Ja harta e dosjeve të nxehta që censurohet, nga “Inceneratorët””, “Arrestimet e drejtorëve të Bashkisë Tiranë”, “aferat e spitalit Onkologjik”, “ekspozimin e parregullsive në sistemin TIMS”, “projektin e Aeroportit të Vlorës”
Pengesa kryesore për lirinë e medias: Shumica dërrmuese e të anketuarve identifikojnë politikën dhe politikanët si burimin kryesor të presionit, duke përmendur sulmet verbale nga zyrtarë të lartë dhe raste të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta. Gazetarët shpesh ekspozohen ndaj aktorëve me pushtet politik, ekonomik apo kriminal
Mbështetja nga strukturat e jashtme është pothuajse inekzistente. 94.1% e të anketuarve nuk kanë kërkuar kurrë ndihmë nga OJF-të e medias.
-70.8% e të anketuarve e vlerëson median si “Pak të lirë” ose “Aspak të lirë”.
– 58.4% e të anketuarve besojnë se situata e lirisë së medias është përkeqësuar
-kërcënimet verbale janë në rritje të ndjeshme (nga 31.2% në 2022-2023 në 37.1% në 2024-2025
– Modeli i propagandës: Përveç censurës, një shifër alarmante prej 42.6% e gazetarëve raportojnë se janë urdhëruar të publikojnë lajme të gatshme pa i kontrolluar ato
Barometri i Lirisë së Medias 2024-2025 konfirmon se, pavarësisht disa ndryshimeve në tregues të caktuar, perceptimi i përgjithshëm i komunitetit të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias mbetet thellësisht negativ, teksa kushtet e punës vijojnë të jenë të paqëndrueshme. Të dhënat e sondazhit, ku morën pjesë 202 punonjës të medias, tregojnë se ndërsa sulmet fizike mund të jenë ulur, presioni strukturor, ekonomik dhe editorial është rritur, duke çuar në nivele të larta të censurës së drejtpërdrejtë dhe vetëcensurës së vazhdueshme.
Në raportin e këtij viti, të dhënat cilësore sjellin dëshmi të drejtpërdrejta nga gazetarët lidhur me ngjarje sensitive dhe konflikte të vazhdueshme me aktorë të fuqishëm politikë dhe institucionalë. Punonjësit e medias raportojnë se censura dhe vetëcensura lidhen shpesh me çështje të profilit të lartë, ku raportimi është shoqëruar me presion, pengesa redaksionale apo orientim editorial. Rastet e përmendura më shpesh përfshijnë “Inceneratorët””, çështjen “Veliaj” dhe “Arrestimet e drejtorëve të Bashkisë Tiranë”, “aferat e spitalit Onkologjik”, “ekspozimin e parregullsive në sistemin TIMS”, “projektin e Aeroportit të Vlorës” apo “dosje të hetuara nga SPAK”.
Gjetjet kryesore të këtij raporti janë si më poshtë:
- Perceptimi i përgjithshëm: Komuniteti i gazetarëve mbetet pesimist. Një shumicë dërrmuese prej 70.8% e të anketuarve e vlerëson median si “Pak të lirë” ose “Aspak të lirë”. Në mënyrë domethënëse, 58.4% e të anketuarve besojnë se situata e lirisë së medias është përkeqësuar gjatë periudhës së fundit, kundrejt vetëm 11% që besojnë se është përmirësuar. Kjo gjetje, e bazuar në “përvojën personale” (55.4%), bie ndesh drejtpërdrejt me përmirësimin e raportuar në renditjen e RSF 2024. Një pjesë e konsiderueshme, 36.1%, vlerësojnë se situata nuk ka pësuar asnjë ndryshim, që në praktikë nënkupton vazhdimësi të një realiteti problematik. Kjo pasi edhe në vitet e mëparshme liria e medias është perceptuar gjerësisht si “pak” ose “aspak e lirë”.
- Përkeqësimi i kushteve të punës: Pasiguria dhe informaliteti mbeten mjete kontrolli. Ndërsa ka një rritje të gazetarëve apo punëtorëve të medias me një kontratë formale edhe përqindja e punonjësve të medias që punojnë pa një kontratë të rregullt pune është rritur në 12.9%, krahasuar me 9.9% në Barometrin 2022-2023 dhe 6% në 2021. Mbi 16% e gazetarëve ende nuk e marrin pagën e plotë në bankë, duke i ekspozuar ata ndaj presioneve ekonomike.
- Mjedisi i punës dhe bullizmi: Fenomeni i bullizmit, i raportuar nga 9.4% e të anketuarve, zbërthehet më mirë në këtë raport. Të dhënat cilësore tregojnë se ai përdoret si një mjet menaxherial dhe ekonomik. Të anketuarit raportojnë “tallje për mosmarrjen e pagesës në kohë” dhe dëshmi të “pronarëve që poshtërojnë kolegët për të shmangur rritjen e pagave”.
- Ndryshimi i natyrës së kërcënimit: Ndërsa kërcënimet fizike të raportuara janë ulur (nga 20.3% në 2022-2023 në 14.4%), kërcënimet verbale janë në rritje të ndjeshme (nga 31.2% në 2022-2023 në 37.1% në 2024-2025). Të dhënat e reja cilësore tregojnë se kërcënimi po bëhet më i sofistikuar, duke kaluar nga dhuna e hapur në presione ligjore (padi SLAPP nga zyrtarë publikë) dhe presione të brendshme menaxheriale (“bëje ose largohesh”).
- Rritja e censurës së drejtpërdrejtë: Përqindja e gazetarëve që raportojnë se janë ndaluar nga eprorët për të publikuar një lajm është rritur në 38.1%, nga 31% në raportin 2022-2023. Të dhënat e reja cilësore ofrojnë dëshmi specifike që kjo censurë lidhet drejtpërdrejt me skandale të profilit të lartë, duke përfshirë rastin e inceneratorëve, çështjen “Veliaj” dhe “arrestimin e drejtorëve të “Bashkisë Tiranë”, skandalin e spitalit Onkologjik dhe atë të TIMS. Një sfidë thelbësore në parandalimin dhe luftimin e censurës mbetet mosraportimi i saj në mënyrë të drejtpërdrejtë në publik, ndonëse vetë misioni i gazetarëve lidhet me informimin dhe transparencën ndaj publikut. Frika për pasigurinë në vendin e punës është faktori kryesor që i pengon gazetarët të raportojnë raste të censurës. Në mënyrë të ngjashme, edhe mungesa e reagimit të duhur institucional në raste të tjera të ndjeshme, si veprat penale kundër gazetarëve, e thellon më tej këtë hezitim dhe krijon një mjedis ku abuzimet mbeten të pashqiptuara.
- Modeli i propagandës: Përveç censurës, një shifër alarmante prej 42.6% e gazetarëve raportojnë se janë urdhëruar të publikojnë lajme të gatshme pa i kontrolluar ato. Vetë gazetarët e identifikojnë këtë përmbajtje si “Propagandë ose material promovues” (40.9%) dhe “Informacion zyrtar” (32.7%), duke konfirmuar gjetjet e raporteve të jashtme për “përmbajtje mediatike të parapërgatitur”.
- Vetëcensura kronike: vetëcensura mbetet në nivele të pandryshuara dhe alarmante. 46.5% e gazetarëve pranojnë se kanë shmangur raportimin e një lajmi nga frika e eprorit, një shifër pothuajse identike me atë të 2022-2023 (47.0%).
- Diagnoza e sektorit: Pyetjet e këtij Barometri ofrojnë një diagnozë të qartë të problemit nga vetë gazetarët dhe punonjësit e medias në Shqipëri. Ata identifikojnë “Ndërhyrjet e qeverisë/partive politike” (80.2%) dhe “Interesat e bizneseve të drejtuara nga pronarët” (68.3%) si pengesat kryesore. Rrjedhimisht, ata propozojnë si zgjidhje pavarësinë financiare (“Mbështetja nga donacionet e huaja”, 55.4%) dhe fuqizimin kolektiv (“Krijimi i sindikatave”, 54.5%).
- Perceptimi mbi cilësinë e raportimit: Përqindja e gazetarëve që vlerësojnë se cilësia e raportimit është përkeqësuar është rritur me në mënyrë të konsiderueshme (8%), nga 43.6% në vitin 2023 në 51.5% vitin 2024–2025.
- Perceptimi për zhvillimet pozitive: Shumica e të anketuarve nuk përmendën asnjë të tillë, ndërsa të paktat zhvillime të përmendura si pozitive lidhen me faktorë të jashtëm, kryesisht aksionet e SPAK dhe arrestimet e politikanëve të profilit të lartë.
- Pengesa kryesore për lirinë e medias: Shumica dërrmuese e të anketuarve identifikojnë politikën dhe politikanët si burimin kryesor të presionit, duke përmendur sulmet verbale nga zyrtarë të lartë dhe raste të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta, përfshirë dëbimin e gazetarëve të Focus Media Group nga godina.

Liria profesionale dhe siguria
Ky seksion analizon mjedisin profesional dhe personal të gazetarëve, duke u fokusuar në dy aspekte kryesore: rreziqet që lidhen me sigurinë e tyre dhe mirëqenien psikologjike.
Gjetjet e këtij Barometri tregojnë qartë se klima e presionit ndaj gazetarëve në Shqipëri nuk është përmirësuar19 por thjesht ka ndryshuar formë. Kjo klimë është zhvendosur nga format brutale të kërcënimit fizik drejt mekanizmave më të sofistikuar, por po aq efektivë, të kontrollit ligjor, ekonomik dhe menaxherial.
Në një kontekst ku gazetarët shpesh ekspozohen ndaj aktorëve me pushtet politik, ekonomik apo kriminal, siguria e tyre profesionale lidhet ngushtësisht me aftësinë për të qëndruar të pavarur dhe për të ruajtur integritetin editorial. Megjithatë, të dhënat tregojnë se përballja e tyre nuk ndodh më vetëm në terren, përballë burimeve të lajmit, por edhe brenda institucioneve ku punojnë. Në shumë raste, presioni nuk vjen vetëm nga jashtë, por nga brenda redaksive, në formën e kërcënimeve të nënkuptuara, urdhrave për autocensurë, presioneve për kompromis profesional ose frikës nga humbja e vendit të punës.
Kjo pasiguri profesionale dhe ligjore ka një ndikim të matshëm në mirëqenien psikologjike. Seksioni thekson se stresi raportohet në nivele shumë të larta, duke prekur një përqindje të konsiderueshme të të anketuarve. Ky stres nuk buron vetëm nga mbulimi i ngjarjeve traumatike, por lidhet ngushtë edhe me kushtet e punës.
Së fundi, ky kapitull shqyrton mungesën e rrjeteve mbështetëse. Përballë këtyre sfidave, të dhënat tregojnë se gazetarët operojnë me mbështetje të kufizuar institucionale. Raportohet një mungesë e mbështetjes si nga punëdhënësit, ashtu edhe nga organizatat dhe sindikata, gjë që i ekspozon profesionistët e medias ndaj rreziqeve të përmendura.

Kërcënimet për shkak të punës
Gjetjet e këtij viti tregojnë një ndryshim të dukshëm në natyrën e kërcënimeve. Nga njëra anë, raportimet për kërcënime fizike kanë pësuar një rënie. 14.4% e të anketuarve raportuan se janë ndjerë të kërcënuar fizikisht, një shifër më e ulët krahasuar me 20.3% të raportuar në Barometrin 2022-2023. Nga ana tjetër, kërcënimet verbale janë në rritje të ndjeshme. 37.1% e të anketuarve raportuan se janë kërcënuar verbalisht, një rritje e konsiderueshme nga 31.2% e raportuar në vitet 2022-2023.
Analiza e re cilësore e këtyre kërcënimeve tregon se burimet e tyre janë të dyfishta:
- Burimi i jashtëm (tradicional): Kërcënimet fizike lidhen me raportimin investigativ mbi “krimin e organizuar”, “bandat” dhe “vrasës të kërkuar”. Gjithashtu, ato lidhen me pushtetin politik dhe ekonomik, si “tenderët qeveritarë” dhe “kryetarët e bashkive”.
- Burimi i brendshëm (strukturor): Kërcënimet verbale nuk vijnë më vetëm nga “militantë politikë” apo “familjarë të të arrestuarve”. Ato po marrin formën e presionit të sofistikuar. Të anketuarit raportuan në mënyrë specifike “paditë (SLAPP)21 nga zyrtarë publikë”. Akoma më shqetësues është fakti se kërcënimi verbal tani është gjithashtu një mjet i brendshëm menaxherial, i shprehur si “kërcënim me ndërprerjen e punës” ose “të thonë ‘bëje ose largohesh”.
Mbështetja institucionale
Punonjësit e medias operojnë në një mjedis pa pothuajse asnjë rrjet sigurie. Kur përballen me kërcënime, mbështetja nga punëdhënësi është e pasigurt: vetëm 41.1% u përgjigjën “po”, ndërsa një e treta (34.2%) u përgjigjën “nuk e di”, duke treguar një mungesë të qartë të komunikimit dhe politikave mbrojtëse. Mbështetja nga strukturat e jashtme është pothuajse inekzistente. 94.1% e të anketuarve nuk kanë kërkuar kurrë ndihmë nga OJF-të e medias. Një shifër në rritje nga 86.1 për qind në barometrin e kaluar, çka tregon një trend përkeqësues të mungesës së besimit në këto kanale të raportimit. Ata pak që kanë kërkuar ndihmë raportojnë rezultate të përziera nga organizatat vendase, ndërsa disa kanë gjetur mbështetje vetëm nga organizata ndërkombëtare.

Censura e drejtpërdrejtë: harta e temave të ndaluara
Censura e drejtpërdrejtë nga eprorët është në rritje. Përqindja e gazetarëve që raportojnë se punëdhënësi i ka ndaluar të publikojnë një lajm është rritur në 38.1%, nga 31% që ishte në raportin 2022-2023. Megjithatë ka një rënie të gazetarëve që raportojnë se janë urdhëruar të lënë përgjysmë një hulumtim nga 38.6 në 20.8 %. Kjo rënie mund të lidhet me përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të censurës parandaluese, ku gazetarët dekurajohen ose pengohen të nisin një hulumtim që në fazën e parë, duke e bërë të panevojshëm ndërhyrjen e drejtpërdrejtë për ta ndërprerë atë në mes.
Zbulimi më i rëndësishëm i këtij raporti vjen nga të dhënat cilësore, të cilat tregojnë saktësisht çfarë po censurohet:
- Rastet e ndalimit të publikimit: Të anketuarit përmendën në mënyrë specifike “lajme kritike ndaj qeverisë”, lajme për politikanë të ndryshëm kryesisht në pushtet dhe skandale të profilit të lartë si ai i “Incineratorëve”, “Skandali i spitalit Onkologjik”, “Skandali TIMS” dhe “Veliaj” e “Arrestimet e drejtorëve të Bashkisë Tiranë”.
- Rastet e ndalimit të hulumtimit: Lista vazhdon me tema si “qeverinë, politikën… oligarkët”, “Inceneratori i Tiranës”, “projekti i Aeroportit të Vlorës” dhe “dosje të hetuara nga SPAK’.
Kjo listë përbën një “hartë të censurës”. Ajo provon, përmes vetëraportimit të gazetarëve, se pronarët e medias po veprojnë aktivisht për të mbrojtur interesa të fuqishme politike, qeveritare dhe ekonomike. Kjo është dëshmia më e qartë e “kapjes së medias” për të cilën flasin raportet ndërkombëtare.
Perceptimi i lirisë dhe tendenca
Perceptimi i gazetarëve për lirinë e medias në tërësi mbetet thellësisht negativ. 70.8% e të anketuarve e vlerësojnë median në Shqipëri si “Pak të lirë” (43.1%) ose “Aspak të lirë” (27.7%). Ky tregues paraqet një përmirësim të lehtë statistikor nga 81% që e vlerësonin si të tillë në 2022-2023.
Edhe numri i atyre që vlerësojnë se media është mesatarisht e lirë u rrit në 23.3% nga 15.8% që ishte në pyetësorin e mëparshëm. Numri i atyre që e shohin median tërësisht të lirë u rrit nga 5 në 10 të pyetur prej grupit prej 202 përgjigjesh.
Megjithatë, ky përmirësim i lehtë statistikor hidhet poshtë nga pyetja pasuese për tendencën. Kur u pyetën për drejtimin e ndryshimit, një shumicë dërrmuese prej 58.4% deklaruan se liria e medias është përkeqësuar. Vetëm 11% panë një përmirësim.
Faktorët ndikues
Gazetarët japin një diagnozë të qartë të krizës së medias. Të lexuara së bashku, pyetjet cilësore mbi shkaqet e krizës, tregojnë se gazetarët e identifikojnë problemin te politika dhe interesat e biznesit dhe po ashtu e shohin zgjidhjen te një pavarësi më e madhe.
Ngjarjet kryesore dhe zhvillimet pozitive
Kur u pyetën për ngjarjet më të rënda që cenojnë lirinë, të anketuarit identifikuan presionet politike dhe sulmet si shqetësimet kryesore:
- Kërcënimet dhe presionet publike nga politikanë: 59.9%
- Kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve: 47.0%
- Sulmet ndaj redaksive (p.sh., rasti Focus Media Group): 44.1%
- Sulmet ndaj emisioneve investigative: 38.6%
Në të kundërt, kur u pyetën për zhvillimet pozitive, shumë të anketuar u përgjigjën “Asnjë” ose “Është përkeqësuar”. Të paktët faktorë pozitivë të cituar ishin pothuajse të gjithë të jashtëm ndaj mjedisit të medias:
- “Aksionet e SPAK” dhe “arrestimi i politikanëve të profilit të lartë”.
- “Miratimi i Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA)”.
- “Mbështetja nga donatorët e huaj” dhe “puna individuale e gazetarëve të guximshëm”.
Kjo tregon se liria e medias në Shqipëri nuk po përmirësohet nga vetërregullimi apo etika e brendshme e pronarëve. Përkundrazi, çdo hapësirë e fituar është një efekt anësor i reformës në drejtësi dhe presionit ndërkombëtar, të cilat u kanë dhënë gazetarëve më shumë hapësirë për të raportuar mbi korrupsionin, shpesh pasi SPAK ka vepruar i pari.
Rekomandime për përfaqësuesit e organeve publike dhe partive politike
Të ndalen presionet ndaj medias: Të shmanget çdo formë presioni dhe të dënohet publikisht përdorimi i gjuhës denigruese, kërcënimeve verbale apo sulmeve nga zyrtarë të lartë dhe politikanë ndaj gazetarëve, një praktikë e raportuar gjerësisht si pengesa kryesore për lirinë e medias.






















