Automatik dhe drogë, arrestohet 26-vjeçari në Mirditë

265
Sigal

Mëngjesin e sotëm 26-vjeçari A. K., banues në fshatin Qafë Mollë, të Mirditës ka rënë në prangat e policisë pas një kontrolli të realizuar në banesën e tij.

Gjatë kontrolli policia gjeti dhe i sekuestroi 1.2 kg lëndë narkotike, një armë zjarri automatik dhe 42 fishekë.

Ndërkohë materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Diga”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Mirditë.

Sekuestrohen 1.2 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis, një armë zjarri dhe municion luftarak.

Vihet në pranga 26-vjeçari, poseduesi i tyre.

Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë qarkun Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në fshatin Qafë Mollë, Mirditë, një person posedonte në banesë lëndë narkotike dhe armë zjarri pa leje, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Diga”. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit A. K., 26 vjeç, banues në fshatin Qafë Mollë, Mirditë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 1.2 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri automatik dhe 42 fishekë.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.