Ja 20 vendimet kriminale të ERE që favorizuan “ CEZ”

501
Është futur dhe ka mbetur si “model” i rafinuar “lufte antikrim e anti-korrupsion shtetëror” në këto 23 vite tranzicion politik, ekonomik, financiar e drejtësie, që skandalet e bëra nga qeveritarët, shtetarët, zyrtarët dhe politikanët e çdo partie të madhe e të vogël, të inskenojnë qëllimisht një “vorbull” debati e lufte politike false mes palëve në media e parlament, duke bërë “akrobaci” me njeri-tjetrin, gjoja sikur “shqetësohen” për të zbardhur aferat korruptive dhe krimet që bëjnë sa herë janë në pushtet, për të cilët shahen e pështyhen ekstremisht, por asnjë prej partive që merr pushtetin, nuk ndëshkon krerët e palës së zhytur në krim e korrupsion, duke heshtur e duke u (vetë)mbrojtur me imunitete e mandate shtetërore, me të cilët janë “fortifikuar” edhe me… Kushtetutë! Kështu po ndodh edhe me çështjen “CEZ”. Ata që firmën çeke ÇEZ e sollën “me porosi” në Shqipëri në vitin 2009 e që brenda muajit e licencuan “”me urgjencë” dhe e “rropën” për 3 vite radhazi (2009-2012), po akuzojnë për “krim me CEZ, këta që qysh prej shtatorit 2013, po paguajnë dëmet e “babëzisë” së atyre që e bënë “rrush e kumbulla” këtë “fushë” miliardash me emrin “CEZ”. Nuk themi se këta janë “qelibar” ne çështjen CEZ pas shtatorit 2013, mbasi mjaftojnë pazaret e pista të ministrit Gjiknuri të bëra me financat e CEZ (OSHE) për të gjetur fakte korruptive. 

Ajo që duket haptazi, si skemë për të mos hapur realisht “gropën e zezë” të CEZ është fakti, që të dy palët opozitë-pozitë, prej 1 muaji nuk po kërkojnë të hapen letrat zyrtare të veprimtarisë së një institucioni shtetëror që ka lidhje 100% me veprimtarinë e CEZ, letra nga të cilat duhet të nis hetimi i këtij skandali. Ky institucion e ka emrin “Enti Rregullator i Energjisë” (ERE). Që të zbardhet krimi ekonomik, financiar, shtetëror e ligjor me emrin “CEZ”, duhet të “skanohet” vendim-marrja e këtij institucioni në vitet 2009-2012, kur CEZ ka ushtruar veprimtari private, por 100% nën monitorimin dhe menaxhimin ligjor të ERE! Kujtojmë, që hetimi i skandal-krimit “CEZ” u kërkua dhe u votua nga kreu i Kuvendit Ilir Meta, u kërkua por nuk u votua në kuvend nga ish-kryeministri Berisha dhe nuk u pranua e nuk u votua nga kryeministri Rama, me argumentin se ishte akt “anti-kushtetues”. Sipas argumenteve ligjore dhe provave të sjella në redaksinë e gazetës “Telegraf” nga specialistë, ekspertë dhe zyrtarë e ish-zyrtarë të ERE, KESH, OST, të CEZ e OSHE, rekomandohet e kërkohet, që shteti, opozita akuzuese, mazhoranca e akuzuar dhe sidomos drejtësia, duhet të ndalen tek vendimet, udhëzimet, amendimet e vendimeve me shtesa e heqje nenesh, propozimet për ndryshim ligjesh që kanë lidhje me tregun dhe çmimet energjisë, kërkesa për ndryshime të “disa” pjesëve të kontratës shtetërore me CEZ, udhëzime, rekomandime e urdhra “speciale” të hartuar dhe firmosur e vulosur prej Entit Rregullator të Energjisë (ERE) gjatë viteve 2009-2012, konkretisht prej dy drejtuesve të ERE, zotërinjëve Bujar Nepravishta e Sokol Ramadani, “çuditërisht” të pa përmendur në këtë “betejë” opozitë-pozitë me emrin “CEZ”. Ekspertët që kanë “trokitur” me fakte, argumente e propozime e kërkesa në gazetën “Telegraf” për zbardhjen e skandal-krimit “CEZ”, i qëndrojnë bindjes së tyre të plotë, se që të arrihet tek e vërteta, mjafton të hapen vendimet e marra nga “Enti Rregullator i Energjisë” (ERE) në vitet e “barbarisë” hajdutërore të bërë në CEZ dhe duke përdorur CEZ-in në vitet 2009-2012, vendime që sipas argumenteve e dëshmive që disponon gazeta “Telegraf”, kanë lidhje me “marifetet” e bandës “QEVERI-CEZ-ERE, KESH-OST-HEC-e dhe SEKSERË”, me bazë vjedhjen “dërrçe” të të ardhurave prej shitjes së energjisë me skema prodhimi në HEC-e, me pazare import-eksporti të blerjes së energjisë dhe me skemë hajdutërie të shitjes së energjisë me shumicë e pakicë tek 1.3 milionë familje, tek afro 600 mijë biznese dhe 2783 institucione qendrore e lokale, madje përfshirë edhe rezidencat diplomatike, ndriçimin publik dhe shkollat.

 Kujtojmë, që deri në datën 1 mars 2011, Entin Rregullator të Energjisë (ERE) e ka drejtuar Bujar Nepravishta, i cili në këtë datë dha dorëheqjen pa asnjë shpjegim e për “çudi”, i shkarkuar nga parlamenti pa asnjë raport “bilanci drejtues”, madje edhe pa u thirrur për të dhënë llogari as sot e kësaj dite për krimin ekonomik të bërë prej CEZ, në CEZ dhe me CEZ nën “hundën” vendim-marrëse të ERE që deri në 1 mars 2011 e drejtonte “urata” Bujar Nepravishta, i cili sot pas 4 vitesh heshtje pas “dorëheqjes paqësore”, prej frikës së “hapjes së letrave” edhe për kohën si drejtues i ERE” në vitet e CEZ, doli e foli ne media me një “rrëfim priftëror”, për “virgjërinë” e tij kur ishte kryetar i ERE dhe për pastërtinë e dosjes “CEZ”, por nuk foli se përse nuk u thirr për të zbardhur veprimtarinë e tij në raport me CEZ dhe për të shpjeguar, se cila “porosi në zarf” e nxori “pa u lagur” dhe e la në qetësi të plotë pa e çuar përpara drejtësisë! Po kështu, në heshtje po lihet edhe emri i ish-kreut të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), zotit Sokol Ramadani, i cili ka qenë drejtues i ERE nga qershori 2011, deri në datën datën 06. 02. 2014, kur u zëvendësua nga Petrit Ahmeti, emër i përmendur këto ditë, si i përfshirë në skandalin e CEZ. Gazeta “Telegraf”, pas një investigimi të bërë në vendim-marrjen e Entit Rregullator të Energjisë (ERE), konsultuar me ekspertë të sektorit energjetik dhe të ligjit, po publikon sot disa vendime të marra nga “Enti Rregullator i Energjisë” (ERE) vetëm për vitin 2012, lidhur me “udhëzimet”, “propozimet” dhe “urdhërat” që janë dhënë prej këtij institucioni, për zbatim prej CEZ lidhur me tregun e energjisë, import-eksportet dhe çmimet e shitjes me shumicë e pakicë në tregun shqiptar.
Sigal