Nga Avokati Myftar Rusta – Ish-student i Dhjetorit 1990
Tridhjetë e katër vite pas Dhjetorit 1990, shqiptarët vazhdojnë të jetojnë nën një iluzion të madh: atë të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Në fakt, Shqipëria nuk ka njohur asnjëherë një treg të vërtetë të lirë dhe një demokraci funksionale. Ajo që kemi pasur, dhe që vazhdojmë të kemi, është një socializëm i moderuar, i rimodeluar nën frymëzimin e Katovicës, ku PS dhe PD janë dy vëllezër të një babai të vetëm – nomenklaturës së vjetër komuniste. Shqipëria është sot shembulli më tipik se si një vend mund të veshë kostumin e demokracisë, por të mbajë brenda tij skeletin e sistemit të vjetër. Kjo është arsyeja pse qytetari shqiptar mbetet i varfër, ndërsa shteti është i pasur vetëm për një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin.
Katovica – Manuali i pushtetit të vjetër
Dokumenti i famshëm i Katovicës, i hartuar nga Mihail Gorbaçovi dhe i zbatuar nga Ramiz Alia, nuk ishte një plan thjesht për të menaxhuar rënien e komunizmit, por një udhëzues i hollësishëm se si nomenklatura e vjetër të ruante pushtetin duke ndryshuar vetëm formën.
Pluralizëm do të kishte, por partitë do të kontrolloheshin. Pronat do të njiheshin në letra, por nuk do të ktheheshin kurrë realisht. Demokracia do të instalohej si dekor, por jo si mekanizëm i vërtetë i qeverisjes. Ramiz Alia ishte regjisori i parë i këtij tranzicioni të kontrolluar. Ai ndau rolet: të majtës dhe të djathtës, duke mbajtur gjithmonë të forta urat mes tyre. Kështu u lindën PS dhe PD si dy aktorë të ndryshëm në skenë, por me një regji të përbashkët.
Nga Ramiz Alia te Rama dhe Berisha – zinxhiri i pandërprerë.
Sali Berisha, që u shfaq si antikomunist i vendosur, në fakt u bë pjesë organike e rotacionit të pushtetit. Retorika e tij kundër socialistëve ishte vetëm fasadë, sepse në praktikë ai ruajti të njëjtin sistem të trashëguar nga Katovica. Edi Rama, nga ana tjetër, konsolidoi modelin e pluralizmit të kontrolluar. Sot, PS dhe PD nuk janë kundërshtarë realë, por dy krahë të së njëjtës trupë politike, që kujdesen, që pushteti të mos dalë kurrë nga duart e nomenklaturës së vjetër dhe pasardhësve të tyre. Prandaj mund të themi pa frikë: PS dhe PD janë dy vëllezër të një babë – babait politik të Katovicës.
Ekonomia e tregut të lirë – një mashtrim shqiptar
Në letër, Shqipëria e pas ’90-ës adoptoi modelin e “ekonomisë së tregut të lirë”. Por çfarë ndodhi në praktikë?
Në vend që të ndërtohej një kapitalizëm perëndimor, ku shteti garanton rregullat e lojës dhe qytetari ka mundësi të barabarta, u krijua një sistem i deformuar: ekonomi e kapur nga politika, privatizime klienteliste, korrupsion galopant, shtet i dobët dhe qytetar i varfër.
Në realitet, nuk kemi treg të lirë, por një socializëm të moderuar ku gjithçka kontrollohet, qoftë përmes administratës së fryrë, qoftë përmes oligarkisë së lidhur me pushtetin.
Ky nuk është kapitalizëm i vërtetë, por një model hibrid, që mban emrin “treg i lirë” vetëm në propagandë.
Fotografia e Shqipërisë sot
Nëse Shqipëria sot do të fotografohej me një imazh social, ajo do të dukej kështu:
- Dy pensionistë, që mezi mbijetojnë me një pension minimal.
- Një administrator, i lidhur me partinë, që jeton nga shteti i fryrë dhe nga taksat e qytetarëve.
- Dy privatë, që luftojnë për të mbijetuar në një treg të padrejtë dhe të pabarabartë.
Ky është bilanci i një tranzicioni 34-vjeçar, ku shoqëria është varfëruar, ndërsa pushteti ka krijuar një kastë të pasurish të lidhur me politikën. Ideologjia socialiste – falimentim në SHBA, rishfaqje në Shqipëri Në botë, ideologjia socialiste ka kaluar në provën e historisë:
- Në SHBA, çdo përpjekje për ta ringjallur si “socializëm modern” është përplasur me dështim dhe kundërshtim shoqëror. Shoqëria amerikane ka treguar se ky model nuk sjell zhvillim, por stagnim.
- Në Evropë, socializmi është zbehur, duke u transformuar në social-demokraci reale, ku tregu i lirë dhe shteti social bashkëjetojnë. Vetëm në Shqipëri ndodh e kundërta: socializmi i falimentuar po rimbillet si model qeverisës. I quajtur “i moderuar”, ai përdoret si justifikim për të mbajtur qytetarin nën kontroll dhe për të ruajtur pushtetin e një klase të privilegjuar.
Përfundim
Shqipëria nuk është as republikë parlamentare funksionale, as demokraci e vërtetë, as ekonomi tregu të lirë. Ajo që ka është një mashtrim i madh, ku pluralizmi është fasadë dhe tregu i lirë është vetëm propagandë. Katovica nuk mbaroi në vitin 1991. Ajo zbatohet ende sot, me regji të vjetër dhe aktorë të rinj. Derisa ky cikël të thyhet, Shqipëria do të ketë vetëm rotacion pushteti, por kurrë ndryshim të vërtetë. PS dhe PD do të vazhdojnë të mbeten vëllezër të një babë, babait politik të Katovicës, ndërsa qytetari shqiptar do të mbetet i varfër në një vend të pasur me potencial.





















