Astrit Beci dorëzoi çelësat, por jo dosjet dhe vulat e skandalit të ilaçeve

542
Investigimi i gazetës “Telegraf”, lidhur me skandalin e rimbursimit fiktiv të ilaçeve me receta false, ka nisur që në muajin janar 2015, kur burime nga ISKSH dhe shërbimi farmaceutik na informuan, se në tregun shqiptar të rimbursimit të ilaçeve, po vepronte prej vitesh një rrjet hajdutësh të fondeve të rimbursimit të ilaçeve, i cili kishte për skenaristë, aktorë dhe përfitues të miliardave, zyrtarë të lartë të ISKSH, të Ministrisë së Shëndetësisë, deputetë dhe sekserë të tyre, të emëruar në poste drejtuese në sektorin farmaceutik. U desh kontrolli i bërë nga Zyra Ani-Korrupsion në Kryeministri, që skandali të zbulohej e të denoncoj publikisht, paçka se edhe ky raport, nuk është hartuar me faktet dhe autorët real të këtij skandali, të cilat janë shtetarë dhe të afërm e familjarë të shtetarëve, pronarë të 193 farmacive në 9 qarqet e vendit, nëpërmjet të cilave kryhej aktiviteti “lavatriçe” i rimbursimit fallco të ilaçeve, duke përdorur receta fallco, të plotësuar me firma e vula fallco, prej bandës së rimbursimit të ilaçeve. Tashmë skandali është në tavolinën e drejtësisë. Por çfarë po ndodh me skandalin e ilaçeve? Në qeli, janë vetëm 2 persona, konkretisht drejtori rajonal i Fondit të ISKSH Pjerin Xhuvani dhe 1 administrator i 4 farmacive, i cili ka pranuar krimin me rimbursimin fals të ilaçeve. 
Tre ditë më parë dha dorëheqjen nga posti, Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të ISKSH zoti Astrit Beci, pa deklaruar asnjë shpjegim se përse u largua nga detyra! Që ikja e tij ka lidhje me skandalin e rimbursimit të ilaçeve kjo dihet. Dihet edhe që ky drejtor është emëruar në krye të ISKSH, me “veto klienteliste” nga deputeti i Shkodrës Tom Doshi, pronar i ndërmarrjes shqiptare të prodhimit të ilaçeve “Profarma”. Sipas burimeve konfidenciale nga organi i akuzës që po heton skandalin e ilaçeve, flitet se me skandalin e ilaçeve ka lidhje edhe “Telenovela Doshi”, me gjoja skenarë antentatesh ndaj deputetëve Doshi e Fufi, gjoja “të inskenuara e të paguara” nga shtetarë të lartë shqiptara, telenovela të cilat brenda pakë ditësh rezultuan “tollumbace” të shfryra! Flitet për betejë me tregun e ilaçeve prodhim vendas e të importit dhe me marrjen e kontrollit të “monopolit” të rimbursimit fals të tyre, aktivitet që siç rezultoi e kontorllonin “duar” të tjera! 
Ajo që mund të thuhet me saktësi është fakti, që drejtori i Fondit të ISKSH u vendos në atë detyrë me klientelizëm nga deputeti Doshi, ndërsa nwndrejtori Skuarj u vendos në atë detyrë me “shoqëri” nga deputeti Balla. Tashmë drejtori Beci ka ikur “vullnetarisht” nga detyra. Ndërsa nwndrejtori Skuraj që është kapur me “presh në dorë” (me farmaci pronë e familjes së tij që bënë rimbursime fallco), jo vetëm vazhdon të jetë në atë detyrë, por nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, pas dorëheqjes së drejtorit Astrit Beci, i është besuar edhe drejtimi i ISKSH! Dihet gjithashtu, që drejtori Astrit Beci, nuk ka pranuar të bashkëpunoj me drejtësinë, për të dhënë provat konkrete shkresore të krimit të rimbursimit të ilaçeve, që bëhej prej zëvendësit të tij Skuraj dhe legalizohej me vula, firma, kontrata, licenca, leje false e çeqe financiare që lëshoheshin fiktivisht prej zyrtarëve që drejtoheshin prej tij e që natyrisht çdo “letër” ciklohej përfundimisht prej tij. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, mësohet se drejtori i Fondit të ISKSH zoti Beci, fill pas plasjes së skandalit, ka “punuar” intensivisht për të zhdukur gjurmët e këtij skandali të rëndë shtetëror e financiar, që ka si përmbajtje krimin e vjedhjes së fondeve publike, nëpërmjet një grupi që kishte krijuar një rrjet farmacish fantazma e reale, të cilat ishin përzgjedhur dhe përdoreshin si “lavatriçe” të rimbursimit fiktiv të ilaçeve. Skandali është thelluar me faktin që na konfirmuan dje burime nga organi i hetimit, lidhur me faktin që janë zhdukur edhe vulat me të cilat janë firmosur recetat fallco. Janë zhdukur edhe urdhrat që jepeshin prej drejtorit e nwndrejtorit të përgjithshëm të Fondit të ISKSH e atij rajonal, për të lejuar rimbursim të përqendruar (volum recetash fiktive) në 12 farmacitë provën familjare të nwdrejtorit Skuraj dhe në193 farmacitë e përzgjedhura prej tyre, ku realizohej ky krim, 80% e të cilave, sipas burimeve nga organi i akuzës është zbuluar se janë pronë e disa shtetarëve. 
Deklarimi i Ministrit Beqja për ilaçet e rimbursuara dhe një realitet që ka lidhje me prodhuesin “Profarma”
•Në vitin 2010, rezultonin të regjistruara 3418 barna.
•Në vitin 2011, rezultonin të regjistruara 3815 barna, ose 400 më shumë.
•Në vitin 2014, rezultojnë të regjistruara 3855 barna ose vetëm 30 më shumë se në vitin 2011.
Gjithë lufta kundër monopoleve dhe korrupsionit që mbante peng QKKB, reduktohet në 30 barna më shumë të regjistruara nga viti 2011, kur vetëm për një vit (2010-2011), janë regjistruar 400 barna! Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2014, janë regjistruar vetëm 52 barna në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2011 kur janë regjistruar 200. (Sipas të dhënave të regjistrit të barnave botuar nga vetë QKKB në faqen e saj) Ky është rezultati i QKKB për të cilën doli vetë Ministri në konferencë për shtyp duke e lavdëruar. Ministri Beqja, tha se “janë bërë kontrolle të rrepta ndaj barnave të regjistruara në kundërshtim me ligjin gjatë vitit 2013”. Ju kujtohet rasti, që ministri e përmendte çdo herë që dilte në televizion, për ilaçin që ishte regjistruar vetëm në 8 orë punë? Nga kontrolli që i bëri QKKB këtij bari, (kontroll për të cilin u bllokua importi i 1,3 milion eurove në mënyrë që QKKB “të punonte e qetë”), doli se dosja për regjistrim ishte krejt në rregull. 
Bari në fakt, rezulton i regjistruar rregullisht në listën e vitit 2014. Bllokimi i atij ilaçi dhe i shumë të tjerëve, ishte fillimi skenarit, në mënyrë që të bllokoheshin importet. I vetmi që fitoi, ishte prodhuesi “Profarma” (Doshi). 
Ja çmimet e disa ilaçeve të prodhuara nga “Profarma”, futur me 100% rimbursim në vitet 2013- 2014
Ilaçet që pasqyrohen në tabelën që po publikojmë, janë ilaçe prodhime të “Profarma”, të futura në listat e ilaçeve me rimbursim, si “alternativa të para”, pra ato me çmime gjoja më të lira, të cilat i rimburson 100% shteti. (Janë të dhëna, të marra nga faqja online zyrtare e ISKSH, për vitet 2013-2014). Çudia është se çmimet e vitit 2014 për ilaçet prodhim “Profarma” që janë me rimbursim, në krahasim me vitin 2013 janë rritur me 80%-110%! Çudia është se shteti shqiptar nuk lejon rritje çmimesh për ilaçet e importit, ndërsa lejon dyfishim çmimesh për ilaçet që prodhon dhe tregëton “Profarma”. Nëse psh., në vitin 2013 prodhuesit “Profarma” i rimbursoheshin 27 barna (27 klikime), në vitin 2014 e në vazhdim i janë rimbursuar 94 barna (94 klikime) ose 3.5 herë më shumë si lloje ilaçesh, natyrisht edhe si sasi. Dhe nuk është rastësi p.sh., që edhe Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave është emëruar në këtë detyrë po nga… Tom Doshi, personazhi që ka qenë me detyrë shef regjistrimi i ilaçeve dhe që u akuza se shiti mostrat e ilaçeve! Nuk është as rastësi, që edhe bashkëshortja e këtij drejtori, punon ende si “shefe” e depos së shpërndarjes të ilaçeve tek “Profarma”! 
Emri i barit Cmimi 2013 Cmimi 2014
Amantadin 100mg 15,2lek/tableti 22,8lek/tableti (50% rritje)
Digoksinë 250mcg 16,8 lek/tableti 26,1lek/tableti (55%rritje)
Eufillin 100mg 4,4lek/tableti 10,7lek/tableti (143% rritje)
Furosemid 40mg 6,1lek/tableti 9,4lek/tableti (54%rritje)
Propiltiouracil 50mg 5,3lek/tableti 9,4lek/tableti (77% rritje)
Sigal