Armë dhe municione luftarake, arrestohet 43-vjeçari, pjesë e një grupi kriminal

53
Sigal

Anëtari i një grupi kriminal është arrestuar nga policia në Peqin, pasi iu sekuestrua një arsenal armësh.

Policia thotë se në kuadër të operacionit të koduar “Katërkëndshi” u vu në pranga 43-vjeçari me iniciale I.M.

“Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një 43-vjeçar që posedonte pa leje, në ambientet e biznesit në pronësi të tij, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak, si edhe lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në disa ambiente (pikë inertesh, varrezë makinash, stallë bagëtish) ku si rezultat kanë gjetur të fshehura: 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 armë sportive, municion luftarak, 1 predhë, 1 thikë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 traga automjeti false, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thotë policia.

Më tej, shërbimet e Policisë zbuluan se poseduesi i armëve dhe i sendeve të kundërligjshme, kishte ndërtuar një objekt, pa leje.

Mbi 43-vjeçarin rëndojnë disa vepra penale, si “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Punësimi i paligjshëm”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve”.