Artistët “pushtojnë” sot këshillin bashkiak të Tiranës

588
Këshilli bashkiak i Tiranës do të shqyrtojë sot një projekt-vendim që synon të përcaktojë rregullat se si do t’u jepen pronat shtetërore për zhvillim bizneseve private, sipas modelit të Partneritetit Publik-Privat. Një vendim pritet t’i hapë rrugën procedurave për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe që kundërshtohet ashpër nga aktorët dhe artistët. Sindikatat e aktorëve dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë njoftuar se do të jenë sot në mesditë të pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak, ndërsa prej ditës së djeshme ka nisur edhe hartimi i listës së pjesëmarrësve. Një pjesë e aktorëve do të hyjnë si vëzhgues në mbledhje, ndërsa është paralajmëruar edhe një protestë pranë bashkisë së Tiranës. Qeveria ka prezantuar një projekt të saj për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, që parashikon shembjen e asaj ekzistuese. Ndërkohë, pranë godinës së re do të ndërtohen disa kulla. Ndërsa aktorët nga ana e tyre kanë propozuar rehabilitimin e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një holli xhami që do të bashkojë dy pjesët aktuale të teatrit. Dy ditë më parë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i kërkoi ndihmë faktorit ndërkombëtar në Shqipëri. Aleanca zhvilloi takimin e shtatë në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe pas fjalëve të rastit të disa prej përfaqësuesve të artistëve apo qytetarëve pjesëmarrës në të, Alert Çeloaliaj, në emër të Aleancës lexoi një letër të hapur drejtuar disa institucioneve ndërkombëtare në Tiranë si, Delegacioni i Komunitetit Evropian, OSBE, FMN, Banka Botërore e UNESKO. Duke bërë një parashtresë të problematikës, të historisë së saj gati 20-vjeçare, Aleanca rendiste 9 arsyet se përse godina e Teatrit Kombëtar nuk duhet të shembet, si dhe tri kërkesa drejtuar qeverisë shqiptare. “Me anën e kësaj letre, ne kërkojmë që ju të ushtroni trysni pozitive mbi Qeverinë, që ajo të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të sillet siç duhet të sillet Qeveria e një vendi kandidat për anëtarësim në BE”, përfundon letra drejtuar ndërkombëtarëve, që u është dërguar zyrtarisht selive përkatëse.

Detajet e vendimit
Sipas projektvendimit, nëpërmjet modelit të Partneritetit Publik-Privat të zhvillimit të pronave të saj, bashkia thotë se synon që të përfitojë sipërfaqe ndërtimore, për programe sociale dhe ambiente për nevojat e saj. Pikërisht në mbledhjen e sotme, këshilli bashkiak pritet të shqyrtojë vendimin “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”. Modeli është i ngjashëm me marrëdhëniet mes individëve dhe ndërtuesve, ku individët që japin për zhvillim pronat e tyre marrin në këmbim një pjesë të sipërfaqes së ndërtuar, që pritet të luhatet midis 35-50%. Në vendim thuhet se sipërfaqja takuese ndërtimore që do të përfitohet nga Bashkia e Tiranes, në çdo rast duhet t’i referohet përqindjes më të lartë të kontratave të lidhura në zonën perreth, por në çdo rast kjo përqindje nuk mund të jetë me pak se 35 % e sipërfaqes ndërtimore për pjesën takuese që Bashkia Tiranë ka vendosur në dispozicion të zhvilluesit privat. Në rast se prona në pronësi të Bashkisë Tirane është godinë, atëherë Bashkia duhet të përfitojë si rregull të njëjtën sipërfaqe ndërtimore, e cila do t’i vendoset në dispozicion të zhvilluesit privat, por në asnjë rast jo më pak se 50 % të sipërfaqes, në ato raste kur godina është në gjendje të amortizuar. Sipas relacionit, që shoqëron këtë vendim, “struktura urbane e qytetit trashëgon pronësi të tipologjisë urbane historike, të përbërë nga shtëpiza individuale dhe të bashkëlidhura, të vendosura në parcela të çrregullta, të vogla dhe me shumë rrugica aksesi dhe kalimesh këmbësorësh me pronësi publike. Mospërfshirja e parcelave publike të këtij tipi dhe të ngjashme, në zhvillim vështirëson projektimin urban si dhe cenon zhvillimin e një gjuhe urbane të rregullt, nëpërmjet të cilës të mund të projektohen hapësira publike dhe rekreative të domosdoshme për komunitetin. Në kontekstin e planifikimit dhe projektimit është një kusht i domosdoshëm zhvillimi i parcelave publike për transformimin e kryeqytetit në një qytet cilësor dhe të qëndrueshëm bashkëkohor. Në vijim të këtij nocioni, si dhe zhvillimit të koncepteve të planifikimit në të cilat Tirana po avancon, Drejtoria e Planifikimit të Territorit aktualisht i rezervon të drejtat e zhvillimit të parcelave me pronësi publike në strategjitë e detajuara të planifikimit, te cilat nuk kanë arritur të përdoren dhe as të përmirësojnë projektimin urban pasi deri më tani nuk janë përfshirë në zhvillim në politikat e ri-zhvillimit nëpërmjet bashkëpunimeve privat-publik”. “Gjithashtu, përfshirja e parcelave publike në zhvillim është një potencial i pa shfrytëzuar ekonomik për Bashkinë Tiranë, e cila jo vetëm do të mundësojë përmirësimin e transformimit urban të kryeqytetit por do të kontribuoje drejtpërdrejt në përfitimin ekonomik të Bashkisë Tirane nga zhvillimi i aseteve të pashfrytëzuara dhe të papërdorshme në mënyra të tjera, përfitime të tilla si në sipërfaqe ndërtimi, minimalisht në të njëjtën trajte dhe mënyrë si edhe përfitimet që do të jenë nga pronaret e parcelave private kufitare, të dhëna për zhvillim”, vijon relacioni. Bazuar në legjislacionin në fuqi, parashikohen rastet ku mbi pronat me përdorim publik është e mundur të delegohen të drejta zhvillimi proporcionalisht të barabarta me të gjitha pronat private, pjesë të zonave të zhvillimit.
Sigal