Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka gjobitur me 10 milionë lekë kompaninë “One Albania”. Vendimi që u zbardh në këtë fillim nëntori mban numrin 14 dhe daton në 24 tetor 2023. Këshilli Drejtues i Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP nxori në pah së fundmi edhe njëherë rëndësinë thelbësore të respektimit rigoroz të të drejtave të pajtimtarit nga sipërmarrësi i komunikimeve elektronike dhe nevojën për marrjen e të gjitha masave të nevojshme dhe të shpejta për sigurimin efektiv të këtyre të drejtave. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare pasi kishte kryer më parë një inspektim dhe kishte konstatuar parregullsi vendosi që të miratojw propozimin e grupit të inspektimit të AKEP, për dhënien e masës administrative me “gjobë”, në vlerën 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë ndaj sipërmarrësit të komunikimeve elektronike “One Albania” sh.a. Po ashtu në vendim ngarkohet grupi i inspektimit i ngritur me autorizimin e inspektimit nr. 2005 Prot., datë 29.3.2023, bazuar në vendimin e KD, të vendosë në vendimin përfundimtar të inspektimit masën administrative të përcaktuar nga këshilli drejtues.