Atentati në Elbasan, flet vëllai i madh që u shpëtoi plumbave, nuk kemi….

Dy vëllezër kanë rënë pre e një atentati rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Peqin – Elbasan.

Klevi Baho 24 vjeç mbeti i vrarë, kurse vëllai i tij i madh Sandër Baho 29 vjeç ka mbetur i plagosur. Mësohet se 29-vjeçari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ai është pyetur nga grupi hetimor lidhur me rrethanat e atentatit. Mësohet se Sandër Baho nuk ka dhënë shumë detaje për hetuesit.

Sigal

“Na qëlluan me armë, po shkonim për në shtëpi. Nuk kemi konflikte me njeri“, mësohet të ketë thënë 29-vjeçari.

Dy vëllezërit po udhëtonin me makinën e tyre tip Audi kur u sulmuan me armë nga persona të paidentifikuar. Ata u qëlluan me breshëri arme. Të shtënave nuk i mbijetoi dot 24-vjeçari Klevi Baho, i cili mësohet se kohët e fundit ishte kthyer nga Italia ku kishte vuajtur dënim me burg. Kurse vëllai tjetër, Sandër Baho, u plagos në shpatull.

Në vendngjarje policia gjeti të paktën 30 gëzhoja. Burime nga grupi hetimor thonë se mungesa e kamerave të sigurisë në zonë do të vështirësojë hetimin për këtë atentat. Edhe 29-vjeçari që ka mbetur i plagosur është person me precedent penal. Policia nuk ka ende një pistë zyrtare, por dyshohet se shkak i atentatit të ketë qenë larja e hesapeve.