BANDA E SOTME DHE LAPANGJOZËT E NESËRM

334
Sigal

Nga Gentian Çala

Banda e Rilindjes me në krye Ramën ka vënë në disa dalje publike maskat me gërmat e partisë, të cilën e shkatërruan në vazhdimësi gjatë pushtetit të tyre. Kjo, nuk është as më shumë dhe as më pak, se një përpjekje e kotë për tu thënë simpatizantëve se ata janë socialistë. Në fakt, socialistët e vërtetë e dinë më mirë se si ishin ata të bandës në pushtet. E dinë, sa herë nuk ju hapnin telefonat apo dyert, kur i trokisnin me gjoba në biznes, sa herë nuk i ndihmonin në nevojë, apo sa herë ju kthenin shpinën. Socialistët e dinë më mirë se me çfarë individësh i mbushi banda bashkitë, drejtoritë dhe institucionet.

Banda e Rilindjes në pushtet kapardiset sot, duke harruar se ishin socialistët e ndershëm ata që i sollën në pushtet, të cilët këta i braktisën. Por, ata nuk harrojnë! Ata do të bëjnë ç’të mundin që banditët të zhvishen nga pushteti, që nga të krekosur të ndihen si lapangjozë që nuk i do dhe nuk i mbështet kush. Banditët e Rilindjes e meritojnë këtë. Unë njoh shumë socialistë të gatshëm që t’ia kthejnë reston Ramës dhe oborrtarëve të tij, shërbëtorëve dhe ushtarucëve të pushtetit. Sepse zullumet janë të shumta dhe pritshmëritë e socialistëve nuk janë realizuar aspak. Fjala zhgënjim lexohet lehtësisht, jo te ata që vodhën e shinë në pushtetin e Ramës, por te të gjithë ata që besojnë te e majta dhe që jetojnë me djersën e ballit.

Bandën nuk mund ta ndihmojë më as paratë, as të fortët dhe as oligarkët, ndaj ata janë kandidatët për lapangjozët që nuk respektuan votuesit e thjeshtë të tyre, që i kthyen shpinën njerëzve të ndershëm. Lapangjozët e nesërm do të kenë dy llogari, të parën me të vetët dhe të dytën me institucionet e vendin, posaçërisht me ato të zbatimit të ligjit. Politikisht ata ndëshkimin do ta marrin në zgjedhjet e 25 prillit, ku nuk do të kenë kundër vetëm opozitarët dhe votuesit e zonës gri, por edhe socialistët e ndershëm dhe të zhgënjyer. Ata nuk meritojnë asnjë ditë më shumë të qëndrojnë në pushtet. Ndaj së paku i kurseni socialistëve daljen me maska me inicialet e PS-së se nuk e meritoni. Gjithësesi, më pak të dëmshëm do të jeni si lapangjozë pa pushtet për të gjithë shqiptarët pavarësisht nga përkatësia politike.