Aktet kriminale kanë lidhje me politikën

664
Sigal

Forumi/ Opinioni ndahet, shumica e cilëson tritolin si krim të mafies brenda llojit të pushtetit, të tjerë, terrorizëm për shkak të detyrës

Shpërthimet e tritolit në shtëpinë e një drejtuesi të policisë si edhe në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, kanë tronditur shumë, jo vetëm ndjenjën e  sigurisë të qytetarit për jetën dhe pronën e vet, por edhe vetë konceptimin e tyre për raportet e shtetit me krimin. Domethënë, sa vetë shteti është i disponueshëm të luftojë krimin dhe mafien, apo është palë vetë politika me krimin e organizuar. Dje, në Parlamentin tonë u harxhua shumë kohë dhe energji nga ligjbërësit, jo për të bërë analizën e shkaqet e këtij fenomeni, për të gjetur përgjegjësitë, e ca më shumë, që të përçojnë te qytetari mesazhin se ekziston vullneti politik, që strukturat e shtetit do të bëjnë gjithçka që ndjenja e sigurisë për jetën dhe pronën do të jetë e panegociueshme dhe e paprekshme nga krimi dhe mafia. Përkundrazi, politikanët jo vetëm që nuk mundën të gjejnë një gjuhë të përbashkët  kundër krimit, por secila palë akuzonte tjetrën si burimin e krimit. Pavarësisht sa besueshmëri dhe provë politiko-juridike të kenë akuzat që u thanë dje në parlament nga ligjbërësit kundër ligjbërësve, te qytetarët kjo propagandë (që u krye në komedinë “Shumë zhurmë për asgjë”) e rrit edhe më shumë pasigurinë dhe krimit e mafies i jep suport më të madh inkurajimi veprues.

Gazeta “Telegraf”, duke i qëndruar larg kësaj politike shterpë të akuzë-kundër akuzë që u luajt në Parlament nga ligjbërësit, në forumin që organizoi, ngriti shqetësimin e qytetarëve, duke marrë mendimin e politikanëve, juristëve, analistëve dhe drejtues të organizatave shoqërore, duke parashtruar këto pyetje:

– Shpërthimet me tritol te farmacia në Tiranë, para disa ditësh, ju e cilësoni akt terrorist kundër shtetit, për shkak të detyrës, apo është akt mafioz? Përse?

– Tritoli, si edhe dukuri të tjera, sikurse laboratori i kokainës, etj., a mund të dëshmojnë që krimi i organizuar kanë lidhje me politikën?

– Mendoni se SHISH ka përgjegjësi që ende nuk arrin të parandalojë këto akte kriminale?

Spartak Braho, kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë: Tritoli është akt terrorist, SHISH ka vdekur 

Natyrisht, që tritoli i vendosur në pronën e familjes të ministrit të Brendshëm, përbën akt terrorist, pasi qëllimi është të japë mesazhe politike, për shkak të detyrës së ministrit. Opozita është fajtore në këtë gjendje, pasi ajo e ka kultivuar klimën e terrorit dhe të krimit , kur ishte në pushtet. Si deputet i maxhorancës, i bëj thirrje opozitës që së bashku të luftojmë terrorizmin dhe krimin. Maxhoranca po tregon vullnetin e saj politik, duke e luftuar pa kompromis krimin dhe rezultatet janë të dukshme. Por dua të them që SHISH ka vdekur dhe nuk vepron më. Ndaj, është e domosdoshme që reformat duhet të prekin edhe këtë institucion.

 

Ilir Kulla,  analist: Sulmet me eksploziv nuk kanë lidhje me terrorizmin, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me krimin e organizuar

Sulmet me eksploziv nuk kanë lidhje me terrorizmin, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me krimin e organizuar dhe pushtetin, që ky krim ka marrë si dhe me konfliktet e interesave, që i paraprijnë zgjedhjet vendore. Politika i ka dhënë krimit shumë hapësirë nëpër fushata dhe tani po përpiqet t’ia marrë, por forca e shtetit nuk është në mënyrë evidente. Ka rënë dhe besueshmëria, ky nuk është faj vetëm i kësaj qeverie, por i degjenerimit të autoritetit të shtetit në më shumë se 15 vjet. Laboratori i drogës në Elbasan tregoi se krimi në Shqipëri nuk është Gatja i Lazaratit, po është kapur në nivelet më të larta të mundshme të vendit dhe të politikës, paçka se cilit krah i përket. Nuk është përgjegjësi e SHISH, shërbimi i inteligjencës ka detyra të tjera. Këto janë punë të organeve të tjera të Ministrisë së Brendshme. Kjo ka qenë arsyeja pse unë kam përkrahur gjithnjë ndarjen e SHISH në dy sektorë dhe 2 shërbime, shërbimi i jashtëm kundërspiunazh, terrorizëm, spiunazh dhe shërbimi i brendshëm inteligjence antikrim dhe kundërkorrupsionit

Av. Idajet Beqiri, kryetari i PUK-ut : Janë akte të pastra terroriste, tritoli është politika e Berishës

 Janë akte të pastra terroriste. I plotësojnë të gjithë elementët e kësaj vepre penale. Gjatë këtyre 24 vjetëve jetë pluraliste në Shqipëri, sa herë ka pasur zgjedhje politike apo vendore në këtë vend, madje edhe zgjedhje të parakohshme në një komunë të vetme, fushatave elektorale u ka paraprirë “politika e tritolit”, e cila është frymëzimi i akteve terroriste që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin gjatë afro 23 vjetëve në këtë vend. Kjo “politikë tritoli” ka një ideator, ka një autor kryesor, ka një frymëzues të përditshëm. Që nga vrasjet e 2 prillit 1991, e deri te tritoli ndaj supermarketit të VEFA, që nga marsi i 1997, te grusht shteti i 1998, që nga tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, deri te vrasja e gjyqtarit Konomi të Vlorës, që nga vrasjet e 21 janarit 2011, deri te vrasja e bankierit shqiptar Santo e të gjitha tritolet e tjera fill pas ardhjes në pushtet të Aleancës Për Rilindjen e Shqipërisë, deri te këto dy tritolet e fundit, kanë vetëm një “udhëheqës. Ai quhet Sali Berisha. Sa të jetë ferrë nëpër këmbët e Shqipërisë, Berisha, ky politikan i tritolit, vendi nuk do ketë qetësi, populli nuk do të gëzojë dot paqen dhe frytet e saj. E vetmja strategji që di të përdorë Berisha për të mbajtur vendin nën terrorin e tritolit, e vetmja mënyrë për të mbajtur destabilitetin, të cilën shërbimet e fshehta antishqiptare i kanë mësuar Berishës për të sunduar në këtë vend e për t’u rikthyer në pushtet, është pikërisht “politika e tritolit”. Pra këto akte kanë lidhje me politikën e mbrapsht antishqiptare të opozitës së sotme, e cila për hir të së vërtetës nuk është opozitë, por një flamë e vërtetë. Kush do i zbulojë? SHISH i Visho Likës?! Ky SHISH ka “çelësat e kashtës”! “Çelësat” e vërtetë, e mbi të gjitha depot e tritolit dhe terroristët, janë nën komandën e “politikës së tritolit” të Berishës dhe të UDB-së së vjetër dhe të re.

Gazmend Oketa, ish ministër i Brendshëm: Krimi  mund të ketë lidhje me pjesë të politikës dhe me politikanë të caktuar

Akte të tilla duhen cilësuar si akte terroriste, pasi vendosja e lëndëve eksplozive në ambiente publike, kryesisht ka si synim shkaktimin e dëmeve të shumta materiale apo dëme në njerëz, si dhe krijimin e një situate pasigurie tek qytetarët. Pa asnjë hezitim këto akte duhen dënuar dhe është detyrë e cilitdo politikani apo qytetari të mbështesë përpjekjet e policisë për zbardhjen e ngjarjeve të tilla. Sa më shpejt të zbulohen autorët si dhe qëllimi i tyre për kryerjen e këtyre akteve terroriste, aq më të sigurt do të ndjehen të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse kanë apo jo bindje politike. As këto dhe as çështje të tjera nuk mund të dëshmojnë se krimi ka lidhje me politikën. Zbardhja e çdo çështje mund të dëshmojë se krimi mund të ketë lidhje me një pjesë të politikës, apo me politikanë të caktuar, por do të ishte fatale nëse mendohej  dhe besohej se e gjithë politika apo të gjithë politikanët janë të lidhur me krimin. Në politikë sigurisht gjen, ashtu si dhe në shoqëri, karaktere apo profile të ndryshëm politikanësh, disa të lidhur me librin, disa të lidhur me profesionin e tyre, disa të lidhur me kulturën, disa me qytetarët, ashtu siç dhe gjen dhe politikanë të lidhur me injorancën, apo të lidhur me karrigen e pushtetit me çdo kusht, deri në krime edhe shtetërore për shkak të mbajtjes me çdo kusht të karriges dhe përfitimeve ekonomike, gjen politikanë të lidhur me krimin i cili ndihmon për të ardhur në pushtet apo për të mbajtur pushtet, por edhe kjo nuk mundet të vendosë shenjën e barazimit tek e gjithë politika. Nëse e besojmë këtë, atëherë duhet të pranojmë se Shqipëria nuk ka më asnjë shpresë dhe asnjë perspektivë. Nëse bëhen shumë raste për të SHISH nuk ka dijeni, atëherë si atë, ashtu dhe për institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, ka diçka që nuk shkon. Paaftësia është deri diku edhe e falshme, por mungesa e vullnetit për përmbushjen e misionit, apo mungesa e bashkëpunimit me organet e tjera të zbatimit të ligjit, për interesa personale apo politike, është më shumë se e dënueshme. Kur flitet për siguri, duhet ajo të garantohet për të gjithë qytetarët. Dhe ky është një detyrim kushtetues jo vetëm i qeverisë, por edhe i SHISH, i prokurorisë, sistemit të drejtësisë, apo çdo agjencie të ngarkuar për garantimin e saj. Nëse SHISH është agjencia e fundit që merr informacion lidhur me një situatë të caktuar, atëherë funksionimi i kësaj agjencie sigurisht mbulohet me një pikëpyetje të madhe. Për të qenë i balancuar, duhet thënë se deri më tani, jemi njohur nga media me pretendimet e ministrit të brendshëm se drejtuesi i SHISH ka qenë i fundit që është informuar për shpërthimet e fundit në Tiranë, akoma nuk kemi dëgjuar drejtuesin e këtij institucioni lidhur me këto ngjarje, apo ngjarje të tjera.

Muharrem Xhafa: Krimi ka lidhje me politikën

 Padyshim, në vetvete, është akt terrorist e mafioz, po, duke pasur objekt familjen e një ministri, e Ministrit të Brendshëm, është edhe akt terrorist për shkak të detyrës e kundër shtetit. Pa më të voglin dyshim, krimi në tërësi e krimi i organizuar në veçanti, kanë lidhje me politikën, me përfaqësues të saj, me opozitën në radhë të parë dhe me pozitën, me gjithë të quajturit pushtete a organe kushtetuese, të pavarura! SHISH ka përgjegjësi që nuk arrin të parandalojë krimin e organizuar e aktet terroriste (tjetër sa është i lidhur me to), pjesa tjetër u takon policisë, organeve të hetimit dhe gjykatave.

Simon Miraka: Nuk janë akte terroriste. Mund të jenë edhe për shkak të konkurrencës dhe detyrës

Është e vërtetë që ka një ringjallje të krimit këto ditët e fundit. Sipas mendimit tim, ngjarje të tilla sigurisht që do ketë, arsyeja e ringjalljes së krimit vjen nga mosakordimi i tre institucioneve që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë, si SHISH, Prokuroria dhe Ministria e Brendshme. Shkak tjetër, sipas mendimit tim, janë edhe largimet e specialistëve të policisë, sa herë ndërrohen qeveritë. Përgjegjësi ka edhe politika, e cila duhet të jetë e bashkuar kundër krimit. Nuk mendoj që SHISH nuk është i angazhuar në zbulimin e krimit. Shpërthimet që kanë ndodhur, mund të jenë edhe për shkak të konkurrencës dhe për shkak të detyrës. Nuk mendoj që janë veprime terroriste.

Arjan Starova, ish ministër i Jashtëm: Shprehje e pakënaqësisë ndaj Tahirit dhe qeverisë që zbatojnë ligjin jo të barabartë

Mendoj se ndoshta është shprehje e një pakënaqësie ndaj ministrit Tahiri dhe përgjithësisht ndaj qeverisë, për shkak të përpjekjes për ta zbatuar ligjin, jo në mënyrë të barabartë për të gjithë. Argumenti më i fortë për mua është se ajo plasje nuk ishte për të vrarë ndokënd, por për të trembur. Po ashtu, si mund të përligjet një veprim i tillë kriminal, si akt mafioz, kur fjala ishte për një biznes të barnave mjekësore, i cili është për nga natyra e tij vetëm një biznes familjar dhe jo aq i madh, sa të ndezë konflikte mafiozë?! Këtë lidhje le ta bëjë prokuroria, sepse ajo i ka faktet dhe informacionin tjetër të duhur. Fakti që laboratori i drogës në Elbasan, ekzistonte dhe vepronte nën hundën e qeverisë dhe të ministrit Tahiri, është ngarkues me përgjegjësi për institucionet qeveritare, sepse nuk ishin ata që e zbuluan atë, por informacionet nga institucionet përkatës të Gjermanisë. Edhe vrasja e dy vëllezërve nga Elbasani, menjëherë pas zbulimit të laboratorit, në Holandë ,i përforcon dyshimet se ata që e bënë kanë mbështetje të fortë, por edhe informacion në lidhje me shkaqet që e çuan institucionet e drejtësisë gjermane në zbulimin e laboratorit. Unë dhe e them me bindje se në krye të SHISH është një nga njerëzit më të aftë, të përkushtuar dhe me integritet vetjak, siç është zoti Visho Ajazi. Me këtë bindje të palëkundur timen, besoj se ai institucion ka bërë dhe po bën punën më të mirë që mund të bëhet. Dhe nuk duhet të harrojmë se ai institucion është në bashkëpunim shumë të ngushtë me partnerët e tij perëndimorë, çka gjithsesi, nuk e lejon kurrë të gabojë.

 

Kreshnik Spahiu, ish zv/kryetari i KLD: Mesazhe të mafies shqiptare brenda llojit të pushtetit

Aktet terroriste, në konceptin juridik, synojnë shkaktimin e vrasjeve dhe dëmeve masive. Atentatet e kryera në Tirane qartazi nuk synonin shkaktimin e viktimave dhe humbjen e njerëzve. Është e qartë që në thelb këto akte janë mesazhe të mafies shqiptare brenda lloji të pushtetit. Trafiku i drogës dhe lufta për karrige janë të ashpra dhe po kalojnë kufijtë normal të betejës politike. Qeveria insiston që ky ishte një mesazh për ministrin Tahiri në luftë kundër krimit por harrojnë:
a) Kryepolici ka në dorë mekanizmat të provojë pesë të parat dhe të tregoj kush i dërgoi bombat, si mesazh kërcënues.
b) Nëse Ministri nuk vendos gishtin, atëherë ai e mban për (vete) autorësinë.
Mesazhet pa autor realizohen vetëm me vrasje (për të humbur gjurmët). Autorët nuk patën objektiv eliminimin fizik të askujt si dhe vepruan lirshëm në tre kohë të ndryshme. Një organizatë kriminale do koordinonte të tre atentatet në të njëjtën kohë dhe orë, madje nuk do rrezikonin që një orë pas atentatit të pare, të kryenin atentatin e dytë, vetëm një rrugicë larg farmacisë së babait te Tahirit. Le të pranojmë versionin qeveritar…. Nëse mesazhet janë kërcënuese, kanë qëllim që subjekti ta kuptoj kush e kërcënon, përndryshe kërcënimi s’do kish vlerë. Mesazh kërcënues anonim nuk ndodh kurrë, ose, të paktën, do trajtohej çështja nga se duhet të tërhiqej Tahiri. Çdo kush që do e kërcënonte Saimir Tahirin, do kish si qëllim ta zbythte dhe këtë do e arrinte duke ja bërë me dije se është ai dërguesi mesazhit, me qëllim që të realizonte dhe plotësonte presionin. Absolutisht që aktet kriminale kanë lidhje me politikën. Rrënjët e lidhjes mes mafies dhe politikës krijohen gjatë fushatave elektorale. Në fushatën e PS-së u shpenzuan mbi 50 milion euro, shumica e të cilave ishin para të pista nga droga, trafiku, kontrabanda dhe tashmë çdo ministër e ka të pamundur t’i nxjerrë jashtë kufijve këta persona, që komandojnë linjat dhe korridoret e trafikut. SHISH ka qenë dhe është inekzistent në Shqipëri, që do të thotë, nuk ka asnjë rol.

Jakup B. GJOÇA