Ambasadorja e Holandës: Nëse doni BE duhet të keni drejtësi të pavarur

489
Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua në Lezhë tryeza e tretë rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe pedagogë të fushës së drejtësisë të pranishëm në këtë veprimtari. E pranishme në këtë aktivitet ishte ambasadorja e Holandës Dewi De Weerd e cila theksoi se drejtësia e pavarur dhe lufta anti-korrupsionit janë rruga e vetme drejtë BE. “Shqipëria ka perspektivën Europiane, ndaj si partnerë ne mendojmë se është e rëndësishme të punojmë së bashku sa më shumë të mundemi që ju ta arrini atë. E nëse Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së, ne duam që ju të jeni një partner i barabartë me shumicën e vendeve anëtare të BE, me prevalimin e standardeve europiane, demokracinë dhe besimin tek drejtësia. Mendoj se është shumë e qartë që çdo demokraci meriton një drejtësi të pavarur. E për momentin në Shqipëri mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë aspekt. Doja ta theksoja që nuk është e rëndësishme vetëm për njerëzit, por për gjithë shoqërinë shqiptare”, tha Znj. Dewi De Weerd.

Ambasadorja u shpreh se është bërë një punë e mirë për këtë reformë dhe se ka një konsensus dhe frymë të duhur për ta çuar atë përpara. “ Dua të komplimentoj të gjithë ekipin shqiptar së bashku me ekspertët e huaj që kanë bërë një punë të shkëlqyer e voluminoze. Ka një konsensus të gjerë së kjo reformë do të bëjë ndryshimin që është kaq shumë i dëshiruar në këtë vend. Ne jemi tani duke diskutuar amendamentet kushtetuese dhe gjithashtu po kritikojmë disa gjëra që mund të ishin bërë dhe më mirë, por unë mendoj se fakti që ne jemi sot këtu dhe komentet i janë çuar edhe Komisionit të Venecias, do të thotë se ka një përfshirje të madhe të shumë njerëzve të interesuar, ekspertëve, gjykatësve, prokurorëve, e kjo është e shkëlqyer. Ndaj do doja t’ju kërkoja të vazhdoni në këtë aspekt, sepse përfundimi i kësaj reforme duhet të jetë mbështetja në një drejtësi të pavarur që funksionon në një mënyrë transparente”, tha znj. Znj. Dewi De Weerd duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të ndryshohet mentaliteti.
Sigal