Baba Arshi Bazaj: Mehmet Shehu qe kundër ndalimit të besimit fetar!

1006
Sigal

Babai i Teqesë së Detroitit në USA: Ish-Kryeministri Shehu, shpëtoi fshatin nga shfarosja

Të udhëtosh në rrugët e përbaltura të historisë, apo të lundrosh në detin e dallgëzuar, të fluturosh në qiellin me mot të egërsuar dhe në fund të jesh zgalemi i furtunës, këtë ndjesi gorkiane ta jep mbijetesa e fisit Bazaj në Shkozë të Sevasterit të Vlorës. Një fis tërësisht nacionalist dhe besimtar të Bektashizmit. E gjithë historia vjen përmes librit të pinjollit të këtij fisi, Av. Tartar Bazaj përmes historikut të fshatit, besimit bektashian dhe fisit të tij, për të cilin u persekutua, lavdia e tij Baba Arshi Bazaj. Babai i Teqesë së Detroitit në USA, jep deklaratën më të fortë, më tronditëse, se ish- Kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu, nuk qe kundër zhdukjes së kulteve dhe besimit fetar, madje ai ka mundësuar ekzistencën e fisit Bazaj në shkozë të Vlorës. Kjo vërtetësi, sipas Baba Arshi Bazaj dhe pasardhësit Av. Tartar Bazaj, nga një intervistë e përbashkët në “Albanian Tv of Amerika”, sjell edhe dokumente historike, që historisë i mungojnë. Sipas kësaj interviste, që mund të themi me bindje se ka elementë të thesarta historike, vijnë fakte që ndaj fisit Bazaj të Baba Arshiut u përdor jo vetëm shantazh, por edhe rrënim me gremisje të vlerave të kulteve bektashiane të këtij fshati dhe fisi dhe nga kjo barbari, mbeti vetëm gjysma e kubesë, siç është edhe sot, ashtu si e la komunizmi në ndërprerje të revanshit të tyre në vitin 1947. Sipas dëshmive të Baba Arshiut dhe fisit të av.Tartar Bazaj, ky revansh histerik u ndërpre vetëm pas dërgimit të një letre Mehmet Shehut. Pra, ky fis, sipas dëshmive, ka qenë në një situatë të vështirë, deri në mbijetesë dhe i është drejtuar Mehmet Shehut, jo si drejtues komunist i shtetit të ri të sapo dalë nga lufta, por edhe si nip i tyre, pasi Sulltana, nëna e Mehmet Shehut, ishte nga ky fshat dhe fis. Mehmet Shehu e lexoi letrën në të cilën thuhej se fisi i nënës së tij dhe Bazajt janë drejt shfarosjes, madje, Bazajt edhe si familje, ndaj kërkojmë ndihmën tuaj. Dhe menjëherë, si me magji, pas kësaj letre, puna e një brigade të tërë e urdhëruar të shfaroste gjithçka nga historia e Shkozës, deri tek shkulja edhe e eshtrave të varreve të fisit Bazaj edhe të nacionalistëve që të mos ekzistonin më, urdhri i Mehmet Shehut ka kthyer mbrapsht prapësitë e atyre viteve, ku bie në sy mes fjalëve të urdhrit që “…të mos luhet me eshtrat e gjyshes sime…!”. I pyetur nga gazetari amerikan, Av. Tartar Bazaj, se edhe Memet Shehu që qe një lider i ashpër komunist,veproi kështu? Av. Tartar Bazaj përgjigjet se: “…Në qoftë se nuk do të qe Mehmet Shehu, fisi Bazaj nuk do ekzistonte fare sot, do na kishin shfarosur. Mund të them se edhe në historikun e vitit 1975 të fshatit, ne nuk u përfshimë”, deklaron Av. Tartar Bazaj për TV amerikan, ai vazhdon dhe thotë se, “…sot Baba Arshi Bazaj i Detroitit, vlerëson aktin e Mehmet Shehut, jo vetëm si biri i Sulltanës nga Shkoza, por edhe si biri i Sheh Ismailit”.

 Shënim: Në një nga numrat e ardhshëm të gazetës “Telegraf”do të botojmë një intervistë të gjatë të Baba Arshi Bazaj të Teqesë së Detroitit.