As Covid-19 nuk i ndal, Korça mbetet porta e artë për refugjatët që duan BE-në

297
foto ilustruese
Sigal

Situata e rëndë nga Covid-19, nuk e ka frenuar aspak fluksin e klandestinëve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe që nëpërmjet Shqipërisë synojnë vendet e Bashkimit Europian. Korça është kthyer në ”portën e artë” të refugjatëve. Mëngjesin e sotëm, Policia e Shtetit bëri me dije se në pranga kanë rënë katër persona, pasi u kapën duke transportuar kundrejt fitimit 6 emigrantë të paligjshëm. Bëhet fjalë për L.S, 50 vjeç; R.H, 22 vjeç; A.K, 49 vjeç, banues në Elbasan dhe S.Gj, 35 vjeç, banues në Librazhd.

Shtetasit e mësipërm janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Librazhd, në afërsi të fshatit Dardhas, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me tre automjete, 6 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga verifikimi i dokumentacionit të tyre rezultoi se shtetasit L.S, dhe S.Gj, drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Shumë kapen, shumë të tjerë trafikohen, por pikënisja e aventurës së tyre në Shqipëri mbetet fshati Trestenik në Korçë, aty ku banorët prej kohësh bashkëjetojnë paqësisht me klandestinët. Kufiri juglindor mes Shqipërisë dhe Greqisë është bërë prej kohësh shtegu i shpresës për qindra, në mos mijëra refugjatë që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme për të kaluar drejt vendeve të Europës. Janë të shumta shtigjet të përdorura nga emigrantët, ndërkohë që kufiri është pothuajse i blinduar nga forcat e policisë kufitare dhe FRONTEX-it. Me javë dhe me muaj duke ecur në këmbë mes maleve, ata mbërrijnë në Shqipëri me shpresën për të vijuar me tej.

Në fshatin Trestenik banorët janë mësuar me emigrantët, dhe shprehen se janë paqësorë dhe nuk ngacmojnë, në disa raste kërkojnë ushqim dhe ujë të cilat banorët sipas mundësive ua japin. Në dyqanin e fshatit gjen emigrantë që blejnë njëlloj si banorët e fshatit dhe madje në jo pak raste blejnë edhe me çmime nën kosto. Fluksi i madh i këtyre refugjatëve ka bërë që në Shqipëri të aktivizohen disa individë dhe grupe që tentojnë trafikimin e tyre nëpërmjet territorit shqiptar drejt Malit të Zi apo Kosovës. Janë me dhjetëra e mijëra refugjatë, që janë kapur në tentativë trafikimi, ashtu sikurse janë me dhjetëra edhe shtetasit shqiptarë të arrestuar për këtë aktivitet të paligjshëm.