Aksioni i Europol për ilaçet kontrabandë dhe dopingun, Policia e Shtetit jep detaje nga operacioni

108
Sigal

Policia shqiptare ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar “Shield”, i koordinuar nga Europol, për goditjen e trafikimit të barnave të falsifikuara dhe të substancave të rrezikshme për shëndetin.

Operacioni u zhvillua nga muaji prill deri në muajin tetor të vitit 2022, u drejtua nga Franca, Greqia, Italia dhe Spanja dhe përfshiu policinë dhe autoritetet doganore të 28 vendeve.

Gjatë periudhës 7-mujore të zhvillimit të këtij operacioni ndërkombëtar, Policia shqiptare ka zhvilluar 6 operacione dhe megaoperacione për goditjen e kontrabandimit të barnave mjekësore. Gjatë këtyre operacioneve janë vënë në pranga 14 shtetas, janë proceduar penalisht 6 shtetas, si dhe janë sekuestruar medikamente të ndryshme mjekësore, me vlerë mbi 100 000 euro.

Gjatë operacionit ndërkombëtar “Shield”, në të gjitha vendet e përfshira, u goditën 59 grupe kriminale dhe u ndaluan 349 persona të dyshuar.

Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan sasi të mëdha të barnave të falsifikuara, substanca dopingu, suplemente të paligjshme ushqimore dhe sportive, vaksina të falsifikuara kundër COVID-it, produkte sanitare dhe pajisje mjekësore.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe shumë e vendosur për të punuar ngushtësisht me partnerët, në përmbushjen e misionit të përbashkët, luftës kundër krimeve ekonomike e financiare, korrupsionit, pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe terrorizmit.