Ardian Takaj: “E eliminojmë Flamurtarin”

482
Sigal

President i Skënderbeut: “Fitojmë 2-0 në Vlorë dhe shkojmë në finale. Kupa është e jona”

Presidenti i Skënderbeut, Adrian Takaj, u shpreh optimist për kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke deklaruar se ekipi i tij nuk do ta ketë aspak të vështirë të eliminojë Flamurtarin. “Ne jemi në rrugën e duhur në kampionat. Normalisht, edhe Kupa është një nga synimet tona. Nuk mendoj se, shorti na favorizoi pasi të katër ekipet që janë pjesë e gjysmëfinaleve janë të forta”, – tha ai.

 – Zoti Takaj, Skënderbeu do të luajë kundër Flamurtarit, një skuadër me të cilën ka rivalizuar së tepërmi vitet e fundit, por që në kampionat nuk jeni treguar superior. A do të tregoni superioritet në gjysmëfinalet e Kupës?

– Ne jemi në rrugën e duhur në kampionat. Normalisht, edhe Kupa është një nga synimet tona. Nuk mendoj se, shorti na favorizoi pasi të katër ekipet që janë pjesë e gjysmëfinaleve janë të forta.

– A kishit ndonjë preferencë tjetër për rivalin në Kupë?

– Jo, nuk kisha asnjë preferencë tjetër. Ishim përgatitur për këto përballje, por dhe Flamurtari është shumë mirë për ne.

– Katër finale të humbura të Skënderbeut në Kupë. A ka ardhur momenti për ta fituar trofeun?

– Mendoj se, është momenti i duhur. Jam i bindur se, jemi finalistë këtë vit.

– Përballjet me Flamurtarin janë shoqëruar edhe me disa incidente, ndërkohë që, ju vetë keni deklaruar publikisht se, nuk do të shkoni me në Vlorë. A do të jeni për ndeshjen e Kupës?

– Jo, unë për vete nuk do të shkoj në Vlorë, por ekipi po. Do të përballet me Vlorën dhe mendoj se, do ta kalojmë. Kjo ishte dhe preferenca e ekipit. Ne fitojmë 2-0.

– Zoti Takaj, a e konsideroni kampionatin të mbyllur me diferencën e krijuar?

– Matematika e mbyll kampionatin. Gjithsesi, ne jemi në rrugën e duhur. Do ta vazhdojmë garën deri në ndeshjen e fundit.

– Skënderbeu është kampioni në fuqi i vendit dhe lideri i kampionatit. Ka fituar gjithashtu Superkupën, ndërkohë që i mungon Kupa. A është e përgatitur skuadra që të fitojë të gjitha trofetë e mundshëm?

– Besoj se, Skënderbeu është gati të fitojë të gjitha trofetë. Në këtë moment, kemi pesë mungesa shumë të rëndësishme dhe po ia dalim ta përballojmë me shumë sukses kampionatin. Lojtarët që do të rikuperohen do t’i quajmë si blerje të reja, pasi kanë gati dhjetë javë që nuk aktivizohen. Ne jemi drejt përforcimit në ekip.

– Titullin e kaluar e fituat në Kukës, ndërkohë që atë të një viti para tij në Vlorë. Ndeshjen e fundi të këtij sezoni, pra javën e 33-të, do ta mbyllni në qytetin tuaj. A janë gati tifozët korçarë për festën e madhe që i pret, nisur dhe nga ankesat që keni shprehur ndaj saj?

– Personalisht, nuk kam ndonjë vërejtje të madhe ndaj tifozerosë korçare, pasi e gjykoj se është një nga më të mirat në Shqipëri. Është shumë e kulturuar dhe si festohet në Korçë, nuk e përjeton në asnjë stadium tjetër të Shqipërisë. Unë kam vërejtjet e mia, por e kam me tifozët e mi. Nuk është pakënaqësi ndaj tyre. Por, ka të bëjë me faktin se, ne duhet të jemi bashkë, të luftojmë bashkë dhe të vuajmë bashkë, pasi nuk mundet që presidenti të përballojë të gjitha ekipet e Shqipërisë i vetëm.

  BOJKOTON FLAMURTARI

Hedhja dhe orari i shortit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë ishte lajmëruar prej disa ditësh nga zyrtarët e FSHF-së. Por, ndërkohë që të pranishëm ishin presidenti i Skënderbeut, Adrian Takaj, ai i Kukësit, Safet Gjici, si dhe sekretari i klubit Teutës, Edi Salillari, munguan përfaqësuesi i Flamurtarit.

 VESA E SHORTIT

Goglat në shortin e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë i nxori nga vazoja e qelqtë një vajzë e vogël, Vesa gjashtëvjeçare, e bija e recepsionistes së Federatës Shqiptare të Futbollit, Kenës. Nga duart e saj të vogla dolën me radhë emrat e ekipeve që përcaktuan çiftet: Kukësi, Teuta, Flamurtari dhe Skënderbeu.

 GOGLAT E BECIT

Edhe pse ishte lajmëruar që, shortin do ta drejtonte Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, atë e drejtoi zëvendësekretari Besnik Çela. “Për të mos pasur debate dhe ankesa, jo gogla të nxehta jo të ftohta, shortin do ta hedhë një vajzë e vogël”, – tha Beci, i cili punon prej 20 vjetësh në Federatën e Futbollit.

 Fituesit e mëdhenj

 Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste, vetëm Flamurtari dhe Teuta e kanë fituar nga tri herë Kupën e Shqipërisë, ndërkohë që, nëse do ta fitonin, Skënderbeu dhe Kukësi do ta kishin për herë të parë. Më shumë trofe në Kupë kanë Partizani dhe Tirana, të dyja nga 15, por të dy ekipet kryeqytetase nuk ia dolën të shkonin as në çerekfinale.

GJYSMËFINALET

 NDESHJET E PARA

26.03.2014

Kukësi-Teuta

Flamurtari-Skënderbeu

NDESHJET E KTHIMIT

09.04.2014

Teuta-Kukësi

Skënderbeu-Flamurtari

Agim Canaj jep dorëheqjen nga Vllaznia

 Barazimi pa gola të shtunën i Vllaznisë ndaj Besës ka qenë fatal për të ardhmen e Agim Canaj. Ish-trajneri i Dinamos dhe një sërë ekipesh nuk do të jetë më trajner i Vllaznisë. Vlonjati që ka drejtuar atë që nga fillimi i muajit gusht, paraditen e së hënës ka ndërprerë me mirëkuptim kontratën aktuale me klubin. Ai ka patur një takim me kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka, ku u arrit marrëveshja për të ndërprerë bashkëpunimin.

 Besnik Hasi, trajneri i Anderlehtit

 Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Besnik Hasi emërohet trajner i skuadrës së Anderlehtit pas shkarkimit të John van den Brom. Menaxheri i klubit, Herman Van Holsbeeck shprehet se Hasi ishte zgjedhja e duhur pasi ai e njeh gjithë ambientin që e rrethon skuadrën dhe bordi drejtues është i bindur në aftësitë e shqiptarit për të çuar përpara klubin.

Presidenti i Kukësit: “Kupa është objektivi ynë. Bakaj një faktor më shumë në synimet tona”

 Safet Gjici: “E mundim Teutën!”

 Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, preferonte Flamurtarin në gjysmëfinale, por shorti i rezervoi Teutën. Gjithsesi, për bosin e nënkampionëve të Shqipërisë, pavarësisht se skuadra durrsake është për t’u respektuar, Kukësi do të arrijë në finalen e parë në historinë e klubit. Sezonin e kaluar, kuksianët u eliminuan pikërisht në fazë të kompeticionit nga ana e Laçit që fitoi edhe trofeun. “Besoj se, ndeshja me Teutën do të jetë e fortë. Ekipi durrsak është për t’u vlerësuar. Unë besoj se i kemi të gjitha mundësitë, për të shkuar në finale”, – tha Gjici.

 – Zoti Gjici, tashmë e njihni kundërshtarin në gjysmëfinalet e Kupës, Teutën. A jeni i kënaqur nga shorti, apo dëshironit rival tjetër?

– Shorti ishte i drejtë, pavarësisht se jo përherë përkojnë dëshirat me atë që ndodhi sot. Shorti ishte korrekt. Transparent. Ne jemi ekipi pritës në ndeshjen e parë me Teutën. Besoj se, do të jetë një ndeshje e fortë. Ekipi durrsak është për t’u vlerësuar. Unë besoj se i kemi të gjitha mundësitë, për të shkuar në finale.

– Para hedhjes së shortit, pohuat se dëshironit të binit ne Flamurtarin…

– Normalisht që, preferencat janë të tjera, ndërkohë që, shorti është gjë tjetër. Kështu që, nuk dëshiroj ta komentoj më shumë. Me të vërtetë që, unë preferoja Flamurtarin, por dhe Skënderbeu e dëshironte atë, kështu që u ra atyre.

Nisur dhe nga fakti se, llogaritë në kampionat duken tashmë të përfunduara, a është tashmë Kupa objektivi kryesor për Kukësin?

– Në kampionat janë dhe 33 pikë në lojë, kështu që matematikisht nuk është mbyllur asgjë. Por, duke parë diferencën me Skënderbeun dhe Kukësit, duhet të them se objektivi kryesor mbetet për ne Kupa

– Zoti Gjici, është hera e dytë që Kukësi arrin për herë të dytë në gjysmëfinale. Sezonin e kaluar u eliminuat në këtë fazë nga Laçi. A është tashmë i pjekur Kukësi të fitojë trofeun e parë të madh?

– Të gjithë e kanë parë Kukësin sesa i pjekur është me atë që bëri në Ligën e Europës, duke thyer rekordet me kalimin e tureve (tre). Besoj se, Kukësi ka grupin dhe stofin për të fituar trofe, dhe një nga këto është dhe Kupa dhe pse jo në Europë të bëjë ndonjë surprizë më të madhe sesa vitin e kaluar.

– Faktori “Bakaj” a do të jetë një armë më shumë në Kupë?

– Është e vërtetë që, Bakaj është një lojtar me eksperiencë të madhe dhe që bën diferencën në kampionatin shqiptar dhe kam besim se Bakaj do të rregullojë shumë gjëra në repartin e mesfushës.

– Bakaj ka nënshkruar vetëm për dy muaj, apo do të luajë dhe sezonin e ardhshëm?

– Ne kemi bërë një marrëveshje që, ai të luajë edhe ndeshjet në Ligën e Europës, por nëse ai nuk do të ketë oferta nga ekipet e huaja ai do të vazhdojë të luajë edhe sezonin tjetër me ne.

Partizani: Ja e vërteta rreth Bakajt

 Klubi i Partizanit reagoi, në lidhje me akuzat e tifozëve të tij për mossigurimin e shërbimeve të mesfushorit Elis Bakaj, një lojtar i formuar në Akademinë e Partizanit dhe tashmë pjesë e Kukësit. Ish-lojtari i Çernomorets Odesës, i cili u rikthye në kampionatin tonë pas tensioneve politike në Ukrainë, gjeti gjuhën e përbashkët me presidentin Safet Gjici, kishte postuar në rrjetin social “Facebook” edhe arsyet që e çuan atë të firmosë për Kukësin, rivalin kryesor të Partizanit për vendin e dytë dhe rrjedhimisht për një vend në Europë. “Klubi kërkon të sqarojë mbarë opinionin publik për çështjen Elis Bakaj: Nuk është aspak e vërtetë që drejtuesit e klubit kanë qëndruar indiferent ndaj lojtarit, i cili konsiderohet si një prej talenteve më të mirë që ka prodhuar Akademia e Partizanit. Pas kontakteve të shpeshta të Drejtorit Teknik, Genc Tomori, përgjatë gjithë këtyre ditëve, mbrëmjen e së dielës Bakaj ka zhvilluar një takim nën shoqërinë e Tomorit dhe Presidentit Demi. Vetë lojtari pranoi se kishte arritur një paramarrëveshje me drejtuesit e Kukësit, lëvizje, e cila binte në kundërshtim me deklaratat e fundit ku ai ishte prononcuar se klubi i parë që do të niste bisedimet në Shqipëri do të ishte Partizani. Klubi vendosi të respektoje zgjedhjen e Bakajt drejt Kukësit çka ishte dëshira e vet lojtarit. Presidenti Demi ka si parim të mos ndërhyjë në negociatat që kolegët e tjerë president klubesh zhvillojnë me lojtarë që synojnë ti kenë pjesë të ekipeve të tyre”, – thuhej në njoftimin për shtyp të Zyrës së Partizanit. Bakaj, i cili më parë në vendin tonë ka luajtur me Partizanin dhe Dinamon, do të përfitojë 40 mijë euro deri në muajin maj.