbimit infektiv.
    Ndër të tjera përmes peticionit, mjekët kanë kërkuar që të merren masa që të sigurohen medikamentet bazë të nevojshme për repartin e urgjencës. Të përmirësohen kushtet e punës në këtë repart bazuar në standardet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë për shërbimet e urgjencës. Të ndryshojë trajtimi i mjekëve që shërbejnë gjatë 24 orëve pranë urgjencës. Të shihet mundësia e rishikimit të strategjisë së QSUT-së në lidhje me unifikimin e repartit të urgjencës së shërbimit infektiv me urgjencën e përgjithshme të QSUT-së. Ky peticion ka kaluar për t’u firmosur nga gjithë mjekët për t’ia dorëzuar më pas drejtorisë së QSUT-së. Por përveç mungesës së medikamenteve, në spitalin më të madh në vend, ku të gjithë drejtohen për të marrë shërbimet shëndetësore, mungojnë edhe pajisjet diagnostikuese si dhe ato trajtuese. Pavarësisht apelit të mjekëve drejtuar disa herë ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, për krijimin e kushteve më minimale dhe pajisjen me medikamente të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, si dhe krijimin e sigurisë për mjekët, deri tani këta të fundit nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete. Burime pranë spitalit bëjnë me dije për gazetën “Telegraf”, se lidhur me shqetësimet e shumta dhe problemet e ngritura nga bluzat e bardha, të cilat deri tani nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga Ministria e Shëndetësisë, mjekët kanë kërcënuar me zhvillimin e protestave masive.
    Rasti i fundit, ku mjeku u kërcënua me jetë nga pacienti në QSUT 
    Mësohet se dy ditë më parë, në ambientet e repartit të urgjencës së shërbimit infektiv një pacient ka kërcënuar me jetë personelin punonjës duke filluar nga mjeku, për shkak të mungesës së medikamenteve e përkatësisht mungesa e serumit antitetanik. Mjeku në shërbim nuk ka pranuar që të identifikohet me emër, kjo, sepse sipas bluzave të bardha që punojnë në atë pavijon situata është e njëjtë çdo ditë, për të gjithë. Kryesisht muajt e fundit ka pasur shtim të rasteve të kërcënimit me jetë, si dhe debate, të cilat kanë degjeneruar deri në dhunë verbale ndaj mjekëve, gjithashtu mësohet se kjo situatë është bërë pjesë e përditshmërisë dhe punës së mjekëve. Mungesa e theksuar e medikamenteve në atë pavijon i vë mjekët çdo ditë përballë vështirësive dhe konflikteve me pacientët. Por faktor ndikues në krijimin e kësaj situate në dëm të bluzave të bardha mësohet se është edhe niveli i ulët i sigurisë.
    Sigal