Autobusi plot me pasagjerë përfundoi në Lanë/ Shoferi: Mori shpejtësi, nuk mbanin frenat

172
Sigal

Prokuroria e Tiranës është në pritje të akt-ekspertizës autoteknike të autobusit të linjës së Unazës, i cili përfundoi në Lanë dy javë më parë, duke shkaktuar plagosjen e pesë personave.

Tashmë çështja po të hetohet nga prokurori Dritan Nushi, i cili ka marrë në dorë dosjen një ditë më parë pasi veprimet paraprake janë kryer nga prokurori i gatshëm, Shpëtim Garunja.

Deri tani çështja është hetuar për shkelje të rregullave të qarkullimit, pasi nuk janë shënuar viktima, dhe 5 të lënduarit kanë patur dëmtime të lehta.

Por nëse është apo jo faji i shoferit apo i mjetit, kjo pritet të dalë nga ekspertet e policisë së shtetit, të cilët kanë marrë detyrën për kryerjen e aktit të ekspertimit autoteknik.

Në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore shoferi ka pohuar se ngjarja ka ndodhur për shkak se ai nuk e ka kontrolluar dot mjetin, i cili ka marrë shpejtësi me superxhiro dhe nuk i përgjigjej komandave. “Mjeti mori shpejtësi, nuk mund të frenoja“, mësohet të jetë shprehur ai.

Ndërsa pasagjerët e akidentuar kanë pohuar se nuk kanë mundur të kuptojnë se si kishte ndodhur ngjarja.

Nëse gjendja e mjetit do të rezultojë e rregullt nga ana teknike atëherë përgjegjësia pritet të rëndojë mbi drejtuesin, i cili mund ta ketë ka humbur kontrollin për arsye njerëzore.

Deri në këtë moment, Prokuroria nuk ka marrë në përgjegjësi penale asnjë person ndërsa mësohet se ekspertiza e autobusit që është lënë për disa javë aty ku u aksidentua, mund të zgjasë deri në 30 ditë.

Javët e fundit disa urbanë të linjave të kryeqytetit janë përfshirë në aksidente, ndërsa të mërkurën një urban i linjës së Qytetit Studenti, pësoi defekt kur po lëvizte me pasagjerët pranë Arkivës së shtetit.