Aksidentet rrugore, në Shqipëri vijnë në rritje

712
Sigal

Aksidentet rrugore po kthehen në një shqetësim të përvitshëm për t’u menaxhuar nga Policia Rrugore.

Edhe pse janë vendosur rreth 20 mijë gjoba për drejtuesit e automjeteve përsëri numri i vdekshmërisë mbetet përsëri i lartë me 80 të tilla në 6 muaj e parë të këtij viti.

Numri i aksidenteve rrugore ka njohur rritje nga viti në vit. Edhe 6-mujori i parë i këtij viti nuk kishte se si t’u mbyllte ndryshe, pasi nga Janari e deri në Qershor, Drejtoria e Policisë Rrugore ka regjistruar rreth 1100 përplasje automjetesh në të gjithë vendin.

Ky tregues është dy ose treherë më i lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Një vit më parë, në të njëjtën periudhë, ka pasur afërsisht 150 aksidente më pak. Por Policia Rrugore mburret me faktin se numri i vdekjeve nga aksidentet është më ulët krahasuar me vitin e kaluar.

Konkretisht në periudhën Janar-Qershor 2018 kanë vdekur nga aksidentet rrugore 80 persona. Ndërsa për 2017-n, kjo shifër ka qenë 89.
Një ndër masat e ndërmarra nga efektivët e Policisë Rrugore për të frenuar situatën e aksidenteve ka qenë rritja e ndëshkimit me masa administrative të drejtuesve të automjeteve. Në 6 muaj janë gjobitur rreth 20 mijë shoferë. Nga këta, 8 mijë për përdorim celulari në drejtim të automjetit.

Por “database” i të dhënave në Policinë Rrugore ka një tjetër qasje për aksidentet. Sipas shifrave vjetore, shkaqet kryesore të rritjes së numrit të aksidenteve është infrastruktura e dëmtuar rrugore dhe e papërfunduar në disa akse. Mungesa e tabelave, horizontale dhe vertikale si edhe shpejtësia e lëvizjes në rrugë.

Për këtë situatë të rënduar janë arrestuar edhe 236 drejtues mjetesh, të cilët kanë qenë nën efektin e alkoolit gjatë këtyre muajve të parë të vitit.  Sezoni veror është edhe piku lëvizjeve të automjeteve në Shqipëri, pasi qarkullimi i tyre gati 3-fishohet nga ardhjet e turistëve, vendas e të huaj.

Specialistet e Policisë Rrugore pohojnë se kjo kategori do të jetë potencialisht burim të aksidenteve rrugore, pasi nuk e njohim mirë terrenin dhe gjithashtu, ka mungesë të sinjalistikës rrugore, duke rritur në mënyrë progresive plagosjet ose vdekjet nga përplasjet e automjeteve.