Ministria e Drejtësisë ka nisur kërkimet për të plotësuar vendet bosh në sektorin e Antikorrupsionit. Një situatë e vënë në dukje në një raport të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nënvizonte, mes të tjerash, edhe “ngërçin” me mungesën e stafit. Në një njoftim të fundit të saj Ministria e Drejtësisë bëri me dije se është në kërkim të një eksperti lokal dhe të një tjetri ndërkombëtar që do asistojnë këtë dikaster si koordinatore kombëtarë kundër Korrupsionit në zbatimin e objektivit të Strategjisë Antikorrupsion: Forcimi i integritetit të punonjësve publikë duke nënvizuar detyrat dhe profilet që duhet të plotësojë secili prej tyre. Pak javë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të dedikuar ecurisë së strategjisë së Antikorrupsionit theksonte një mori problematikash duke theksuar edhe mungesën e stafit në Ministrinë e Drejtësisë. “Që prej muajit tetor 2017, Ministria e Drejtësisë përballet me staf të reduktuar në tre sektorë të rinj dedikuar Antikorrupsionit. Sektori i Monitorimit, Jetësimit të Prioriteteve dhe Statistikave ka dy specialistë por jo një përgjegjës që të udhëheqë punën e sektorit. Sektori i Programeve në Fushën e Drejtësisë dhe Antikorrupsionit ka një përgjegjës por i mungojnë 2 specialistë për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Sektori i projektit Antikorrupsion duket sektori më i plotë të cilit i mungon vetëm një specialist. Me mungesa kaq të theksuara të stafit fokusuar në Antikorrupsion misioni i KKK në sigurimin e implementimit dhe monitorimit të objektivave specifike dhe atyre madhore të parashikuara në dokumente strategjike është vështirë për t’u arritur” thuhej në raportin e KLSH. Ekspertët që po kërkon sot Ministria e Drejtësisë pritet që të kenë tre detyra kryesore së pari përgatitja e një modeli integriteti për zyrtarët publikë sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Së dyti do të punohet me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera për të hartuar një draft të planeve të integritetit por ky bashkëpunim do të vijoje edhe me ministritë e linjës dhe ato të varësisë. E fundit do të jetë pjesa e trajnimit dhe pilotimi I planeve të integritetit në disa prej ministrive më proaktive si dhe institucione të pavarur( në total 5 prej tyre) në kuadër të masave Antikorrupsion.



















