VIDEO/ “Nami” me aksidentet rrugore, policia nxjerr në terren “flotën” e re të makinave (Ja risitë)

61
Sigal

Parandalimi i aksidenteve rrugore, Drejtoria e Policisë Rrugore nxjerr në terren flotën e re të makinave të pajisura me radarë dhe lexues automatikë të targave.

Prej mbrëmjes së djeshme, përveç makinës inteligjente dhe radarëve automatikë, kanë dalë në terren edhe 10 automjete të reja, të pajisura me mjete logjistike bashkëkohore, që evidentojnë, në ecje, shpejtësinë e qarkullimit dhe lexojnë automatikisht targat e automjeteve.

Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë evidentuar, nga makina inteligjente, në rrugët e kryeqytetit, 123 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi dy deri në tre herë mbi normën e lejuar, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit nga 3 deri në 12 muaj, janë ndëshkuar me masë administrative nga 10.000 deri në 30.000 lekë të rinj, si dhe u janë zbritur nga 5 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

Nga konstatimet e operatorëve rezultoi se nga 103 drejtues mjetesh të evidentuar për qarkullim me shpejtësi, 39 prej tyre, krahas shpejtësisë, janë konstatuar edhe duke përdorur celularin; 31 prej tyre, krahas shpejtësisë, janë konstatuar edhe pa vendosur rripin e sigurimit, ndërsa 23 drejtues mjetesh janë konstatuar duke kryer 3 shkelje, tejkalim shpejtësie, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Ndërkohë, si rezultat i vënies në përdorim të flotës së re të automjeteve, janë konstatuar, në ecje, brenda unazës dhe në rrugët e tjera të kryeqytetit, 56 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, 9 drejtues mjetesh që kishin pa shlyer nga 10 deri në 17 masa administrative, si dhe 4 automjete të shpallura “Alert” për shpejtësi, matur nga radarët automatikë.

Makina inteligjente dhe flota e makinave e pajisur me radarë e lexues automatikë të targave do të qarkullojnë jo vetëm në rrugët e kryeqytetit, por edhe në të gjitha qytetet dhe akset rrugore në vend, me qëllim disiplinimin e parakalimeve të gabuara, parandalimin e shpejtësisë dhe të manovrave të rrezikshme në rrugë, evidentimin e atyre drejtuesve të automjeteve që përdorin celuarin gjatë drejtimit të automjetit apo nuk vendosin rripin e sigurimit, si dhe për evidentimin e ndëshkimin e çdo shkeljeje tjetër që është burim për përfshirje në aksidente rrugore.

Drejtoria e Policisë Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital e në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit, duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.