“Atdheu Blu” Doktrina gjeopolitike detare e Turqisë. Admirali turk i dërgoi Tiranës një raport sekret

339
Sigal

Nga Albert Hitoaliaj

Më datën 10 qershor, në medien turke “Habertürk”, gazetarja Kybra Par, botoi një intervistë me kundëradmiralin në pension doc. dr. Xhihat Jajxhë (Cihat Yaycı), e cila erdhi si reagim kundërshtues kundrejt marrëveshjes detare që firmosën grekët me italianët.

Së bashku me admiralin tjetër në pension, Xhem Gyrdeniz (Cem Gürdeniz) – ai është një prej dy gjeopolitikanëve kryesorë të gjeopolitikës detare turke.

Gyrdeniz është ideatori i doktrinës “Mavi Vatan” (“Atdheu blu”), ndërsa Jajxhë është ndjekës e zbatues i kësaj doktrine, por edhe arkitekt i politikës detare me Libinë.

Edhe pse më 15 maj, Erdogan, e shkarkoi nga detyra e shefit të shtabit të Forcave Detare turke, ai mbetet një prej njerëzve më ndikues te mendimi strategjik turk.

Të dy përfaqësojnë një shkollë mendimi dhe një filozofi të caktuar gjeopolitike e cila i ka rrënjët përtej këtyre dy individëve. E thënë thjeshtë, kur ata flasin duhen dëgjuar, pasi përfaqësojnë mendimin e avancuar të gjeopolitikës turke.

Për këtë arsye edhe intervista në fjalë bëri jehonë.

Ajo u pasqyrua edhe në Shqipëri gjerësisht, sepse admirali Xhihat Jajxhë pranoi dërgimin e një raporti shtetëror sekret për qeverinë shqiptare, ku e ndërgjegjësonte këtë të fundit për rrezikun e marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë, duke e paralajmëruar: “po mashtroheni”.

Mediet greke e cilësuan intervistën e tij si provën që Turqia pengoi realizimin e marrëveshjes shqiptaro-greke. Si në vendin tonë edhe në Greqi, epiqendra e diskutimeve mbi këtë intervistë ishte pranimi i përfshirjes së Turqisë në këtë çështje.

Por, ky është një diskutim më i komplikuar se kaq dhe ka pjesëmarrje të shumë aktorëve.

Titujt e medias turke mbi deklaratat e admiralit për Libinë dhe Shqipërinë.

Në një pjesë të intervistës, botuar në shqip, thuhet:

“Tani kemi një hap shumë konkret që duhet të ndërmerret nga Turqia. Pasi të drejtat e Shqipërisë dhe të Libisë shkelen nga marrëveshja midis Italisë dhe Greqisë. Zonat detare që do të fitonte Shqipëria në vijën jugperëndim-verilindje dhe zonat detare të Libisë në vijën veriperëndim-juglindje, janë zhvatur.

Me fjalë të tjera, nëse Shqipëria dhe Libia do të bënin vetë një marrëveshje me Italinë, do të kishin disa prej zonave të cilat i mori Greqia. Prandaj Libia dhe Shqipëria duhet ta kundërshtojnë këtë marrëveshje”.

Kjo intervistë pati një shpërndarje të gjerë në Turqi. Personalisht nuk mund të them nëse deklarata e tij lidhur me zonat që mund të ketë humbur Shqipëria, qëndron ose jo, pasi janë çështje teknike.

Por, shihet qartë se ky tension për ndarjen e zonave detare të Mesdheut do të ketë ndikim edhe në Shqipëri.

Ka një detaj që e bën situatën edhe më interesante. Këtë intervistë, e shpërndau në faqen e tij të Tuiterit, profesori amerikan Ryan Ginger i “Naval Postgraduate School”, të SHBA-së (Shkolla Pasuniversitare Detare e Marinës amerikane).

Ai është një ekspert për Turqinë, Ballkanin dhe Lindjen e Mesme. Krahas njohjes së mirë të turqishtes dhe disa gjuhëve të tjera, punon në shqip dhe në maqedonisht.

Statusi i profesorit Ginger ishte ky:

“Intervista e parë e gjerë e Xhihat Jajxhë. Mes konkluzioneve interesante, është bindja e tij se Shqipëria duhet të ketë një ujdi të përbashkët me Libinë. Nuk jam i sigurt se si do të funksiononte kjo (sidomos nga këndvështrimi i Shqipërisë), por është diçka nga e cila nuk duhen hequr sytë…”.

Me sa duket të gjithë po i mbajnë sytë nga zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe nga Turqia. Dhe kështu ka qenë edhe më parë.

Memorandumi sekret i komunitetit të inteligjencës amerikane, Mosmarrëveshja e Egjeut: një vështrim i ri mbi një problem të vjetër (CIA, Aegean Dispute: a new look at an old problem, NII IIM 84-10005, 5 november 1984) jep të njëjtën problematikë ekzistuese lidhur me Egjeun.

Sipas këtij dokumenti (f. 11), “Zëdhënësit grekë në mënyrë private, nëpër takime, deklaronin se nuk kishte plan që Greqia të zgjeronte ujërat territoriale nga 6 në 12 milje, veçse Greqia e kishte këtë të drejtë nga Konventa e 1982. Por, nëse Greqia do të zgjeronte ujërat territoriale në 12 milje në Egje, do të lindte nevoja e skicimit të ngushticave ndërkombëtare, pasi të gjitha ngushticat nga Mesdheu në Dardanele do të mbuloheshin nga ujërat greke, duke e kthyer Egjeun në një “liqen grek”.

Ky ishte një shqetësim për SHBA-në, ish-BRSS dhe Turqinë. Greqia pretendonte në të shkuarën të njëjtat të drejta që kishin shtetet arkipelagë, të akorduara përgjithësisht nga “Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit”, (LOS Convention, 1982). Gjatë diskutimeve të LOS-it Greqia nuk arriti ta fitonte këtë njohje. Pas nënshkrimit të konventës ajo vuri kusht duke pretenduar që t’i zgjidhte ajo se cilat do të ishin ngushticat mes ishujve për kalime transit e cilat jo.

SHBA-ja nuk e pranoi kërkesën e Greqisë për këtë të drejtë”.

Sot janë rikthyer përsëri tensionet e “problemit të vjetër” edhe pse bota ka një rend të ri.

Ngjan se ka një interes të shtuar edhe nga media ruse për deklaratat e admiralit Jajxhë dhe për doktrinën “Atdheu blu”.