Ambasadori i Japonisë, Sh.T.Z. Takada Mitsuyuki i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

279
Sigal

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në takim Ambasadorin e ri të Japonisë në Tiranë, Sh.T.Z. Takada Mitsuyuki, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Meta e uroi Ambasadorin Mitsuyuki për detyrën dhe e siguroi për mbështetje në përmbushjen me sukses të misionit të Tij në Shqipëri.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se eksperienca e gjerë e z. Mitsuyuki, do të shërbejë, që marrëdhëniet shumë të mira politike ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë të njohin zhvillime të reja, në fushat ekonomike e tregtare, sidomos në rritjen e shkëmbimeve në fushën e turizmit.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohje Ambasadorit të ri të Japonisë për vëmendjen, që Japonia i ka kushtuar marrëdhënieve me Shqipërinë, si dhe për mbështetjen dhe ndihmën e vyer teknike e financiare të dhënë ndër vite, veçanërisht në adresimin e pasojave të tërmetit të nëntorit të kaluar, si dhe për përballimin e pandemisë COVID-19.

Presidenti Meta i përcolli përshëndetjet dhe falenderimet për Perandorin Naruhito dhe për Qeverinë japoneze për mikpritjen e ngrohtë dhe miqësore, që ju rezervua në Japoni, gjatë vizitës me rastin e kurorëzimit të Perandorit të ri të Japonisë, si dhe për takimet e frytshme të zhvilluara atje me Perandorin dhe Kryeministrin.