630 policë të punësuar në 3 vitet e fundit s’kanë në dosje shenjat e gishtave, ADN, balistikën e armës dhe Certifikatën e Sigurisë

80
Sigal

Një tjetër skandal i rëndë i bërë nga kupola e Policisë së Shtetit, ka dalë pas shkarkimit të drejtorit Ardi Veliu, lidhur me ligjin për rregullat për dokumentet strikte, që duhen zbatuar nga drejtuesit, ditën kur efektivi i policisë punësohet apo emërohet.

Nga verifikimi rutinë, bërë pas prangosjes dhe pezullimit të 11 efektivëve në 4 muajt e fundit, ka rezultuar se 5 prej tyre janë pranuar në strukturën e policisë, pa të dhënat në dosjen personale, që quhet: “Baza kryesore identifikuese e punonjësit”. Pas këtij konstatimi, u bë verifikimi i dosjeve të punësuarve në kuadër të “rinovimit” të policisë pas vitit 2017, dhe rezultoi se nga 1870 efektivë policie të punësuar 3 vitet fundit; 630 prej tyre  nuk i kanë të dhënat e bazë identifikuese, përveç dokumentave shkollorë e gjendjes civile.

Është shpërfillur Neni 42 i ligjit për “Policinë e Shtetit”, prandaj një grup pune, do verifikojë se cili drejtues apo strukturë e brendshme kontrolli e standardesh në polici dhe ministri, ka shmangur këtë detyrim ligjor dekriminalizues,  për të zbuluar nëse kjo është bërë për të punësuar persona me precedentë penalë, ose të përdorur e të përfshirë në ngjarje dhe veprimtari grupesh kriminale.

Sipas Ligjit nr. 108/2014, datë 31.7.2014 “Për Policinë e Shtetit”, çdo personi që i miratohet pranimi në polici për herë të parë, ose të rikthyer pas 2 vitesh largim, i krijohet dosja me shenjat e gishtave, mostrën e ADN-ës dhe ekspertimin balistik të armës personale që merr.

Këto të dhëna, po me pranimin dhe konfirmimin e tij me shkrim, futen në dosje dhe ruhen në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, për efekt identifikimi në rast denoncimesh e dyshimesh,  për përfshirje në krime apo pamundësi identifikimi fizik, kur polici humbet jetën.

Mirëpo, 630 efektivë të punësuar gjatë periudhës maj 2018-mars 2021, nuk i kanë në dosjet personale, shenjat e gishtave, mostrën e ADN-ës dhe ekspertimin balistik të armës personale.

Në rastin konkret, me ose pa dashje është shkelur Neni 42 i Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, dhe rregullorja e të dhënave personale për punonjësit, që po sipas këtij ligji, hartohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit.

Skandali thellohet më tepër, mbasi këta 630 efektivë nuk kanë në dosje as çertifikatat e sigurisë, që jepen nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), për integritetin dhe figurën morale para punësimit e gjatë shërbimit. Duke u klasifikuar si shkelje e rëndë në shërbimin policor, do ngrihet një grup pune, që do verifikojë se cili drejtues i ka punësuar pa këtë dosje, ose cila strukturë e ka shmangur këtë detyrim ligjor, që nuk mund të nënvlerësohet, tolerohet e më keq akoma të mbahet i fshehtë.

Ndërsa brenda muajit tetor 2021, këtyre 630 efektivëve, do t’u merren shenjat e gishtave, mostrat e ADN dhe do t’u bëhet ekspertiza balistike e armëve personale që kanë, për t’u krijuar dosjen me të dhënat kryesore identifikuese.

Ka dyshime, se mos-skedimi i këtyre të dhënave, ka lidhje me persona me precedentë penal, të punësuar klientelisht në polici; ose për mos identifikim, si persona të përdorur në ngjarje e të përfshirë në krime, ose në paligjshmëri të tjera.

Është fakt, që dhe në 8 vitet e fundit, punonjës policie e madje shefa sektorësh, janë prangosur e pezulluar për përfshirje në trafiqe, kontrabandë e marrje ryshfetesh për shërbime ndaj individëve e grupeve të krimit.

Prandaj, do verifikohet nëse ka të tillë dhe mes 630 efektivëve policor, të cilët janë lënë pa të dhënat bazë identifikuese, si gjurmët e gishtave, ADN-ja e sidomos arma personale./Pamfleti