Asije Hoxha: Programet e hartuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit degraduan tekstet shkollore

471
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Sa e kanë dëmtuar  nivelin e njohurive të nxënësve dhe kualifikimin e mësuesve; udhëzimet, programet mësimore dhe kontrollet në zhvillimin mbi baza shkencore-metodike të arsimit parauniversitar etj

Në arsimin parauniversitar nxënësit nëpërmjet teksteve shkollore :-kultivojnë identitetin vetjak dhe kombëtar. Zhvillojnë aftësitë e tyre intelektuale, etike, fizike, sociale,  shkencore dhe estetike. Aftësohen për vazhdimësinë e të mësuarit, sipas talentit të shfaqur në lëndë të ndryshme. Një tekst që t’i përgjigjet këtyre objektivave realizohet  vetëm me një program mësimor me baza shkencore-metodologjike.

Sa i kanë shërbyer zhvillimit dhe përsosjes së arsimit, ose më saktë : Sa e kanë dëmtuar  nivelin e njohurive të nxënësve dhe kualifikimin e mësuesve: Udhëzimet, Programet mësimore, Testet vjetore ,Testet shtetërore, Kualifikimet, Emërimet, Kontrollet në zhvillimin mbi baza shkencore-metodike të arsimit parauniversitar etj?

Për të vlerësuar punën metodiko-shkencore analizojmë programet e gjuhës shqipe për arsimin 9-vjeçar.

KRAHASOJMË:

 Para viteve 90

Në kohën e diktaturës Ministria e Arsimit dhe Kulturës punën metodike-shkencore kualifikuese-udhëzuese në arsimin parauniversitar e realizonte  me: 1. “ Instituti i Studimeve Pedagogjike”,  që si detyrë parësore kishte përgatitjen e librave metodikë në ndihmë të procesit mësimor si: “Revista pedagogjike”,  “Gjuha dhe letërsia” , “Gjuha shqipe”, “Matematika”,  “Fizika” etj:  2. “Shtëpia Botuese e Librit Shkollor”, që si detyrë parësore kishte përgatitjen dhe botimin e teksteve shkollore të arsimit parauniversitar.

 Sot  :

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe më pas emërtimi Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në varësi të saj ka ngritur disa institute dhe  qendra arsimore  si: IZHA ( Instituti i Zhvillimit të Arsimit) ,QKP ( Qendra Kombëtare e Provimeve ), QSHA ( Qëndra e Shërbimeve Arsimore),  etj: së fundmi lexojmë emërtime të reja: ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar),  AKKSHI (Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit), AKR (Agjencia Kombëtare e Rinisë) etj. Gjithashtu shumë shtëpi botuese u morën me përgatitjen e teksteve të reja shkollore .

IZHA (Instituti i Zhvillimit të Arsimit) si rol parësor  ka përgatitjen e programeve mësimore shkollore. Reforma e parë e arsimit në demokraci,  2004-2012, filloi me përgatitjen dhe botimin  e teksteve  alternative për lëndë/ klasë e ashtuquajtura “Altertekst”duke u mbështetur në programet e përgatitura nga ky Institut. Reforma e dytë 2014-2018  me pretendimin e se tekstet alternative janë të dobëta dhe me një numër të pakufizuar alternativash: u ngarkua përsëri IZHA të hartojë programe të reja “cilësore” dhe me “baza shkencore” . U zhvilluan disa mbledhje nga ky Institut me mësues dhe specialistë, por asnjë nga problemet shqetësuese dhe të përsëritura që nga viti 2005  nuk u pasqyruan në programet e reja mësimore. Përsëri nuk kemi një platformë kombëtare  në hartimin e programeve.  Shembull.: Me argumente që nga viti 2005 mësuesit e gjuhës shqipe  kanë ngritur : Ndarjen e gjuhës shqipe nga leximi letrar: Kemi një gërshetim të 10 linjave dhe nënlinjave brenda një teksti,- shprehen mësuesit. Linjat: 1 Të dëgjuarit, 2 Të folurit, 3. Të lexuarit, 4. Të shkruarit, 5 Njohuri rreth gjuhës me nënlinjat: a.  sintaksë, b.  morfologji, c.  fjalëformim, d.  kulturë gjuhësore, e.  leksikologji,  f. Drejtshkrim: Renditjen në tekstet e gjuhës të  njohurive gjuhësore sintaksore para njohurive gjuhësore morfologjike. Nxënësit e kanë të vështirë të kuptojnë kryefjalën në analizën sintaksore pa njohur emrin si kategori gramatikore në morfologji (rasa, trajta, numri, gjinia ).  Edhe Akademia e Shkencave boton tekstet normative të veçanta :- Gramatika e Gjuhës Shqipe 1, (Morfologjia). Gramatika e Gjuhës Shqipe 2, (Sintaksa).

 

B.- Në programet e gjuhës shqipe në emër të risisë hartuesit kanë realizuar  programe  siç thotë një shprehje popullore “Lesh e li”. A i ka parë ndonjë psikolog  këto programe, sepse niveli i njohurive, shkathtësive, kuptimi dhe përvetësimi i tyre duhet të jenë në përputhje me moshën e nxënësve sipas klasës ndjekëse? A i kanë parë specialistët dhe akademikët që udhëzimet me karakter përgjithësues zenë një vend të rëndësishëm në program (30 faqe), dhe vetëm në 5 faqe në mënyrë të përmbledhur përmban udhëzime formuese gjuhësore –letrar? A i ka lexuar dhe kuptuar  komisioni miratues që hartuesit e programeve kanë vendosur pa asnjë ndryshim: me pikë dhe me presje nga klasa e parë deri në klasën e nëntë të arsimit 9-vjeçar  të gjitha kapitujt udhëzues me të njëjtën përmbajtje? Si: “1. Hyrje. 2. Korniza konceptuale e programit të gjuhës shqipe. 3. Qëllimet e arsimit parauniversitar. 4. Qëllimet e programit të gjuhës shqipe. 5. Lidhja e kompetencave kyçe me kompetencat e lëndës. 6. Lidhja e gjuhës shqipe me temat ndërkurikulare. 7. Lidhja e gjuhës shqipe me fushat e tjera të të nxënit.  8. Përshkrimi i kompetencave të fushës.  9. Qëllimet e shkallës së parë dhe në vazhdim (ndryshon vetëm numri i shkallës) 10. Përmbajtja e shkallës së parë dhe në vazhdim. 11. Udhëzime metodologjike. 12. Udhëzime për vlerësimin. 13 Materiale dhe burime mësimore”. Sa funksionale janë këto udhëzime?: Shembull.: Cilit autor të teksteve shkollore për lëndën e gjuhës i shërben kapitulli i 13? ku lexojmë në të gjitha programet nga klasa e parë deri në klasën e nëntë  të njëjtin paragraf: Për arritjen e kompetencave në fushën: Gjuhët dhe komunikimi është i rëndësishëm përdorimi i mjeteve dhe i materialeve të shumta mësimore.Tekstet mësimore nuk duhet të jenë burimi i vetëm për marrjen e informacionit. Në procesin e të nxënit duhen përdorur materiale nga interneti, libra nga biblioteka e shkollës, fletë pune, udhëzues të ndryshëm” !

Në këtë kapitull ka një mungesë totale të literaturës rekomanduese ku do të mbështeten autorët e teksteve në ndërtimin e çdo teksti për lëndë/klasë! Akademia e Shkencave ka miratuar libra standardë për gjuhën shqipe dhe janë botuar : Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe 1972; Drejtshkrimi i gjuhës shqipe 1973; Gjuha letrare shqipe për të gjithë 1976; Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe 1976-1983; Gramatika e gjuhës shqipe I, II, e ripunuar 2002; Rregullat e pikësimit në gjuhën shqipe 2002; Fjalor i shqipes së sotme 2003; Konferenca shkencore  “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” 2002 etj. Edhe për një kumtesë gjuhësore çdo autor rendit literaturën ku është mbështetur në argumentimin e studimit të tij dhe jo më të ndërtosh një tekst standard kombëtar pa u mbështetur në një literaturë standarde udhëzuar nga IZHA! Edhe në programet mësimore alternative 2004-2012 mungon kjo literaturë orientuese, e cila duhet të jetë e detyrueshme për të gjithë autorët e teksteve. Nëse do të ndërtohej programi mbi bazën e kësaj literature nuk do të lexonim në program dhe në tekste “grupi emëror” dhe “grupi foljor”, por togfjalësh emëror dhe togfjalësh foljor:  “ tekste letrare” dhe  “ joletrare”, por lloje letrare dhe lloje letrare-shkencore dhe publicistika. Pasqyrë e mangësive standarde të njohurive gjuhësore dhe letrare shfaqen qartë në mësimet e gjuhës shqipe transmetuar edhe në RTSh në emisionin “Shkolla”. Në këto emisione mësuesi duke u mbështetur në tekstet në përdorim shpjegon edhe kështu: Teksti rrëfimtar letrar ka mision estetik mbi të pavërteta. Teksti rrëfimtar joletrar ka mision mbi fakte…

1. Programet e gjuhës shqipe krahas paqartësisë dhe pasaktësisë në shtjellimin e orientimeve dhe udhëzimeve të përgjithshme, kanë edhe një konceptim jo shkencor-metodik për çdo kompetencë. Në programet deri në vitin 2012 kemi orientimin për ta ndërtuar tekstin mbi bazën e katër kompetencave të lëndës: Të dëgjuarit dhe të folurit; Të lexuarit; Të shkruarit; Njohuri për gjuhën. Ndërsa programet e reja 2014-2018 udhëzojnë ndërtimin e tekstit mbi bazën e 5 kompetencave të lëndës duke ndarë kompetencën Të dëgjuarit dhe Të folurit. Sipas kësaj ndarje ora e mësimit duhet të ndërtohet vetëm me të dëgjuarit ose vetëm me të folurit, gjë që është e pamundur të arrihen objektivat për temën mësimore!

Temat mësimore vendosur në program nuk përcaktojnë se cilat njohuri duhet të mësojë nxënësi tek një kategori gramatikore. Shembull: Në  “Gjuha shqipe 6 ”2015, lexojmë :- Zgjedhimi i foljeve në mënyrën dëftore dhe kohët e saj; në mënyrën lidhore dhe kohët e saj. Udhëzimi nuk përcakton se cili zgjedhim do të mësohet! (Zgjedhimi në gjuhën shqipe është dy llojesh; vepror dhe jo vepror). Mbas zhvillimit të konkursit në portalin e IZHA, ky gabim korrigjohet. Po çfarë vlere ka, kur tekstet fituese janë shpërndarë nëpër shkolla? Ndërsa në “Gjuha shqipe 7” 2017  lexojmë : -Zgjedhimi i foljeve në mënyrën dëftore dhe lidhore, forma joveprore;-Zgjedhimi i foljeve në mënyrën kushtore dhe kohët e saj, në mënyrën habitore dhe kohët e saj, në mënyrën dëshirore dhe kohët e saj, në mënyrën urdhërore dhe kohët e saj nuk jepet asnjë udhëzim se në cilën formë foljore do të zgjedhohen: ( në formën veprore,  pësore apo në të dy format?)   Në “Gjuha shqipe 3” 2017 lexojmë temat mësimore:- Fjalitë mohore dhe pohore. Fjalitë dëftore dhe pyetëse. Në orën e mësimit mësuesja shpjegon :- Fjalia pohore shpreh një pohim për diçka. Në orën tjetër të mësimit mësuesja shpjegon:- Fjalia dëftore dëfton për diçka. A mund të dallojë nxënësi në klasën e tretë të arsimit fillor kur fjalia është dëftore dhe, kur ajo është edhe pohore? Në librin Gramatika e Gjuhës Shqipe 2 (fq149 ) lexojmë: “ Të gjitha llojet strukturore e funksionale të fjalive, sipas raportit të thënies me realitetin dhe formën përkatëse të shprehjes së tij, mund të jenë pohore. ”

1. Në programet e reja janë shtuar “Kompetencat kyçe” me kërkesa të shumta që zbehin kuptimin përmbajtësor të  kompetencave të lëndës.

2. Si risi janë shtuar 7 kompetenca kyçe, ku lexojmë: Kompetenca e komunikimit dhe të shprehurit; Kompetenca digjitale; Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin…? Sa të kuptueshme janë për nxënësit e klasës së dytë të ciklit të ulët fillor Kompetenca për sipërmarrjen ? Ose në klasën e tetë vetëm në Kompetencën e lëndës: -“Të dëgjuarit” renditen 28 udhëzime përgjithësuese ku duhet të përqendrohet autori dhe vetëm për 8 orë mësimore të programuar për këtë kompetencë.

3. Programet u hartuan me një “ konceptim të ri”; Brenda një  programi  janë vendosur disa programe për lëndë/ klasë , që emërtohen në shkallë. Shembull.: Lexojmë: -Programi Gjuhë shqipe, 2014Shkalla I, ( klasa përgatitore,klasa e parë dhe e dytë); Program  Gjuhë shqipe 2015- Shkalla I – II, (Klasa përgatitore, klasa e parë, e dytë, e tretë), Programi Gjuhë shqipe 2016Shkalla I-II, ( Klasa përgatitore,klasa e parë, e dytë, e tretë). Kujt i shërbejnë këto programe të bashkuarabrenda një programi ? Kur: për klasën përgatitore dhe për klasën e parë, Abetare, vendosur në tri vite deri tani nuk është zhvilluar asnjë konkurs!

A do të hartohet një platformë kombëtare për tekstet shkollore? A do të…  nuk mbarojnë  për tekstet shkollore ndërtuar mbi bazën e programeve të një niveli nën mesataren!

Dy reformat për tekstet e gjuhës shqipe çoroditën jo vetëm mësuesit e gjuhës, por edhe nxënësit në marrjen e njohurive jo standarte në këtë lëndë si rezultat i hartimit të programeve mësimore:

1.Pa një platformë kombëtare të studiuar nga grupe specialistësh, dhe të diskutuar dhe konsultuar me grupet e interesit, që janë mësuesit;

2.Pa një bibliografi shkencore standarde ku autorët të orientohen në hartimin e tekstit standard;

3. Komisioni  u dakortësua  që ndërtimi metodologjik tradicional  me dy tekste: “Gjuha shqipe” dhe  “Lexim letrar” të alternohen në një tekst të vetëm  me emërtimin “Gjuha shqipe”. 

4. Tekstet u mbushën me dhënien e njohurive të shumta, në fushën e kompetencave :  “ Të dëgjuarit dhe Të folurit, Të lexuarit, Të shkruarit, Njohuri për gjuhën”. Qëllimi kryesor metodik ishte alternimi i katër kompetencave, por, në asnjë tekst nuk u arrit alternimi i tyre. Kompetencat e fushës në faqet e librit qëndronin të shkëputura nga njëra– tjetra.

5. Në program u vendosën tema gjuhësore të vështira dhe të pakuptueshme për moshën e nxënësve.  Shembull: “Të dallojë përcaktorin brenda grupit emëror”, “Të përdorë rrethanorin si plotës të grupit emëror”

6. Reforma me tekstet shkollore të gjuhës shqipe dështoi, sepse nuk përcaktoi se cila do të ishte strategjia e arsimit për të ardhmen (prioritetet, afatet)? Cilat do të ishin drejtimet kryesore në realizimin e programeve dhe teksteve shkolloretë që do të përfshiheshin në këtë reformë? Pse ishte i domosdoshëm ky ndryshim ? Etj.

7. Tekstet e reja të gjuhës shqipe u shoqëruan me vërejtje thelbësore të mësuesve, të cilat, asnjëherë nuk u bënë objekt i një diskutimi masiv dhe korrigjimi në programet  dhe tekstet mësimore.

Përsëritja e temave mësimore “peshqesh i programeve” të pastudiuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit

Hartimi i programit për lëndë/klasë shërben për të krijuar një tekst me  njohuri, që duhet të mësojnë dhe zotërojnë  nxënësit. Hartimi i kujdesshëm i programit (nga klasa e parë deri në klasën e nëntë) do t’i ndihmojë hartuesit për të siguruar koherencën dhe për të shmangur ngarkesën e panevojshme me tema të përsëritura nga një vit në një vit tjetër shkollor.

Profesor Shezai Rrokaj, autor edhe i teksteve shkollore të gjuhës shqipe, shprehet se: tekstet janë të mbingarkuar me tema përsëritëse, por autorët do t’i vendosin, sepse duhet të zbatojnë udhëzimet e programeve shtetërore.

Programet e gjuhës shqipe për arsimin 9-vjeçar përgatitur  nga IZHA dhe miratuar nga MASH, dhe MASR vuajnë nga përsëritja e temave mësimore. Përsëritja e temave ka ardhur  nga mungesa e një platforme  studimore –metodiko-shkencore për njohuritë  gjuhësore dhe artistike që duhet të marrë nxënësi sipas viteve shkollore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Shembull:-Për pjesën e ligjëratës:  “ Emri” zhvillohen  tema mësimore gjatë shtatë viteve shkollore:

Klasa III: Çfarë emërton emri, lakimi i emrave sipas rasave, emrat e gjinisë mashkullore dhe femërore sipas mbaresave të tyre, emrat në numrin njëjës dhe në numrin shumës.

Klasa IV: Emër i përveçëm, emër i përgjithshëm, numri, trajta, gjinia, rasa, lakimi i emrave. Klasa V : Emër konkret dhe abstrakt; klasifikimi i emrave sipas lakimit.

Klasa VI : Emri dhe kategoritë e  tij gramatikore, gjinia asnjanëse, shumësi i emrave, kuptimet e rasave.

Klasa VII : Lakimi i emrit; emra të dygjinishëm.

Klasa VIII:  Emra që përdoren vetëm në numrin njëjës.

Klasa IX : Kategoritë gramatikore të emrit, gjinia, rasa, numri, shquarsia.

Shembull:-Për pjesën e ligjëratës:  “ Përemri” zhvillohen  tema mësimore gjatë pesë viteve shkollore: Gjashtë përemra vetorë janë; unë, ti, ai-ajo, ne, ju, ata-ato.  Pse duhet që në tri vite shkollorë klasat II, III, IV të përsëriten ato? Dhe për trajtat e shkurtra dhe të bashkuara të zhvillohen në klasë V dhe VI! Pra, pesë vite shkollore  për gjashtë përemra!

Shembull tjetër, kapitulli: Leksikologji dhe Semantikë.

Klasa II Sinonimet, fjalë me kuptim të afërt ose të njëjtë. Antonimet fjalë me kuptim

të kundërt.

Klasa III: Sinonimet dhe antonimet.

Klasa IV : Fjalë sinonime dhe fjalë antonime.

Klasa V : Sinonimet, antonimet, homonimet.

Klasa VII : Llojet e sinonimeve, antonimeve dhe homonimeve.

Sinonimet janë fjalë të gjuhës normative standarde, që i përgjigjen fjalë të gjuhës dialektore. Me njësimin e gjuhës standarde, me lëvizjen e popullatës sinonimet sa vijnë  dhe kanë një përdorim të kufizuar dhe s’ka pse të jenë  temë mësimore në pesë vite shkollore. Sot ndeshemi me fjalë sinonime që janë në bashkëprani me fjalë me prejardhje të huaj si: drejtpërdrejt –live. Si temë mësimore në formën e një diskutimi mund të organizohet me shembuj konkretë në orë mësimi për bashkëpraninë e fjalëve sinonime dhe, anët pozitive dhe negative të përdorimit të tyre.

Shembull.: Edhe në tekstin e klasës së 7,8,9 kemi përsëritje të temës. Ligjërata e drejtë dhe e zhdrejtë. Përsëritja  e kësaj teme në tri vite shkollore pa një kriter të përcaktuar njohurish, ku në një vit shkollor nxënësi mëson vetëm njohuri teorike për ligjëratën e drejtë; në një vit tjetër mëson ligjëratën e drejtë dhe shenjat e pikësimit që përdoren, ndërsa në një vit tjetër shkollor jepet vetëm drejtshkrimi në ligjëratën e drejtë nuk memoralizon njohuri të plota për ligjëratën e drejtë.

Shembull tjetër: Gjithashtu të bie në sy përsëritja e figurave letrare  në tekstet e gjuhës shqipe të arsimit 9-vjeçar. Kjo ka sjellë që gjatë katër viteve shkollore klasa VI, VII,VIII, IX mësohen vetëm 9-figura letrare!

Klasa Vl  krahasimi, epiteti, simboli, hiperbola.

Klasa Vll krahasimi, epiteti, simboli, hiperbola.

Klasa Vlll apostrofi, paralelizmi figurativ , metonimia, vargëzimi

Klasa lX krahasimi, epiteti, apostrofi, paralelizmi figurativ, metafora

Përsëritja e temave ka sjellë që shumë tema gjuhësore të mos vendosen në program. Kështu: Nuk jepet asnjë temë mësimore për marrjen e njohurive rreth Etimologjisë, Toponimisë etj, të cilat janë degë të gjuhësisë, që studiojnë prejardhjen e fjalëve, emrave të vendeve duke u mbështetur në burimin dhe historinë e tyre.

Mësuesit e gjuhës shqipe shprehen se tekstet sot, jo vetëm që ndërtohen me përsëritjen e temave mësimore, por dhe me pakuptimësi në dhënien e njohurive të reja. Shembull.: Klasa 7 “X”. Nga teksti autobiografik “ Endur në tisin e kohës”( V Kokona,( fq 19 ) lexojmë detyrën :- Kërkoni në internet dhe organizoni punën në dy grupe, Vedat Kokona dhe Mit’hat Frashëri. Çfarë i bashkon këto 2 figura të rëndësishme? Mirëpo Mit’hat Frashëri me tregimin “Ay mal” është vendosur, pas tekstit të V Kokonës ( fq 20), ku nxënësit nuk e kanë punuar si temë mësimore! Si duhet t’i udhëzojmë nxënësit për realizimin e detyrës? Edhe në librin e mësuesit shprehen mësuesit ( fq 40), për këtë temë mësimore “Endur në tisin e kohës” lexojmë: -Lidhja e mësimit me temat e mëparshme: Nxënësit të flasin për jetën dhe veprimtarinë e Mit’hat Frashërit në një kohë, kur, M Frashëri akoma nuk është zhvilluar si orë mësimore!

Shembuj të tillë, të cilat çorientojnë marrjen e njohurive të qëndrueshme gjuhësore dhe artistike nga nxënësit i hasim pothuajse në të gjitha tekstet mësimore të gjuhës shqipe.

Përsëritja e temave mësimore  është  metodë jo vetëm në tekstin e gjuhës shqipe,  por edhe të lëndëve të tjera veçori që nuk e hasim as në tekstet shkencore  të përkthyera . Shembull : Në lëndën e fizikës të përkthyer , flasin mësuesit, vetëm në një orë mësimi jepet shpjegimi i busullës, ndërsa në tekstin e fizikës zhvilluar vite më parë kjo temë përsëritet në disa vite shkollore.

Rastet e përsëritjes të tamave janë të pa studiuara dhe të pa argumentuara!

Temat mësimore të përsëritura krijojnë monotoni gjate zhvillimit të orës së mësimit.

Mbase ka ardhur koha që për disa tema mësimore të përsëritura të jepen udhëzime konkrete nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit!