800 mijë euro në çantë, arrestohen dy shqiptarë në Itali, dyshohet se paratë vinin nga droga

193
Sigal

Policia italiane ka arrestuar dy shqiptarë në Milano për shkak se akuzohen për trafik droge. Mësohet se dy të arrestuari shqiptarë janë të moshës 19 dhe 28-vjeç. Ata janë kapur me një shumë prej 800 mijë eurosh “cash”, që dyshohet se janë të fituara nga shitja e kokainës.

Policia ishte informuar se një apartament në Via della Cooperation në Rozzano, përdorej nga grupe shqiptare për trafik droge. Raportohet se dy shqiptarët janë parë në orët e vona të mbrëmjes duke kryer lëvizje të dyshimta. Fillimisht dukej se ishin bashkë ndërsa më pas kanë ecur larg njëri tjetrit për 10 metra.

Qëndrimi i dyshimit i tyre bëri që policia ti ndjekë. Pasi u larguan rreth 150 metra, të dy ata mbërritën në një parkim ku i priste një makinë.

Njëri nga dy të rinjtë iu afrua makinës, mori një tufë parash që i kishte dhënë personi që ngiste makinën, e futi nën xhaketë dhe u kthye në pallatin nga ishte larguar.

I riu tjetër, i cili mbante një çantë shpine mbi supe, qëndroi në parking edhe për 10 minuta, duke pritur dikë. Papritur një veturë e dytë erdhi në zonë nga e cila ka zbritur një person. Më pas, djali me çantë u fut në makinë dhe më pas zbriti duke ikur tek ndërtesa nga kishte dalë.

Në atë moment policët e antidrogës vendosën të ndërhynin duke vënë nën kontroll të riun. Brenda çantës së shpinës kishte një sasi të madhe parash. Më pas policia zhvilloi kontrolle në banesën e dy shqiptarëve ku gjetën 800 mijë euro.