Kandidatët, afat deri në 25 shkurt për regjistrimin

461
Sigal

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë dhe Ministrisë e Zhvillimit Urban organizojnë konkursin kombëtar: “Arkitektët e rinj për zhvillimin urban”

 Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban, si dhe shkollave të arkitekturës, organizon konkursin kombëtar: “Arkitektët e rinj për zhvillimin urban”. Kjo thirrje e hapur për konkurrim me një fazë, u drejtohet të gjithë arkitektëve të rinj në moshën 21 deri 30 vjeç, që kanë një diplomë në Urbanistikë, Arkitekturë dhe disiplina të lidhura drejtpërdrejt me to. Në rastin e grupeve, udhëheqësi i grupit duhet të ketë një diplomë. Pjesëtarët e tjerë të grupit mund të jenë studentë ose profesionistë nga fusha të ndryshme, brenda grupmoshave të cilësuara më sipër.

Tema e konkursit përfshin projektide dhe propozime inovative të çdo lloji, për promovimin e vlerave urbane dhe arkitektonike të qendrave të banuara në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe nxitjen e veprimtarive turistike në vend.

Vlerësimi i çdo projekti konkurrues do të bëhet mbështetur në kriteret bazë, si më poshtë:

  1. Cili është qëllimi i projektit.
  2. Programi mbi të cilin mbështetet dhe idetë që konkretizon projekti.
  3. Origjinaliteti i propozimit dhe risia që sjell në jetën shoqërore të qytetit.
  4. Aktualiteti, efektshmëria dhe mundësia e realizimit të projektit.
  5. Ndikimi hapësinor dhe mjedisor në strukturën urbane ekzistuese.
  6. Ndikimi ekonomik i pritshëm nga realizimi i projektit.
  7. Grupet përfituese dhe impakti në promovimin e veprimtarive turistike.
  8. Mbështetja në trashëgiminë kulturore, si element themelor i promovimit të turizmit.
  9. Niveli i vlerave arkitektonike dhe estetike i arritur në projekt.

Çmimet

Konkursi do të ketë 6 (gjashtë) çmime që akordohen nga paneli i vlerësuesve:

1 (një) ÇMIM I PARË 200 000 lekë;

2 (dy) ÇMIME TË DYTA 150 000 lekë për secilin;

3 (tre) ÇMIME TË TRETA 100 000 lekë për secilin.

Përjashtohen nga konkurrimi: anëtarët e komisionit të vlerësimit apo familjarë të tyre.

Temat e konkursit

Konkursi përqendrohet në projekte dhe ide komplekse Urb-Arkitektonike në 3 (tre) tema kryesore:

  1. Në fushën e studimeve urbane

Propozime ide dhe projekte të rregullimit dhe rehabilitimit funksional dhe estetik të hapësirave publike në çdo qytet të Shqipërisë, me qëllim krijimin e poleve funksionale, turistike, në shërbim të artit, artizanatit lokal, kulinarisë dhe veprimtarive festive publike, etj..

  1. Në fushën e projekteve të arkitekturës

Hartimit të project-ideve arkitektonike në fushën e adoptimit funksional dhe rikonstruksionit të objekteve me vlera historike, pjesë e ansambleve urbane apo rurale. Projekt-ide për ngritjen e pavilioneve të përkohshme për aktivitete masive kulturore, ekonomike, në funksion të promovimit të vlerave të trashëgimisë lokale të çdo lloji. Projekte elementesh të mobilimit urban të frymëzuara nga arti dhe trashëgimia arkitekturore kombëtare. Projekte të rregullimit të peizazhit arkitektonik, nëpërmjet rinovimit të fasadave apo kthimit në identitet të pamjes së ansambleve urbane, etj..

  1. Në fushën e turizmit

Studimi dhe propozimi i itinerareve turistike në zona rurale, me qëllim promovimin e peizazhit natyror, agroturizmit apo vlerave të arkitekturës së traditës.

Komisioni

Një komision i përbashkët me pedagogë të shkollave të arkitekturës, Shoqatës së Arkitektëvë të Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban, do të pranojë projektet e paraqitura dhe do të bëjë vlerësimin e tyre. Me të gjitha projektet e paraqitura dhe të pranuara, do të organizohet një ekspozitë 15 ditore në Tiranë. Çdo konkurrues do të dorëzojë të gatshme për ekspozim, të ngjitur në foreks, dy formate A0 portret (70x 100 cm). Brenda formatit të paraqitur do të jenë të gjitha shpjegimet për projektin, mbështetur në kriteret bazë të vlerësimit si më sipër. Relacion i shkurtër A4, ku mund të shoqërohet me 1-2 vizatime shpjeguese. Materiali i projektit duhet të dorëzohet dhe në CD (rezolucioni minimal për imazhet 300 dpi). Dorëzimi i tyre do të jetë i protokolluar në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, ku punimet do të sekretohen nga emri i konkurrentit, duke u pajisur me një kod personal katër shifror secili konkurrent, pa patur emër apo element tjetër (logo, studio, shkollë) identifikues. Ky kod personal do të shoqërojë formatet A0 dhe do të jetë bashkë me formularin e plotësuar nga konkurrenti, në një zarf të mbyllur. Ndalohet vendosja e çdo elementi identifikues në formatet A0. Konstatimi i këtyre elementeve sjell skualifikim.

 

Të dhëna për kalendarin e zhvillimit të konkursit

  • 10 shkurt 2015 Shpallja e konkursit;
  • 10 – 25 shkurt Pranimi i regjistrimit të konkurrentëve në Ministrinë e Zhvillimit Urban, ku do të merret formulari përkatës.

Sekretari e konkursit do të jetë znj. Arlinda Balla, kontakt: ([email protected]);

  • 10 mars 2015, deri në orën 16:00, Dorëzimi i projekteve në sekretarinë e konkursit pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban;
  • 10 – 14 Mars 2015 Periudhë pune për organizimin e ekspozitës me projektet e pranuara, ndërsa komisioni bën vlerësimin e projekteve fituese;
  • 16 mars 2015 Ceremonia e hapjes së ekspozitës. Shpallja e projekteve fituese;
  • 16 mars – 31 mars 2015 Ekspozita.