Absurdi i ARRSH në Rinas, qytetari: Kur të blej bukë, duhet t’i bie nga Fushë Kruja, të dal në Tiranë që të vij në shtëpi!

153
Sigal

Për dy orë me radhë, banorët e Rinasit e të fshatrave përreth u përplasën me policinë, pasi bllokuan rrugën për të kundërshtuar vendimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Absurdi i vendimit të ARRSH për ta bërë vetëm me një sens lëvizjeje, rrugën e Rinasit, aksin e vetëm të qarkullimit për qindra banorë të fshatrave të zonës, e ka shpjeguar fare qartë një banor i revoltuar:“Nuk ka absolutisht asnjë rrugë alternative, as për në parcelë: Kur të dal nga shtëpia të marr një bukë, duhet t’i bie nga Fushë Kruja, të dal në Tiranë që të vij në shtëpi!! – tha ai, – Ose nga Vora, në Kashar që të vij në shtëpi”. Pikërisht për këtë arsye kanë dalë këta banorë në rrugën e Rinasit, pa u konfliktuar me forcat e shumta policore, që ishin dërguar për t’i ndalur, por duke e shpjeguar problemin e tyre me realizëm për ARRSH dhe Ministrinë e Infrastrukturës, që mori vendimin. Banorët theksojnë se për të dërguar fëmijët në shkollë, duhet të bëjnë dy orë rrugë, si dhe e kanë të pamundur aksesimin e varrezave.“Nëse vdes një person, ne duhet të bëjmë tre orë rrugë për ta dërguar në varreza”, tha një nga banorët, në një prononcim për mediat. Banorët e Rinasit dhe të fshatrave përreth pritet që të mbajnë një tjetër protestë ditën e nesërme. Për të tretën ditë, ata do të dalin në orën 10:00 për të bllokuar rrugën.