Vijon protesta e pedagogëve, sot do të marrin vendimin final për grevën

96
Sigal

Nuk ka kthim pas për pedagogët. Është çështje orësh që ata të futen në grevë urie.

Në pritje të një sinjali nga presidenti i republikës dhe faktori ndërkombëtar, sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë është në nivel diskutimesh për opsionet që mund t’i ndihmojnë për të arritur kërkesat e tyre. Sot, ata do të dalin me një vendim mbi vijimësinë e protestës në kushtet e një mungese përgjigje nga kreu i shtetit mbi grevën e urisë.

Çfarë ndodh në fakultete

Pas gati tri javësh, bojkot të pjesshëm duhet thënë se ditën e djeshme ka pasur disa lëvizje për t’iu rikthyer normalitet. Dhe këtë e tregoi i pari, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, “sythi” prej nga lindi Lëvizja Universitare, e cila u zgjerua me protesta kombëtare përpara Politeknikut.

Nga 90% bojkot të auditorëve dhe vetëm 10% mësim, ditën e djeshme raporti ishte thuajse i përmbysur. Edhe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Gjuhëve të Huaja dhe Ekonomikut numri i sallave bosh ishte shumë i vogël.

Fakultetet e inxhinierive dhe Bujqësorit gjithashtu kanë parë dje më shumë studentë nga 17 tetori, ditën kur nisi mësimi.

Në kushtet kur bojkoti nuk mund të vijojë pafundësisht, Sindikata po shqyrton opsionin e bojkotit një herë në javë, duke u zhvendosur nga sheshi “Nënë Tereza” te Parlamenti. Fakulteti i Shkencave të Natyrës do të operojë me planin fillestar, bojkot të përditshëm 10:00 me 12:00 në oborrin e fakultetit.

Tre javë bojkot

Sido që të shkojë rrjedha e qëndresës së pedagogëve, ky vit akademik nuk ka nisur mirë. Një pjesë e nxënësve nuk kanë nisur farë mësimin në disa lëndë, ndërsa të tjerë kanë përparuar.

Gjatë kësaj kohe, në deklaratat e përditshme, stafi pedagogjik është shprehur se do të plotësojë të gjithë programin mësimor dhe se studentët nuk rrezikojnë semestrin. Më të prapambetur janë studentët e Bujqësorit, Politeknikut, në disa fakultete në Universitetin e Tiranës, si dhe në rrethe.

Nga ana tjetër, mësim i rregullt është zhvilluar në Universitetin e Mjekësisë, Arteve e Sporteve. Përgjatë tri javëve, nuk ka munguar gjuha intimiduese e fyese e Kryeministrit Rama, ndërkohë që ministrja e Arsimit, Evis Kushi, si një ish-pedagoge ka nënvlerësuar punën e tyre. Kauza e nisur për pagat ka shpalosur edhe shumë problematika që çalojnë sot në arsimin e lartë, siç ishte mungesa e një kontrate kolektive, e cila thuhet të jetë gati, si i vetmi fryt i kësaj proteste. Një tjetër rezultat i qëndresës tri javore, ndonëse pedagogët nuk e konsiderojnë, është shtesa e pagave me 7% në të gjitha universitetet dhe me 15% tek ato në Tiranë: Universiteti i Tiranës, Mjekësisë, Politeknikut, Sporteve e së fundmi edhe Bujqësorit.

Ish-ministri, pedagogëve: Kthehuni në auditorë

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka një thirrje për pedagogët që protestojnë dhe kanë kërcënuar me grevë urie. Duke ironizuar gjuhën e Kryeministrit që i cilësoi si të pa fe, Manjani apelon ata që të heshtin dhe të paraqiten në auditorë, aty vidhet çdo gjë. Edhe dinjiteti. “Zonja e zotërinj pedagogë! Kthehuni në auditorë. Bëhuni me fe dhe punoni tek atdheu i hajdutërisë.

Rrogat e ulëta janë pjesë e atdheut ku të gjithë jetojnë me xhepin e tjetrit, me xhepin e hallexhiut. Edhe ju jetoni me xhepin e hallexhiut që të jeni bij të atdheut që ka ndërtuar qeverisja e keqe dhe shumë e keqe. Nuk ju del rroga? S’ka problem. Vidhni edhe ju si gjithë rrogëtarët e atdheut tonë. Feja e shqiptarit tashmë është hajnia (miratuar me VKM kjo fe). Bëhuni edhe ju si gjithë të tjerët. Heshtni.

Vidhni. Shisni provime, diplomat. Bëni siç bëjnë pedagogët e tjerë që kanë fe dhe paraqiten në auditorët e atdheut ku vidhet paraja, nderi, dinjiteti e vullneti. Mbani parasysh se në atdheun e hajnisë, askujt nuk i duhet diploma sot”.

Kërkesat e pedagogëve

Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës

Rritja e financimit për kërkimin shkencor Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmi shëndeti në punë’

Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë

Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare

Rivlerësimi i orës mësimore, pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit.

Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare

Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.

Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.