Biznesi i vogël, ja si mund të importojë makineri pa tarifa doganore

594
Bizneset e vogla janë ndër kategoritë që përfitojnë nga përjashtimi i tarifave doganore për makineritë dhe pajisjet. Por si për çdo kategori tjetër ato duhet të plotësojnë një dokumentacion të ndryshëm nga kategoritë e tjera të biznesit. Nëpërmjet udhëzimi të posaçëm Drejtoria e përgjithshme e Doganave sqaron se, biznesi i vogël, i cili do të importojnë makineri prodhuese dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre duhet të paraqesë në Degën Doganore përkatëse disa dokumente. Në listën e dokumenteve të kërkuara janë: një kërkesë me shkrim, së cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkëngjitet edhe një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it; vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore se importuesi është person i tatueshëm që i nënshtrohet regjimit të biznesit (ndërmarrjeve) të vogla dhe ushtron aktivitet prodhues; kopje të ekstraktit të QKR-së; të dhëna për llojin dhe sasinë e makinerive prodhuese që do të importohen me kodet tarifore përkatëse dhe për periudhën e instalimit, si dhe deklaratë e personit të tatueshëm që makineria apo pajisja, për të cilën kërkohet përjashtimi, nuk është importuar për qëllime shitjeje. Sipas kuadrit ligjor, përjashtim nga TVSH-ja në doganë përfitojnë tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë në ose mbi 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë. Gjithashtu përfitojnë tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e përpunimit aktiv, pavarësisht nga vlera e investimit. Përjashtim nga TVSH përfitojnë tatimpaguesit (përfshirë fermerin) që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit, si dhe tatimpaguesit, subjekt i taksës së biznesit të vogël, të cilët importojnë makineri prodhuese në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre.
Sigal