“9 mijë euro nata”, Autoriteti i Konkurencës paralajmëron hotelet: Do gjobiteni

134
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se po monitoron tregun për sa i takon rritjes së çmimeve të hoteleve për datat 23-25 maj për shkak të mbajtjes në Tiranë të finales së Conference League.

Bëhet me dije se nga vëzhgimi në platformat online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta.

Autoriteti i Konkurrencës i ka bërë thirrje hoteleve të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, në të kundërt do të përballen me gjoba.

Nisur nga disa informacione shqetësuese në media në lidhje me rritjen e menjëhershme të çmimeve nga ana e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e hotelerisë apo akomodime të tjera të ngjashme në qytetin e Tiranës, në kuadër të ndeshjes finale të Ligës së Konferencës midis skuadrave Roma-Feyenoord, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datën 25 maj 2022, Autoriteti i Konkurrencës vendosi monitorimin e këtij tregu. Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta për datat 23-25 maj 2022, krahasuar me periudha të tjera të vitit.

Autoriteti i Konkurrencës iu kërkon ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës:

– të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos;

– të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta.

Autoriteti i Konkurrencës iu bën me dije ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës që, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar e çmimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme do të gjendet në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri ne 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës”, ka deklaruar Autoriteti i konkurrencës.

Më herët, kryetari i shoqatës shqiptare të turizmit ka ngritur shqetësimin për një rritje të pazakontë të çmimit të hoteleve në datën 25 Maj, kur në Tiranë do të luhet finalja e Conference League.

Duke publikuar një imazh të faqes së rezervimeve, ku një dhomë hoteli shkon nga 500 euro në 9 mijë, Topuzi kërkon ndërhyrjen e autoriteteve për të kthyer normalitetin.