Autoambulancat pa karburant, mjekët lëvizin me gomerë

520

Nga MAKSIM 
TUFA

 

Skandalet me institucionet e shëndetësisë në
ministrinë e Ilir Beqajt nuk mbarojnë kurrë. Çdo ditë ngjasin dukuri të
padëgjuara, në një kohë që qeveria, ministritë e linjës, çirren se “kemi
krijuar kushte maksimale pune, pajisje moderne, logjistikë bashkëkohore”. Por
ndoshta duhet të ndodhte furtunali djeshëm, që një prej ministrive të
Rilindjes, asaj të Shëndetësisë e cila çdo 2-3 javë inauguron godina me pajisje
“moderne”, ti dilte kallaj pikërisht në momentet kur duhej ndihma e shpejtë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.55 kur një telefonatë tek  salla operative e policisë, njoftonte se “në
Tregan dhe Shushicë, kemi mbetur me të sëmurët në mes të lumit, kemi edhe një
grua shtatzënë me vete, njoftoni autoambulancat”. Fakti është se salla
operative e policisë ka njoftuar, dhe drejt vendit ku u njoftuan janë nisur
njëra pas tjetrën dy autoambulancat e shëndetësisë Elbasan. Por sapo kanë
kaluar urën e Shkumbinit, mes erës së fortë 
dhe shiut të rrëmbyeshëm, atyre u janë fikur motorët, pasi u kishte
mbaruar karburanti. Menjëherë drejt Treganit dhe Shushicës janë nisur dy
autoambulancat e Cerrikut, por edhe ato në Shirgjan kanë pësuar defekt, dhe
kanë mbetur tek kryqëzimi i Llixhës. Dëshmitarë nga vendi ngjarjes thanë se
“ishte për të qeshur dhe për të qarë, tek shikoje se si mjetet gjoja të reja,
mbeteshin në mes të rrugës nacionale kur nga moment në moment mund të ishin
përplasur me makinat e rënda të transportit që kishin fikur motorrët, pasi
gjithçka ishte errur dhe nuk shihej asgjë jashtë xhamave të makinave”. Mes
kësaj situate alarmante, nga njëra anë e përkeqësimit të motit dhe defekteve të
autoambulancave, dy prej stafit të mjekëve tentuan të bënin heroizmin e rastit.
Ata kanë gjetur dy gomarë të një fshatari në një strehë dyqani, dhe kanë
tentuar të kalojnë pjesën e lumit nga ku mund të shkonin tek të sëmurët. Por
kur nuk kishin kaluar as 150 metra, rrjedha e Shkumbinit ka ardhur befasisht
dhe ndoshta mund të kishte rrezikuar jetën e tyre. Situata ishte dramatike, aq
sa edhe komike. Ishte ora 11.20 dhe gjithçka ishte gir dhe e zezë, era ishte
shumë e fortë, rrëketë e ujit nisën të zbresin nga kodrinat e vogla për tu
bashkuar me kanalet e ujit buzë rrugës nacionale Elbasan-Cerrik. Në sallën operative
tek 129 dhe 127 telefonatat nuk mbaronin. Ishin kryesisht banorët e fshatrave,
dhe zonave rurale ato që kërkonin ndihmë nga shteti, ndihmë nga policia dhe shëndetësia.
Deri në orën 12.30 gjithçka ishte në dorën e Zotit, dhe pikërisht pasi u
qetësua moti, autoambulancat u furnizuan me 2-3 bidonë 1.5 litra karburant,  dhe janë nisur drejt destinacionit, duke
gjetur atje njerëz të shpërfytyruar nga dhimbja dhe trishtimi. Një plak i
moshuar u shpreh se “me gomarë mbaj mend
se mjeku vinte tek ne në vitet 1950, asokohe nuk kishte as rrugë, as
autoambulanca, por ai sistem e kishte sjellë mjekun tek ne ditën dhe natën.
Kurse sot nuk ka mjekë fare në fshatra”
. Tragjikomedia me jetën e
qytetarëve nuk ka të mbaruar në këtë vend. E ndërsa qeveritarët,
ministrat,  deputetët, dhe servilët e
tyre çirren se “gjithçka ka ndryshuar,
jemi në rrugën e mbarë
”, ankesave të qytetarëve dhe veçanërisht të ruralëve
ata u përgjigjen me pyetjen që e mbajnë si postulat gjithë kasta e Rilindjes “Ku është problemi këtu”?  Dhe ndoshta duke mos patur mundësi t’i
përgjigjen,  shumica e shqiptarëve do t’i
tregonin kryeministrit dhe ministrave se “problem
këtu
” është tek rritja e papunësisë, rritja e kriminalitetit, rritja e
korrupsionit, rritja e analfabetizmit, rritja e frikshme e trafikantëve të
drogës, rritja e frikshme e paaftësisë që konstatohet tek zyrtarët e
korruptuar, tek  ngritja në sistem e
mediokritetit që ka mbushur zyrat e institucioneve, dhe tek rrënimi i shtetit
ligjor. Kjo padyshim që sjell edhe tragjikomeditë e përditshme me jetët e
shqiptarëve, duke kthyer kohën e gomarëve që transportonin dikur mjekun nga
bregu i lumit drejt qendrës së fshatit, jo për vizita rutinë të urgjencës, por
për të qëndruar atje, si i dërguar nga “partia”. Sot mjeku në fshatra, është
fjalë e harruar dhe e ndaluar për ata hallexhinj.       

Sigal