Babëzia energjitike/ KESH ‘kapet’ mat, shet energji me 60 euro

113
Sigal

Eksperti Elezi: Në të njejtën kohë blihet nga tregtarët me 87-90 euro dhe i shitet qytetarëve me 100 euro. Deklarat për rritjen e çmimit verës të paligjshme

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare iu rikthye sërish shitjes së energjisë përmes ankandeve. Sipas njoftimit zyrtar, në ankandin e fundit, KESH shiti 33.6 mijë mega vat energji me çmim mesatar 59.39 euro për mega. Energjia lëvrohet për periudhën 31 maj-4 qershor.

Në të njëjtën ditë që u zhvillua procedura e KESH për shitjen e energjisë, çmimi mesatar në bursën e Hungarisë rezultoi 49 euro për mega vat, por ditën më pas u rrit në rreth 92 euro. Çmimet e energjisë kanë rënë ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, si pasojë e rritjes së prodhimit, por edhe kërkesës më të ulët për shkak të kushteve të buta atmosferike, por edhe kërkesës së dobët që vjen nga ngadalësimi i ekonomisë.

Në 5 muajt e parë të vitit KESH ka prodhuar sasi rekord energjie për shkak të rreshjeve massive që kanë rënë gjatë këtij viti. Një pjesë e kësaj energjie po shitet në ankand, por larg çmimeve të vitit të kaluar duke bërë që përfitimet për KESH të jenë relativisht të ulëta, në nivelin 35 milionë euro.

Dështon shkëmbimi

Më parë, KESH tendoi që ta depozitonte ose ta shkëmbente këtë sasi energjie, sipas një programi ku korporata do ta jepte energjinë në datat 31 maj-4 qershor dhe do ta merrte mbrasht në datat 11 deri në 30 qershor.

Por procedura e depozitimit dhe shkëmbimit dështoi pasi në garën e hapur nga KESH nuk u paraqit asnjë ofertë. Pas dështimit të kësaj procedure KESH hapi ankand për ta shitur energjinë.

Ndonëse Shqipëria ka zyrtarisht një bursë energjie, ky institucion nuk po bëhet ende plotësisht funksional. Deri tani të vetmit aktorë që kanë realizuar transaksione energjie brenda bursës janë kompanitë publike mes tyre.

Megjithatë gjatë ditëve të fundit në bursë janë anëtarësuar edhe 4 kompani private të tregtimit të energjisë. Ato janë Ener Trade sh.p.k, EZ-5 Energy sh.p.k, GEN-I TIRANA sh.p.k dhe ReNRGY Trading Group sh.p.k.

Këto 4 kompani private i bashkohen 5 shoqërive publike duke e çuar në 9 numrin total të anëtarëve në bursën shqiptare të energjisë elektrike. Sipas të dhënave zyrtare, një ditë më parë, në bursën shqiptare të energjisë u tregtuan rreth 4 mijë mega vat energji elektrike, por sërish këto ishin kryesisht shitje blerje mes kompanive shtetërore të energjisë.

Elezi: Deklaratat e Ramës për rritje të çmimit të energjisë, të paligjshme

Eksperti i energjisë elektrike, Eduart Elezi është shprehur se deklaratat e kryeministrit Rama për rritje të çmimit të energjisë elektrike janë të paligjshme.

Elezi thotë se po ndodh një kolaps financiar për shkak të keqmenaxhimit të qeverisë në sektorin e energjisë, i cili i ka shkaktuar dëm tepër të madh qytetarëve dhe biznesit shqiptar.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë reformë e bërë që të justifikojë rritjen e çmimit të energjisë.

“Deklarimet e kryeministrit shqiptar në parlament për rritje të energjisë elektrike janë të paligjshme, që do të thotë, se sado politikë të bëhet duhet të ketë aplikim nga kompanitë ose të informohet kryeministri nga institucionet e pavarura, qoftë nga Enti Rregullator i Energjisë që ka tagerin ligjor për miratimin e këtyre tarifave.

Në lidhje me fashat nuk ka një studim në Shqipëri. Kjo bëhet për pjesën e gropës së madhe që ka me keqmenaxhimin që ka dhe në reformat, që janë bërë në sektorin elektrik. Thuhet që janë bërë reforma. Nuk ka reforma fare. Aty po deklarohet çdo gjë e paligjshme.

E para njëherë këtu nuk respektohet ligji. E dyta, kolapsi financiar. Shitet energji me 60 euro nga korporata energjetike shqiptare dhe në të njejtën kohë blihet nga operatori i sistemit të shpërndarjes, por nga tregtarët me 87-90 euro. Ky është një dëm ekonomik që i shkaktohet qytetarëve shqiptarë dhe biznesit shqiptarë.

Si deklarohet rritja e çmimit të energjisë kur pjesa më e madhe e energjisë blihet me çmime tregu sot nga biznesi?

Po të shohësh konsumin e qytetarëve shqiptarë dhe biznesit të vogël nuk arrin më shumë sesa 3.5. Kjo do të thotë që energjia që prodhon korporata energjetike është me 15 euro kosto megavat. Sot qytetari shqiptar e paguan me 100 euro dhe biznesi diku tek 150 euro. Kështu që nuk ka vend për rritje.”,- tha ai.