Aferat korruptive në 48 tenderat e Autoritetit Rrugor

552
Përditë, në redaksinë e Gazetës “Telegraf”, po vijnë përditë denoncime me fakte konkrete, dërguar prej firmave ndërtuese që bëhen viktimë e aferave korruptive me presion e vendime eleminimi nga garat tenderuese, por edhe prej zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të ARRSH e prej drejtorive rajonale të rrugëve dhe prej zyrtarëve të sektorit përkatës të Ministrisë së Transportit e Punëve Publike, që ka nën “komandë” Autoritetin Rrugor Shqiptar, të cilët denoncojnë se detyrohen të firmosin vendime e procedura tenderimesh antiligjore me urdhër të “shefave”. Po kështu, denoncime për krimet me rrugët, kanë ardhur edhe prej shoferëve e banorëve të zonave, të cilët faktojnë cilësinë e dobët, mangësitë e ndërtimit të rrugëve dhe mos përfundimin e tyre sipas projekteve, funksionit e cilësisë, paçka se fondet rezultojnë të konsumuar në masën 100% e madje edhe me shtesa fiktive fondesh në procesin e zbatimit të projekteve, duke ndërprerë qëllimisht punimet në rrugë, për të përligjur shtimin e fondeve që në fakt janë zhvatur gjatë ose pas tenderimit. Faktet janë të shumtë. Sot po ndalemi në denoncimet konkrete që kanë ardhur edhe në gazetën “Telegraf”, për përfshirje të paramenduar e të inskenuar prej Autoritetit Rrugor Shtetëror Shqiptar në akte të plota e flagrante abuzimi, me përmbajtje të plotë korruptive, bërë me firmë drejtuesish e me vulë shteti… 

Akuza konkrete ndaj kupolës së Autoritetit Rrugor, për afera korruptive me tenderët e rrugëve
Prej disa ditësh, stacionet televizione “Ora-News” dhe “Channel One” po denoncojnë fakte shkresore e dëshmi konkrete, lidhur me disa skandale me tenderët e rrugëve, “gatuar” si pazare abuzimesh me shpalljen e paligjshme si fitues të atyre firmave që nuk janë… fituese as me letrat e firmosura prej kupolës drejtuese të ARRSH e prej shefave në ministri! Sot po publikojmë të plotë dhe pa asnjë koment, denoncimet që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë këto ditë, dy stacionet televizive shqiptare “Ora-News” dhe “Channel One”, në lidhje me skandalet që drejtuesit e Autoritetit Rrugor, po bëjnë me tenderët e rrugëve, duke i “bekuar” si “ ligjor e të rregullt”, kur në fakt janë krime ekonomike-financiare të bërë nga drejtuesit dhe komisionet e prokurimit të këtij autoriteti shtetëror. Ja denoncimet e bëra nga dy stacionet televizive shqiptare “Ora-News” dhe “Channel One”, lidhur me skandalet e drejtuesve rrugëve: “Përballë miliardave me abuzime me tenderët publik, Gentian Këri sërish nuk pranon të dalë përballë kamerës. Ne tentuam edhe ne vijim të kontaktonim me shefin e komisionit të prokurimit publik, por nuk kishte asnjë lloj reagimi.

 Ndërkohë, zbardhen të tjera vendime të firmosura në kundërshtim të hapur me ligjin e prokurimeve. Më poshtë, po japim vendimin nr.103 të datës 19.03.2015 me firmën e hedhur për këtë tender, Gentian Këri, nuk zbaton vendimin e këshillit të ministrave nr 1, datë 10.07. 2017 për rregulloren e prokurimit publik. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zhvilluar tenderin me fond limit 330. 736. 482 lekë, ku komisioni i prokurimit publik kualifikon operatorin ALB TIEFBAU sh.p.k me fond 291. 334. 897 lekë dhe skualifikon pa të drejtë operatorin me vlerën më të ulët 204. 738. 310, ndërkohë që operatori SMO UNION dhe Curri sh.p.k, plotësojnë dokumentacionin për të fituar këtë tender. Operatori pohon, se në 7 vite eksperiencë në aplikimin e sistemit elektronik të prokurimit publik, kjo është arsyeja më absurde, që është ndeshur. Gjithashtu operatori i skualifikuar, i vë në dukje komisionit të prokurimit publik, se oferta e tij i kursen buxhetit të shtetit plot 103, 913, 904 lekë në raport me atë që është kualifikuar, por kjo bie në vesh të shurdhër. Vendimi nr. 516 datë 31.07.2015, autoriteti kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar, objekt riveshje dhe sistemim asfaltimi rruga Elbasan-Banjë, loti 3, me fond limit 980. 844. 927 lekë. Komisioni i prokurimit publik ka lënë në fuqi vendimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili ka skualifikuar operatorin ekonomik “Victoria Invest sh.p.k” me fond limit 848, 658, 746 lekë e cila rezulton se plotëson të gjitha kriteret e kualifikimit të vendimit nga autoriteti kontraktor, por edhe në këtë rast Komisioni i Prokurimit Publik, ka skualifikuar ofertën më të ulët, duke vijuar me vendime absurde dhe në shkelje të barazisë në tebndera. 
Gazeta “Telegraf” disponon dosjen me 48 skandale prokurimesh të ARRSH, bërë me rrugët publike
Dosje me denoncime faktike, disponon gazeta “Telegraf” për 48 tenderë abuzivë të zhvilluar me procedurë e vlerë financimi abuzive në 9 muajt janar-shtator 2015, shoqëruar me dëshmi për pazare financiare korruptive, zhvilluar me kritere e emra fituesish të paracaktuar. Rasti më flagrant është tenderi i aksit rrugor “Plepa-Rrogozhinë”, projekti i të cilit ka ndryshuar qëllimisht nën leverdinë e palëve që kanë firmosur e kanë përfituar tenderin me “letra të rregullta zyrtare” siç thotë Xhika (“Çika”) i rrugëve dhe shefat e ministrisë së transportit e punëve publike që kanë firmosur këtë tenderim! Punimet e këtij aksi, kanë ndryshuar në masën 40% nga projekti fillestar, madje edhe me devijim të hartës së rrugës, me qëllim përfitimet financiare abuzive, përfitime që po shtohen edhe prej cilësisë së dobët të punimeve të këtij aksi dhe elementëve të pa zbatuar të projektit, zbatim ky që është aprovuar në heshtje, por edhe “me letra nën dorë”, prej kupolës së bindur e të molepsur të ARRSH. kujtojmë që vetë drejtori i ARRSH, “prof” Dashamir Xhika është emëruar në atë detyrë jo për merita profesionale e aftësi drejtuese, por si “rreshter” politik i ministrit Haxhinasto, të cilit i grumbullonte vota nëpër katundet e Elbasanit, duke u çuar ndonjë “dum-dum”” zhavorr e Çakëll e duke u premtuar parajsën rrugore, por që na fakt i ka lënë me “rrugë dhie” dhe me akse rrugore lokale, që po rrëshqasin përditë nga reshjet e nuk po u hidhet asnjë lopatë çakëll, apo nuk po u bëhet asnjë mur mbajtës anësor! 

Tenderët korruptiv të disa akseve rrugore që ka bërë “çeta” e korruptuar në kupolën e ARRSH me në krye “sillon” Dashamir Xhika, janë depozituar si denoncime dhe në organet e prokurorisë e krimit ekonomik nëpër drejtoritë rajonale të policisë së shtetit, prej të cilave regjistrohen si “denoncim abuzimesh” e krimesh ekonomike-financiare, por që sipas burimeve të Gazetës “Telegraf”, nuk po hapen akoma si procedim penal, për të çuar përpara drejtësisë autorët e këtyre skandaleve me financat dhe sigurinë e rrugëve! Aferat me rrugët që po bënë kupola e Autoritetit të Rrugëve nën “ison” miratuese të drejtuesve të ministrisë përkatëse, po vazhdojnë të jenë “simbol”, praktikë dhe “moto” e përhershme e veprimtarisë prokuruese të fondeve publike dhe financimeve të ndryshme prej kupolës së ARRSH, fonde të cilët duhet të konsumohen 100% për realizmin e projekteve rrugore, por që sipas mundësisë së abuzimeve 20-30-50% e tyre përfundojnë si “ryshfet” e vjedhje e hapur në “xhepat” e titullarëve të sektorit të rrugëve, të “firmëtarëve” aprovues në zyrat e ministrisë e në disa zyra të qeverisë dhe në llogaritë e firmave të cilat për t’u (para)shpallur fituese të tenderëve, pranojnë të firmosin pazaret e ofruara e të diktuara për vlerat e çdo tenderi dhe “shkeljen e miratuar” të standardeve të rrugëve, deri në mos realizim të shumë elementëve të tyre të cilësisë, projektit, sigurisë, madje edhe të ndryshimit të projekteve të rrugëve si gjatësi, gjerësi, trashësi traseje, rrjet anësor kanalizimesh në, devijim i rrugës së rrugës, eleminim veprash arti, punime me lëndë ndërtimi e infrastrukture jashtë standardit e kushteve teknike, deri edhe tek fuqia e llambave të ndriçimit të rrugëve! Abuzimet që vazhdojnë të bëhen prej kupolës (ç)drejtuese të Autoritetit Rrugor Shqiptar veçanërisht me dendur, më hapur e më shfrenuar në 16 muajt e fundit janë “dosja e zezë” e tej-mbushur me krim infrastrukturor e financiar që po bëhet me investimet në rrugët e Shqipërisë, dosje që e kanë emrin “miliona që zhvaten me letra zyrtare” të cilat firmosen e vulosen në mirëkuptim prej të gjithë atyre që japin urdhra për investimet. 
Sigal