Zgjerohet skandali
Zgjerohet skandali ushqimor në kompaninë ‘Gjirofarm’. Pas kosit me fekale që hodhi në treg tani një tjetër produkt i rrezikon shëndetin konsumatorëve. Bëhet fjalë për djathin kaçkavall të deles ‘Gjirofarm’. Sipas burimeve te ‘Ora’ Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare ka analizuar djathin kaçkavall të deles ‘Gjirofarm’, i cili ka rezultuar të jetë me vlerë mbi normë të bakterit Escherichia Coli.
Ky bakter shkakton helmim, diarre, dhimbje të forta barku dhe marrje mendsh. Njëkohësisht mund të shkaktojë edhe infeksione në traktin urinar dhe probleme të rënda në frymëmarrje.
Përballë kësaj situate, drejtoresha e AKU Jeta Deda ka zgjedhur të ‘mbyllë gojën’ dhe mos të reagojë.
Ky institucion ka marrë zyrtarisht njoftim që në datën 19 janar 2022 për djathin e deles me problem, por nuk ka bërë asnjë njoftimi zyrtar për konsumatorët. Kjo është faqja zyrtare e AKU dhe njoftimi i fundit është bërë në datën 16 janar 2022.
Edhe pse është në pikëpyetje shëndeti i fëmijëve tanë drejtoresha e AKU zgjedh të mbrojë biznesin duke e fshehur këtë fakt dhe nuk urdhëron tërheqjen e djathit me baktere nga tregu. Ora 2 ditë pasi AKU është vënë në dijeni të situatës ka bërë një vëzhgim në supermarketet e Tiranës ku ka rezultuar se djathi kaçkavall i deles Gjirofarm nuk është tërhequr nga tregu. Gazetarja: Doja djath kaçkavall Gjirofarm.
Edhe pse ligjërisht i gjithë djathi kaçkavall duhet të ishte tërhequr ai vijon te shitet. Duke blerë heshtjen e AKU-së Gjirofarm vijon të shesë djathin që duhet të ishte asgjësuar.
Në këto kushte konsumatorët në mbarë vendin po blejnë sëmundjen me lekë.
Ky produkt tregtohet edhe në marketet e Amerikës, por nuk e dimë ende nëse AKU e ka përcjellë informacionin jashtë kufijve për heqjen nga tregu ose jo?