Abdurahim Ashiku/ Autobuzi blu me 600 votues

595
Sigal

AUTOBUSË “BLU” ME 600 VOTUES
DREJT DIBRËS ?!


Bënë  gabim? Jo. Dhanë një mesazh për Kuvendin e
Shqipërisë…


U pohua
dhe u përcoll në efir në të gjithë botën deklarata e një deputeti të së majtës
që “tetë ditë” në “shtatë ditë e net të javës” del e lëçit bëma të ndryshme për
kampin kundërshtar.
Deputeti deklaroi se më 11 shtator 2016, për të mbështetur kandidaturën e
Sherefedin Shehut për kryetar të Bashkisë së Dibrës, janë nisur nga Kamza një
duzinë autobusësh në ndenjëset e të cilëve ishin gjashtëqind votues…
Autobusët si pikë fundore kishin zonat e Dardhës, Reçit, Sllovës, Kalasë së
Dodës etj. Shpenzimet për transportimin e tyre deputeti ia ngarkoi kryetarit të
Bashkisë së Kamzës Xhelal Mëziu, i pranishëm gjatë gjithë periudhës
gusht-shtator në mbështetje të zotit Shehu.
Deputeti sa e shpalosi këtë fakt në katër-pesë sekondat e lëçitjes, u tërhoq
menjëherë duke e deklaruar si gjë e ligjshme. Kjo, në kushtet kur votuesit
ishin banorë të këtyre zonave dhe gëzonin të drejtën e votës.
Kaq u tha dhe fjalët e tij i mori era si të mos ishin thënë kurrë e si të mos
kishte ndodhur asgjë.
Kjo kaloi lehtë në rastin kur e majta fitoi me numër të madh votash në favor të
kandidatit të saj Muharrem Rama.
Sikur të kishte ndodhur e kundërta, sikur Sherefedin Shehu të kishte fituar postin
e kryetarit të Bashkisë së Dibrës, lëçitja do të shndërrohej në një seri
deklaratash përmasat e të cilave do të krijonin një klimë krejt të kundërt me
atë që ka ndodhur dhe vazhdimisht po ndodh me akuzat e sharjet më të mëdha që
janë parë e dëgjuar ndonjëherë ndaj Dibrës dhe Dibranëve.
Nuk ndodhi, ndaj kjo ngjarje u kalua në heshtje, kur duhet të ngjitej e bënte
vend jo vetëm në median e shkruar dhe atë pamore por edhe të shndërrohej në një
debat kuvendar e të vihej në hapësirën e një pike të veçantë në Kodin Zgjedhor.
Në Shqipëri ka tash më se një dhjetëvjeçar që flitet  për votën e emigrantëve, votën e rreth një të
tretës së shqiptarëve që jetojnë, punojnë e banojnë në Greqi e Itali (më e
afërta) dhe më tej në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi
etj. Të gjithë ata (edhe unë bashkë me ta) janë votues në qytete e qendra të
banuara nga jugu në veriun e vendit, votues që nuk e kanë ushtruar shumë gjatë
(unë kam që nga maji 1996) të drejtën e votës.
Është folur e shkruar për autobusët dhe avionët që me shpenzimet e partive
politike (që kurrë nuk janë bërë transparente) sillen e përcillen në Shqipëri, për
të votuar për njërën apo tjetrën forcë politike në zgjedhjet kuvendare apo ato
vendore.
Është lëçitur faqeve të gazetave e lajmeve televizive për “votim elektronik” të
emigrantëve, por kurrë nuk është bërë asnjë hap për ta bërë fjalën vepër e për
tu dhënë mundësi mërgimtarëve të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjen për të
ardhmen e Atdheut të tyre.
I miratuar në 19 shkurt 1996
 dhe i botuar në
gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 “Për identifikimin dhe
regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të
Republikës së Shqipërisë”
parashikonte që brenda 6 muajve (nga 9 marsi) të gjithë emigrantët të japin
adresat ku jetojnë,
por deri sot nuk është regjistruar as edhe një i
vetëm.
Kryeministri Rama do të deklaronte se me këtë “i hapim rrugë pas 25 vjetësh
mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda por edhe jashtë, për ta trajtuar
atdheun në radhë të parë si hapësirën  ku
ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij”.
Ndërsa ministri Tahiri do ta quante regjistrimin e emigrantëve  “kontrata jonë patriotike”.
Deri sot, megjithëse kanë kaluar  më se 6
muaj, askush nuk është regjistruar mbi bazën e këtij ligji.
E drejta e votës është një detyrim kushtetues, detyrim që shteti duhet ta
garantojë për të gjithë personat e regjistruar në listat e votimeve kudo që
ndodhen.
Veçanërisht kjo është lehtësisht e kapshme për votuesit banues në Shqipëri,
banues në Tiranë, Durrës, Lezhë etj., votues emri i të cilëve figuron si votues
në fshatin e lindjes kudo qoftë ai, nga Konispoli në Vermosh.
Ka një praktikë të tillë në një vend në kufi tokësorë të Shqipërisë në
distancën prej 700 kilometrash nga dy kryeqytet, nga Tirana në Athinë.
Greqia, me ligj të veçantë i “detyron” qytetarët e vet të votojnë atje ku kanë
gjendjen civile ku emri i tyre figuron në listat e votimeve në periferi, në
qendra të banuara  shumë larg vendit të
punës e të vendit të banimit. Greqia për efekt edhe të shpërndarjes së votave
në të gjithë hapësirën e saj gjeografike nuk i ka lejuar qytetarët e vet të
“shpërngulen nga fshati”. Ata janë qytetar të Athinës (tash drejt 6 milionë
banorëve) ose të qyteteve të tjera, por qendrën e votimeve e kanë në fshatin
apo qytetin e lindjes.
Në ditët e votimeve kuvendare apo vendore, shteti grek u siguron votuesve
mjetet e udhëtimit (autobusë, tragete etj.) Shteti mbulon të gjitha shpenzimet
e udhëtimit për çdo votues.
Një votues, në qoftë se nuk shkon për të votuar duhet ta vërtetojë mos
shkuarjen me dokumente justifikuese ligjore. Në të kundërt përballet me
sanksione.
Ky shembull mendoj se duhet të kishte tërhequr me kohë vëmendjen e Kuvendit të
Shqipërisë për ta futur si nen të veçantë në ligjin për zgjedhjet qendrore apo
vendore dhe ta mbështeste financiarisht.
Shqipëria aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, anëtare me të drejta të
plota e me detyrime pa asnjë dallim me vendet e familjes Evropiane.
Krijimi i hapësirave që secili qytetar shqiptar të votojë për partinë apo për
individin në garë për deputet apo kryetar bashkie është një detyrim kushtetues
dhe barra që ai ta realizojë këtë është përgjegjësi e shtetit. Në shpenzimet për
zgjedhjet duhet të parashikohet edhe dërgimi dhe kthimi falas i të gjithë
votuesve në qendrën ku janë të regjistruar e ku duhet të shprehin vullnetin e
tyre demokratik.
Për emigrantët duhet të krijohen hapësira ligjore votimi, në mënyrë elektronike
apo, për hapësira të afërta si Greqia apo Italia, edhe me transportim falas,
shpenzim i parashikuar në ligjin zgjedhor. Mënyra e deritanishme e transportit
partiak me autobusë, vetëm në krahinat kufitare me Greqinë (Gjirokastër,
Sarandë, Përmet, Tepelenë, Kolonjë, Korçë etj.) jo vetëm se është e gabuar por
është selektive, në mos dasi gjeografike.
Në zgjedhjet vendore të 11 shtatorit 2016 në Dibër u vu re një shtim i votuesve
si asnjëherë më parë, në veçanti i votuese femra. Një analizë për këtë, me të dhëna
nga terreni, është i domosdoshëm për të krijuar praktika ligjore për të ardhmen.
Dibra dha shumë mësime. Çështja është që ata të lexohen pa pasione partiake.