Ambasadori i Suedisë, në një tur me biçikletë nëpër Shqipëri

485
Sigal

Nga datat 1-2
Nëntor dhe në vijim gjatë vitit Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Z. Johan
Ndisi, do të udhëtojë nëpër Shqipëri me biçikletë. Gjatë këtyre udhëtimeve, ai
do të vizitojë projektet që mbështeten nga Suedia si dhe do të informohet mbi
progresin në lidhje me reformën administrative dhe atë territoriale.
Gjithashtu, do të vizitojë shkolla për të diskutuar me nxënësit dhe për t’u
takuar me njerëz nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Duke folur për turin me
biçikletë i cili po afron, Ambasadori Ndisi nënvizoi mundësinë për të mësuar më
shumë për Shqipërinë. “Vizita me biçikletë nëpër Shqipëri është një mënyrë e
shkëlqyer për të vizituar pjesë të ndryshme të vendit, për të folur me të
rinjtë dhe njerëzit në përgjithësi. Gjithashtu është një mënyrë që unë të
kuptoj më mirë rezultatet e bashkëpunimit tonë për zhvillim dhe të kuptoj se
çfarë mund të bëjmë më mirë”, u shpreh Ambasadori Ndisi. Po ashtu, ai vuri
theksin tek ecja me biçikletë si një mjet transporti miqësor me ambientin –
duke qenë se ambienti është një nga fushat prioritare të Suedisë për
mbështetje. Ambasadori Ndisi do ta fillojë turin e tij çiklistik më 1 Nëntor në
Shkodër, “qyteti i biçikletave” në Shqipëri. Gjatë vizitës së tij, ai do të
ketë takime në Bashkinë e Shkodrës, policinë vendore, partnered lokalë dhe të
rinjtë. Më datë 2 Nëntor, Ambasadori Ndisi do të udhëtojë drejt Lezhës, ku
vizita do të fokusohet në mbështetjen e Suedisë për një përdorim të qëndrueshëm
të burimeve të tokës në këtë zonë. Në vijim, do të kemi data të tjera. Fushata
mund të ndiqet në mediat sociale nën hashtang-un: #AmbNdisiOnWheels on Facebook
(Ambasadori Johan Ndisi) si dhe në Twitter (@jndisi).