Bllokohen punimet në rrugën “Gjin Bue Shpata” në kryeqytet

478
Premtimet e bashkisë duket se nuk po shkojnë siç duhet, edhe pse kryetari i bashkisë Erion Veliaj, në premtimet e tij theksoi se punimet për rregullimin e rrugëve në kryeqytet do të zhvillohen me tre turne, përsëri nuk po bëhet asgjë, sepse punonjësit e bashkisë po pushojnë prej kohësh nën hije pemësh për shkak të bllokimit të punimeve në rrugën “Gjin Bue Shpata”. Punimet për rregullimin e kësaj rruge kanë filluar që para disa javësh, por së fundmi janë bllokuar plotësisht, nuk dihet arsyeja se pse punimet janë bllokuar, por ajo që dihet është se prej disa ditësh punimet për rregullimin e kësaj rruge janë bllokuar, duke lënë në qetësi të plotë mjetet e punës dhe punonjësit, të cilët nuk dinë se çfarë të bëjnë. Bllokimet e punimeve në këtë rrugë kanë bërë që trafiku të rëndohet, por dhe situata për kalimtarët të mos jetë aspak e këndshme për shkak të pluhurit dhe gropave që janë hapur për shtrimin e tubacioneve dhe ndarjen e kësaj rruge në korsi të veçanta, shoqëruar dhe me rregullimin e trotuarit. Bllokimi kësaj rruge nga fillimi në fund, ka sjellë mjaft problematika për drejtuesit e automjeteve, të cilët duhet të përballen çdo ditë me trafikun që krijohet në akset e tjera, si pasojë e bllokimit total të kësaj rruge. Edhe pse punimet për përfundimin e kësaj rruge duhet të kryheshin me tre turne, siç ka theksuar Z. Veliaj, përsëri asgjë nuk po ndodh, përkundrazi punimet në këtë rrugë janë duke u zvarritur, duke krijuar kaos në trafik dhe problem për kalimtarët, të cilët janë të detyruar të kalojnë mbi tubacionet që janë lënë buzë kësaj rruge nga punonjësit dhe karriget e lokaleve që kanë pushtuar trotuaret e kësaj rruge. Mjaft problematike shfaqet situata edhe për shitësit e qyqaneve aty pranë, të cilët shprehen se bllokimi i punimeve në këtë rrugë kanë bllokuar dhe dyqanet që ndodhen në këtë pjesë të rrugës për shkak punimeve. Ata shprehen se tymrat që krijohen si pasojë e punimeve kanë bllokuar plotësisht dhe aktivitetin e tyre, sepse nuk munden dot të tregtojnë asgjë për shkak të ndotjes së lartë nga tymrat, duke kërkuar nga ana e bashkisë përshpejtimin e punimeve në këtë rrugë sa më shpejt të jetë e mundur, duke mos zvarritu më punimet për rregullimin e kësaj rruge. 
Aksioni për lirimin e trotuareve nga karriget, largon vëmendjen nga zaptimi i trotuareve nga automjetet
Aksioni që ka ndërmarrë prej disa ditësh Bashkia e Tiranës për lirimin e hapësirave publike nga karriget e lokaleve, ka larguara vëmendjen e Policisë Bashkiake në lidhje me zaptimin që po u bëhet trotuareve të qytetit nga automjetet. Nga një vëzhgim i bërë nga Gazeta “Telegraf”, u pa qartë se si trotuaret po lirohen nga karriget e lokaleve dhe po zaptohen nga automjetet. Trotuaret përgjatë rrugës “Zef Jubani”, janë bllokuar plotësisht nga automjetet, të cilat parkojnë pa të keq mbi trotuare, duke u bërë një problem mjaft shqetësues për kalimtarët e kësaj rruge. Policia Bashkiake duket se është fokusuar plotësisht në lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike nga karriget e lokaleve, duke mos e pasur më referencë bllokimin e trotuareve nga automjetet, të cilat parkohen mbi trotuar radhë njëra pas tjetrës, sikur të ishte parking. Problematika në lidhje me parkimin e automjeteve vend e pa vend në kryeqytet është një fenomen mjaft shqetësues dhe një burim serioz aksidentesh, si pasojë e ngushtimit të rrugëve, të cilat të japin pamjen e një parkingu dhe jo të një rruge, ku duhet të kalojnë automjetet. Duke parë këtë situatë, një thirje që i bëhet Policisë Bashkiake, është se kjo e fundit nuk duhet të merret vetëm me pastrimin e karrigeve të lokaleve, por të shikojë se si njerëzit po detyrohen të kalojnë sipër automjeteve për të kaluar në anën tjetër të rrugës, sepse nuk dinë nëse trotuari është për ta apo parking për automjetet. 
Pastrimi i koshave nga punonjësit e bashkisë në mes të ditës, krijon kaos në disa nga rrugët e kryeqytetit
Punonjësit e bashkisë ditët e fundit në kryeqytet kanë filluar të bëjnë boshatisjen e koshave të mbeturinave edhe gjatë ditës. Bllokimi i rrugës nga mjetet e pastrimit kanë bërë që në disa rrugë të krijohen radhë të gjata automjetesh, të cilat kanë qenë të detyruara të presin disa minuta, derisa punonjësit të bëjnë boshatisjen e koshave të mbeturinave. Kjo është cilësuar si një jo normale nga ana e drejtuesve të automjeteve, por edhe nga kalimtarët, pasi kjo gjë nuk mund të ndodhë në mes të ditës, sepse përveç krijimit të trafikut, pjesë shqetësuese është edhe përhapja e aromës mbytëse si pasojë e pastrimit të këtyre koshave. Edhe pse aksioni i punonjësve të bashkisë po zhvillohet në disa lagje të kryeqytetit edhe në mes të ditës, në një pjesë tjetër të qytetit, koshat e mbeturinave nuk pastrohen fare as gjatë natës. Kjo ndodh në pjesën e rrugës poshtë “Qytetit Studenti”, ku koshat e mbeturinave janë të tej mbushur si pasojë e mos boshatisjes nga ana e punonjësve të bashkisë gjatë natës. Një tjetër problematikë në lidhje me këtë problem është dhe vendosja e disa koshave në vende të papërshtatshme, në disa raste në mes të rrugës, duke bllokuar rrugën dhe pjesën e ngushtë të mbetur të trotuarit për kalimtarët. 
Sigal