Bashkia e Durrësit i përgjigjet nismës “Të pastrojmë tokën që duam”, kryebashkiaku Dako në plazhin e Durrësit ku vijon pastrimi

703
Bashkia e Durrësit i është bashkuar nismës një javore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për pastrimin e bregdetit me moton “Të pastrojmë tokën që duam”. Në plazhin e Durrësit kanë qenë të pranishëm kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe prefekti Roland Nasto. Mjete të rënda po punojnë në gjithë vijën bregdetare të Durrësit për të kryer pastrimin ndërkohë që më pas do të kryhet edhe plugimi dhe dezinfektimi i rërës që gjithçka të jetë gati për sezonin veror. Prefekti Roland Nasto deklaroi se nisma të tilla i shërbejnë konkretisht qytetarëve. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit përveç pastrimit të plazheve që është dinamikë e përditshme po vijon punën për përgatitjen e sezonit turistik dhe me investime të tjera në qytet e nga ana tjetër ai deklaroi se Durrësi i mirëpret të gjithë pushuesit pasi plazhet e qytetit janë të pastra ndërkohë që janë marra masa edhe për sigurinë në plazhe gjatë sezonit turistik: “Bashkia e Durrësit i është përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të pastruar Shqipërinë këtë javë që është java e Mbrojtjes së Tokës. Kemi filluar pastrimin në zonën e plazhit në një gjatësi prej afro 7 km që është gjithë vija bregdetare e plazhit të vjetër të Durrësit. Shumë mjete kemi vënë në dispozicion për arsye se kemi një volum shumë të madh të leshterikut që për këtë vit për fat të keq deti e ka nxjerrë me shumicë. Do të vazhdojmë pastrimin edhe në zonat e tjera të qytetit, në shëtitoren Taulantia, në zonën e Currilave dhe gjatë muajit Maj kemi planifikuar të vazhdojmë në zonën e Gjirit të Lalëzit. Në të gjithë vijën bregdetare në atë zonë do të punohet rëra dhe njëkohësisht do të bëhet pastrimi i asaj zone. Por, jo vetëm kaq, kjo është dinamika e përditshme e punës sonë. Ndërmarrja jonë e Komunales së Plazhit meeret me pastrimin e te gjithë territorit që ajo mbulon. Nga na tjetër, ne i ftojmë qytetarët të vijnë në bregdetin e Durrësit për të kalaur pushimet në Durrës sepse ju garantojmë që nuk ka derdhje të ujrave të zeza në det në zonën e plazhit të vjetër të Durrësit, nga Shkëmbi i Kavajës deri në Agip. Dua të hedh poshtë thashethemet dashakeqe dhe tjua përsëris që plazhi i Durrësit është totalisht i pastër përsa i përket ndotjes nga derdhjet e ujrave të zeza. Gjithashtu ne do të vazhdojmë edhe me riparimet në Shëtitoren “Taulantia” dhe mbjelljen e pemëve në atë zonë dhe shpresojmë që shumë shpejt të fillojmë punën për rehabilitimin e shesheve, trotuareve të lagjeve nr. 1, 2, 3, 4 të cilat janë hapur dhe duam që brenda sezonit turistik, pra brenda muajit Qershor ato të jenë gati, për të mos i sjellë më shqetësim qytetarëve dhe të gjithë vizitorëve që vijnë në Durrës. Përsa i përket sigurisë në plazhet tona, në bashkëpunim me operatorët turistikë të cilët marrin në ngarkim plazhet, kemi vendosur që për çdo pesë plazhe të ketë një roje bregdetare duke u financuar dhe paguar nga operatorët turistikë brenda kushteve që ne i kërkojmë kur merren plazhet me qera.”
Sigal