Afera: SPAK kërkon 39 vite burg për bossët e inceneratorëve. Mërtiri, Gugallja dhe Zoto dënohen me10 vite burg por vazhdojnë të marrin miliona nga shteti

110
Sigal

 

Prokuroria e Posaçme kërkoi dënime me 6 vjet e 8 muaj burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ndërsa të pandehurit e tjerë rrezikojnë dënime më të ulëta.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK paraqiti të enjten më 18 maj konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurve për aferën korruptive në incineratorin e Elbasanit. SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të deklarojë fajtor ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim; “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe për veprën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim, si dhe dënimin e tij përfundimtar në aplikim të gjykimit të shkurtuar me 6 vjet e 8 muaj burgim. Po ashtu, kërkoi që t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat 5-vjeçar.

Për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, u kërkua dënimi me 2 vjet e 8 muaj për “shpërdorim detyre”, në bashkëpunim. Për të njëjtën vepër penale u kërkua dënimi po me 2 vjet e 8 muaj heqje lire dhe për zyrtarët, Pëllumb Abeshi, Bardhyl Çabiri, Serafin Papa e Jonida Zeqo. Edhe për të gjithë këta të pandehur u pranua gjykimi i shkurtuar dhe u kërkua gjithashtu t’u hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat 5-vjeçar.

Për të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, SPAK kërkoi deklarimin fajtor për veprat penale “Korrupsioni aktiv” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, si dhe dënimin e tyre me nga 6 vjet e 8 muaj burgim. Megjithëse për Stela Gugallian rëndojnë të njëjtat akuza, ndaj saj u kërkua dënimi përfundimtar me 4 vjet e 8 muaj burgim. Edhe ndaj këtyre tre të pandehurve, dënimi përfundimtar u kërkua në aplikim të gjykimit të shkurtuar, që përfiton 1/3 e uljes së masës së dënimit.

SPAK ka ngritur të njëjtat akuza dhe për shoqëritë “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Sercvices” sh.p.k dhe i kërkoi gjykatës që të caktojë si dënim penal “mbarimin e personit juridik” të tyre.

Prokuroria kërkoi gjithashtu që të konsfiskohen dhe të kalojnë në pronësi të shtetit për të cilat është vendosur sekuestro preventive, konkretisht dy shoqëritë e sipërcituara; aksione në zotërim të të pandehurit Lefter Koka në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergji Kastrioti Skënderbeu” me vlerë 244.4 milionë lekë; shoqëritë tregtare “Pivot 04”sh.p.k., “J.P.Y” sh.p.k. dhe shoqëria “Sili” sh.p.k., të treja me seli në Durrës; tre njësi në pronësi të shoqërisë “Sili” sh.p.k.; shoqërinë tregtare “Bio Blend Fruit” sh.p.k me seli në Durrës, duke përfshirë dhe pasuritë e paluajtshme të saj, shtatë apartamente dhe dy troje.

Për provat e tjera dokumentare u kërkua që një pjesë t’u rikthehen institucioneve dhe personave që u janë sekuestruar, ndërsa të tjera që të mbahen në ruajtje efekt të gjykimit të çështjes së ndarë.

SPAK ka përllogaritur shpenzime procedurale në masën 1.8 milionë lekë, që kërkoi t’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

Pas konkluzioneve të prokurorisë, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 1 qershor, në orën 09:00, për t’u dhënë kohë mbrojtësve të të pandehurve të përgatisin konkluzionet përfundimtare.

Skandali i incineratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisore, si justifikim për të dhënë koncesionin e incineratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy koncesionet e para janë konfiskuar nga prokurorët, ndërsa hetimet për incineratorin e Tiranës, më i madhi prej të treve, zyrtarisht vijojnë. Dy dyzina me zyrtarë dhe biznesmenë janë arrestuar ose janë shpallur në kërkim për çështjen, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako.

Çështja e inceneratorit të Elbasanit u dërgua në gjykim në dhjetor 2022 nga SPAK, por disa seanca u shtynë pasi nuk u arrit një prej të pandehurave që gjendej nën masën e arrestit shtëpiak.

 KËRKESA E SPAK

Lefter Koka, 10 vite– (6 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar)
Alqi Bllako, 4 vite– 2.8
Serafin Papa, 4 vite– 2.8
Pëllumb Abeshi, 4 vite– 2.8
Jonida Zeqo, 4 vite– 2.8
Bardhyl Çabiri, 4 vite– 2.8
Mirel Mërtiri, 10 vite– 6.8
Stela Gugallja, 7 vite– 4.8
Klodian Zoto, 10 vite– 6.8