Banorët e pallatit të ndërtuar nga firma e ish-deputetit të PS protestë: Granti 500 mijë lekë nuk mbulon dëmet nga tërmeti

342
Sigal

Banorët e një pallati 13 katesh të ndërtuar nga firma “Drenova” me pronar ish- deputetin e PS Hazir Gashi kanë protestuar para bashkisë. Instituti i ndërtimit e ka klasifikuar dëmin nga tërmeti ‘Ds4’ ndërsa këshilli bashkiak e ka klasifikuar me Ds3. Granti që jep qeveria për të riparuar dëmet me ‘Ds3’ është 500 mijë lekë të reja, shumë kjo që sipas banorëve nuk i mbulon dëmet që kanë pësuar apartamentet por edhe ambientet e përbashkëta që prej ashensorit shkallëve tarracës etj. Ata takuan kryetaren e komanduar të bashkisë takim në të cilin nuk dolën të kënaqur për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë. Banorët thonë se kanë ikur 7 muaj dhe janë pa zgjidhje për sa i përket çështjes së futjes në shtëpi.
Me dhjetëra banorë të Durrësit janë dyndur prej 48 orësh në bashki për të bërë ankimimin pasi nuk janë përfshirë në listën e parë të personave që do të përfitojnë grantin e Rindërtimit të banesave. Në listën e skualifikimeve janë përfshirë rreth 2500 qytetarë për arsye nga më të ndryshmet. Të irrituar nga skualifikimi, qytetarët janë dyndur sa në bashki dhe sa në njësi administrative për të marrë sqarime lidhur me atë se çfarë duhet të bëjnë tani për të përfituar grantin për banesën e dëmtuar nga tërmeti. Ditën e premte, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi listën e parë me 6257 qytetarë që do të përfitojnë grantin e Rindërtimit. Ndërkohë, qytetarëve të përjashtuar u është lënë afat 7 ditor për të bërë ankimimin, në të kundërt skualifikohen përfundimisht.