Ahmet Mehmeti: Mungon landfildi, mbetjet urbane helmojnë qytetin e Elbasanit

565
Sigal

ELBASAN/Mjedisorët: Ndotja 3 herë më e lartë se norma e lejuar. Mungon landfildi, banorët djegin mbeturinat në natyrë

Ndotja e Elbasanit nga mbetjet urbane vazhdon të mbetet një gangrenë dhe problem shqetësues për banorët e qytetit e rrethinave, edhe pse mediet dhe mbrojtësit e mjedisit e kanë ngritur me qindra herë këtë problem. Fusha e grumbullimit të mbetjeve ndodhen afër zonave të banuara dhe në kundërshtim me ligjin, i cili parashikon që vendet e grumbullimit të mbetjeve urbane duhet te jenë me një rreze prej 5 km larg zonave të banuara. Përpos kësaj, persona të papërgjegjshëm i vënë flakën mbeturinave në mes të ditës, duke shkaktuar një ndotje më të madhe ekologjike. Ndotja në Elbasan e rrethina, sipas specialistëve, është rreth 3 herë më e lartë se norma e lejuar. Banorët që jetojnë pranë pikës së grumbullimit pohojnë se ndjehen mjaft të rrezikuar pasi çdo ditë thithin ajër të ndotur dhe ndjehen të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve. Ata kërkojnë që të gjendet zgjidhje e me njëhershme për mbetjet urbane, pasi çdo ditë që kalon rreziku bëhet edhe më i madh dhe jeta e tyre është në rrezik çdo ditë e më shumë.

BASHKIA

Vazhdimisht, kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini e ka ngritur shqetësimin për mbetjet urbane dhe nevojën e ndërtimit të një landfilli për përpunimin e tyre. Por ky landfill nuk është ndërtuar për mungesë fondesh nga qeveria që iku. Kryeministri i ri Edi Rama, gjatë fushatës, ka premtuar ndërtimin e këtij landfilli për Elbasanin. Burimet zyrtare të bashkisë thonë se ky problem pothuaj është vënë në rrugën e zgjidhjes. Por deri në ndërtimin e tij, banorët e qytetit të Elbasanit e rrethinave, do të thithin çdo ditë ajrin e ndotur duke ju shtuar kështu  rreziku nga sëmundjet kancerogjoze. Ndërkohë, mbetjet urbane nuk janë i vetmi faktor ndotës. Infrastruktura rrugore, makinat dhe Kombinati Metalurgjik e shtojnë më shumë ndotjen mjedisore.

MJEDISORËT

Lidhur me djegien e mbetjeve urbane në vend depozitim e tyre ka reaguar dhe Ahmet Mehmeti, kryetari i klubit Ekologjik, i cili e cilësoi  një problem mjaft madhor për shëndetin e qytetarëve që kërkon një zgjidhje të menjëhershme dhe urgjente pa humbur as dhe një minutë kohë. Ai theksoi se djegia nuk është e dëmshme jo vetëm për banorët që jetojnë aty pranë, por për të gjithë qytetin. Mehmeti pohoi se, fillimisht duhet bërë një selektim i mbetjeve urbane dhe duhet të ndërgjegjësohet komuniteti në lidhje më këtë fenomen… Mehmeti tha se, Elbasanit i shtohet edhe ndotja industrial, duke çuar ndotjen tej normave të lejuar. Ndërkohë ajo pohoi se, nuk është i mjaftueshëm vetëm ndërtimi i një landfilli, por duhet që edhe biznesi të bëhet pjesë e tij, pasi riciklimi nuk i shërben vetëm ambientit, por gjeneron vende pune.