Kreu i KMSH Spahiu: Punoni me ndershmëri ndaj vendit dhe jo për pasuri

146

Besimtarët myslimanë festuan Fiter Bajramin, falën namazin në sheshin “Skënderbej”

Sigal

 

 

Pas 30 ditëve agjërim dhe lutje, besimtarët myslimanë festuan Fiter Bajramin. Në kryeqytet, edhe këtë vit besimtarët e falën namazin në Sheshin “Skënderbej” ku ceremonia u zhvillua me ilahi dhe fjalën e imamëve të pranishëm. Në mesazhin e tij, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu uroi besimtarët pas muajit të agjërimit duke thënë se të gjithë kanë fituar dimensione të reja shpirtërore e morale.

“Muaji Ramazan është muaji ku për secilin nga ne u krijuan rrethanat për shpëtim dhe udhëzim në rrugën e vërtetë. Lutemi të kemi dalë nga muaji i Ramazanit me një pastërti dhe ndriçim shpirtëror. Ashtu siç thotë i dërguari i Zotit: Nëse kemi agjëruar me besim dhe bindje te Zoti i gjithëpushtetshëm, Ai na i ka fal mëkatet. Agjërimi, përmendja e Zotit, leximi i Kuranit dhe shumë vepra të tjera të mira; kanë ndriçuar zemrat tona, kanë pastruar ndryshkun e tyre dhe na mundësojnë të hapim një kapitull të ri të jetës. Kushdo që ka agjëruar ka fituar dimensione të reja shpirtërore e morale. Njerëzit duke pranuar me zemër begatitë e Zotit, pas namazit festojnë dhe gëzohen. Vizitojnë të afërmit dhe japin lëmoshë dhe në realitet hapin një faqe të re të kënaqësisë së Zotit. Agjërimi është një obligim, një mundësi dhe një favor që na ka bërë Zoti për të pastruar të vjetrën dhe për t’i hapur rrugë të resë”, u shpreh Spahiu.

Ai apeloi që të gjithë të përkushtohen më shumë ndaj prindërve, të moshuarve dhe të gjenden pranë jetimëve. “T’i japim dorën njerëzve me nevoja të veçanta, të përkujdesemi dhe tregojmë mëshirë ndaj tyre. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi Bajrami për ata, që u kthejnë shpinën miqve, të afërmve, fukarenjve dhe vëllait të mbetur mënjanë”, -theksoi ai gjatë ceremonisë.

“Pas namazit të Bajramit, kudo, në qytete e fshatra, në lagje e në rrugë, të njohur dhe të panjohur takohen dhe i urojnë Bajramin me gjithë zemër njëri-tjetrit. Gëzoni fëmijët me dhurata këto ditë! Ndihmoni nevojtarët, lehtësojuni mundimet të sëmurëve, vizitojini ata! Tregoni mëshirë e përkujdes ndaj prindërve ashtu siç ata kanë treguar ndaj jush teksa ju rritën! Punoni me ndershmëri ndaj vendit, mos prekni pasurinë publike, mos çoni në shtëpitë tuaja të ardhura të pa ligjshme! Mos prekni dinjitetin, nderin dhe shtëpinë e tjetrit. Këto janë parime fetare, parime universale! Këto janë veprime që hidhërojnë Zotin”,- nënvizoi Spahiu.

Kreu i KMSH u ndal edhe te lufta në Ukrainë duke uruar paqe e prosperitet në botë pasi pasojat e konflikteve ndihen kudo dhe prekin njerëzit e pafajshëm.

“LuftëraT dhe konfliket janë shfaqur sërish në vende të ndryshme të botës. Nga Lindja në Perëndim. Pasojat e këtyre konflikteve ndihen kudo dhe ato i ndiejnë drejtpërdrejt njerëzit e pa fajshëm, fëmijët, të moshuarit, gratë. T’i lutemi Zotit për paqe e prosperitet në botë”,- përfundoi Spahiu.

Ritet e tyre për këtë festë, besimtarët e nisin herët me ndarjen e Sadaka Fitrit për të varfwrit dhe më pas u drejtohen xhamive për faljen e Namazit. Namazi i Bajramit është një detyrim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhamedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz. Besimtarët veshin rroba të reja për Bajram, vizitojnë të afërmit dhe miqtë dhe përshëndeten me njëri-tjetrin duke uruar “Gëzuar Fiter Bajramin”.

Ëmbëlsirat përgatiten dhe shpërndahen me pjatën kryesore që është seëayi- kadaif i pjekur i gatuar me qumësht dhe i servirur me fruta të thata. Ndryshe nga Kurban Bajrami (i cili fokusohet te mishi), Fiter Bajrami festohet me ëmbëlsira tradicionale të quajtura gjithashtu Meedhi Eid.