Banorët e Shkodrës në protestë për ujin e pijshëm: Do të futemi në grevë

212
Sigal

Banorët e njësisë administrative Postribë në Shkodër, kanë dalë në një protestë duke thënë se nëse nuk do merreshin parasysh kërkesat e tyre do të vazhdojnë me protesta.

Ata kërkojnë që Ujësjellësi në Shkodër të gjejë një zgjidhje për problemin e tyre dhe kanë paralajmëruar se nëse nuk do të merreshin masa, atëherë do të përshkallëzoheshin protestat e tyre deri në greva.

Ata shtojnë se uji është aq i ndotur saqë jo vetëm që nuk mund të konsumohet por as nuk mund të përdoret për t’u larë apo për qëllime të tjera sanitare.

E blejmë me lekë, ky nuk bën as me u la, i prish edhe lavatriçet e të gjitha nëse e përdor diku. Na shkakton edhe sëmundje. Kërkesa jonë është të kemi ujë të pastër.

Drejtoria nuk ka shpenzime të mëdha në këtë zonë se katër apo pesë punëtorë paguhen këtu. Plus që këtu ka burime uji plot, të paktën të vendoset ndonjë filtër apo diçka.‘- thotë një banor.

Ndërsa një tjetër qytetar i zonës shton: Para dy vitesh kam qenë në Tiranë dhe e kemi konsumuar këtë gjë, që prej tre vitesh që ka dalë gurorja është shkatërruar i gjithë projekti. Inxhinieri ka thënë më parë se gurorja sipër ujësjellësit do të shkaktonte problem.

Kemi bërë disa takime në ministri dhe vetëm na thonë do e zgjidhim. Nuk e di tani se çfarë lloj korrupsioni. Nëse nuk merren parasysh ne do vazhdojmë greva derisa të gjejmë zgjidhjen tonë. Edhe në SPAK do i çojmë këto shkelje.