Aksidentet rrugore bëjnë kërdinë, Shqipëria mban rekord, duke ia kaluar dhe BE-së

802
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ja treguesit  krahasimor për Shqipërinë, kundrejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve fqinje, sipas ‘Open Data’

“Open Data Albania” po hulumton mbi nivelin e vdekshmërisë si pasojë e aksidenteve rrugore duke evidentuar vëllimin e aksidenteve, aksidenteve me vdekje, rasteve sipas grupmoshës, sipas llojit të rrugës, ditës së javës kur ndodh aksidenti, viktima sipas gjinisë.

Aksidente fatale sipas autorit shkaktar drejtues mjeti apo këmbësor është një e dhënë tjetër statistikore. Në vitin 2019, Shqipëria shënon 79.5 vdekje nga aksidentet për një milion banorë. Ndërsa mesatarja për vendet EU, ishte 50.9.

“Në vitin 2019, Shqipëria shënon 79.5 vdekje nga aksidentet për një milionë banorë. Ndërsa mesatarja për vendet EU, ishte 50.9”

Duke marrë në konsideratë fatalitetet si pasojë e aksidenteve rrugore për milion banorë të ndodhura në Shqipëri, kundrejt nivelit të këtij treguesi në vendet e anëtarësuara në Bashkimin Evropian, është vënë re se Shqipëria, ka tregues negative, duke shënuar më shumë vdekje nga aksidentet rrugore, për çdo një milion banorë. Kjo diferencë arrin vlerën maksimale në vitin 2016 ku, Shqipëria paraqet 40.1 të vdekur nga aksidentet rrugore për milion banorë, më shumë sesa niveli i BE-së në po këtë vit. Niveli më i ulët i vdekshmërisë, si pasojë e aksidenteve rrugore për milion banorë, është arritur në vitin 2018.

Krahasimi

Sa i takon fqinjëve në Rajon, për vitet e marra në shqyrtim, Mali i Zi ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet rrugore për milion banorë, duke arritur mesatarisht 90.8 vdekje për milion banorë në vit, e ndjekur më pas nga Shqipëria. Në krahasim me Shqipërinë, Mali i Zi rezulton me 5.9 viktima nga aksidentet rrugore për milion banorë më shumë.

Më mirë paraqitet situata në vendet e tjera fqinje si Maqedonia e Veriu dhe Kosova, të cilat u përafrohen më tepër nivelit të këtij treguesi për vendet e Bashkimit Evropian. Numri i personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidenteve rrugore në Shqipëri gjatë viteve 2014-2019, rezulton mesatarisht 15.8 të vdekur për milion banorë në vit më shumë, sesa Maqedonia e Veriut. Një diferencë e konsiderueshme konstatohet gjithashtu midis Shqipërisë dhe Kosovës. Greqia dhe Serbia kanë indikator shumë më të mirë sa i takon fataliteteve nga aksidente.

“Rugët dytësore më me risk, të rinjtë më shumë fatalitete se të moshuarit dhe e hëna, dita më e keqe në statistika.”

Treguesi i vdekshmërisë nga aksidentet rrugore për milion banorë në Shqipëri, paraqitet relativisht e lartë kundrejt normës së arritur nga Bashkimi Evropian si dhe vendet fqinje. Kjo normë është një tregues i rëndësishëm për rritjen e përpjekjeve si nga ana e autoriteteve, ashtu si dhe rritjen e kujdesit nga ana e qytetarëve, lidhur me përdorimin dhe drejtimin e mjeteve në rrugë. Nga viti 2014 deri në vitit 2020 në total, janë shënuar 12 366 aksidente rrugore me të plagosur dhe fatalitete.  Mesatarja vjetore e aksidenteve me të plagosur dhe fatalitete është 1 767 aksidente në vit. Nëse shohim trendin në vite, numri më i lartë i aksidenteve rezulton në vitin 2016 me 2032 aksidente, me pasoja të plagosur ose fatalitete (vdekje). Viti 2020 shënon vlerën më të ulët të këtij treguesi. Gjatë këtij viti janë shënuar 1 234 aksidente me pasoja në njerëz, duke shënuar një ulje prej 264 aksidente më pak se viti paraardhës 2019. Drejtuesit e mjeteve janë shkaktarët më të mëdhenj të aksidenteve me të plagosur ose fatalitete, ku raporti mesatar për periudhën 2014 deri 2020 tregon se, drejtuesit e mjeteve shkaktojnë pesë herë më shumë aksidente se sa këmbësorët dhe përdoruesit e rrugës jo drejtues.

Numri mesatar vjetor i viktimave të shkaktuar si rezultat i aksidenteve rrugore për periudhën nga viti 2014 deri në 2020 është 235 viktima për vit.Gjatë kësaj periudhe, viti që ka rezultuar me numrin më të lartë të viktimave është 2015, vit i cili, ka shënuar 270 viktima duke u rritur me 2.3% në krahasim me vitin paraardhës. Viti me numrin më të ulët të viktimave është 2020 me 181 viktima, shpjeguar kjo dhe me kufizimet e lëvizjeve, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Në rastin e Shqipërisë, shohim që dita e parë e javës ka një vëllim të lartë ngjarjesh aksidente me të plagosur dhe të vdekur. Në vitet 2016, 2017, 2018 dhe 2019 mbi 15% e aksidenteve të ndodhura janë shënuar në ditën e parë të javës, ditë kur shumë individë fillojnë javën apo zhvendosen nga rezidencat drejt vendeve të punës.

“Numri mesatar vjetor i viktimave të shkaktuar si rezultat i aksidenteve rrugore për periudhën nga viti 2014 deri në 2020 është 235 viktima për vit.”

Rrezikshmëria e aksidenteve ka qenë më e madhe në vitet 2019 dhe 2020, ku për çdo 100 aksidente me pasoja serioze në njerëz, kanë humbur jetën 15 persona.

Bazuar në ndarjen gjinore të këtij treguesi, një situatë ndryshe paraqitet si në volum dhe në trend gjatë periudhës 2014-2020. Vihet re një raport i theksuar i meshkujve që ndërrojnë jetë gjatë aksidenteve rrugore, kundrejt femrave. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, numri i meshkujve që ka ndërruar jetë si pasojë e aksidenteve rrugore rezulton 4 herë më i lartë sesa numri i femrave. Në vitin 2015 me 223 viktima, ndërsa vlera më e lartë për femra është shënuar në vitet 2014 dhe 2019 me nga 56 viktima përkatësisht.

Rrugët ndërurbane dytësore, janë rrugët me më shumë fatalitete. Bazuar në raportin të vdekur për 100 aksidente për periudhën 2014-2020, rezulton se në autostrada shënohen më shumë vdekje për 100 aksidente rrugore, kundrejt llojeve të tjera të rrugëve, duke arritur në 27 të vdekur për çdo 100 aksidente.

Në Shqipëri, aksidentet në rrugë urbane (brenda qytetit, dytësore, dhe kryesore) janë gjithashtu në nivele të larta. Grup-mosha më e rrezikuar për të gjitha vitet nga 2014 deri në 2020, rezulton grup-mosha 25-34 vjeç me 458 viktima të shënuara ose 27.8 %, kundrejt totalit të viktimave prej 1,646 personave.