5 Nenet që do të ndryshojnë në Kushtetutën e Shqipërisë

551
Neni 31. Neni 139 ndryshohet si më poshtë vijon:
1. Mandati si gjyqtar i Gjykatës së Lartë ose Gjykatës së Lartë Administrative mbaron kur: a). Mbush moshën 65 vjeç; b). Përfundon mandati 12 vjeçar; c). Jep dorëheqjen; ç). Deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor te formës së prerë; d) . Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose vendim përfundimtar në një procedurë disiplinore.
2. Mbarimi i mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë ose Gjykatës së Lartë Administrative deklarohet përkatësisht me vendim të Gjykatës së Lartëose Gjykatës së Lartë Administrative.
3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar gjyqtarin paraardhës, sipas nenit 136/1, emëron një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar. 
4. Në rast se mandati i gjyqtarit përfundon për shkaqet e parashikuara në nënparagrafët c), ç) dhe d) të paragrafit 1 të këtij neni, si dhe për shkelje disiplinore, procedura e emërimit të anëtarit të ri fillon menjëherë dhe përfundon brenda 60 ditëve nga deklarimi i mbarimit të mandatit nga Gjykata e Lartëose Gjykata e Lartë Administrative.

Këshilli i Lartë Gjyqësor
Neni 40. Neni 147 ndryshohet si më poshtë vijon: Neni 147 
1. Këshilli i Lartë Gjyqësor garanton pavarësinë, përgjegjshmërinë, si dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.
2. Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë. Gjashtë prej anëtarëve janë gjyqtarë të zgjedhur nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor. Kriteret dhe procedura e zgjedhjes së anëtarëve gjyqtarë rregullohet me ligj. Pesë anëtarët e tjerë vijnë nga avokatia, 1 anëtar, trupa e pedagogëve të drejtësisë, 2 anëtarë, trupa e pedagogëve jo magjistratë të Shkollës së Magjistraturës, 1 anëtar, dhe shoqëria civile, 1 anëtar. Anëtarët jo gjyqtarë emërohen nga Kuvendi me tri të pestat e gjithë anëtarëve mbi bazën e propozimeve nga strukturat përkatëse dhe të opinionit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
3. Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestash, struktura propozuese bën një propozim të ri brenda 15 ditëve. Këshilli i Emërimeve jep një opinion brenda 7 ditëve nga dorëzimi i propozimeve të reja. Kuvendi voton për kandidaturat e reja brenda 7 ditëve nga dorëzimi i opinionit të Këshillit të Emërimeve. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë kandidatët e renditur më lart nga Këshilli i Emërimeve quhen të emëruar. 4. Ministri i Drejtësisë merr pjesë në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor si vëzhgues. Ministri i Drejtësisë mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve.
5. Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit anëtarët gjyqtarë rikthehen në vendet e mëparshme të punës. Anëtarët jo gjyqtarë që përpara emërimit punonin me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehen në vendet e mëparshme të punës ose në pamundësi, në pozicione të barazvlefshme me to.
6. Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve. Kur në votimin e parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e arrin shumicën prej dy të tretash, brenda 7 ditëve nga votimi i parë bëhet një votim i dytë. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet me shumicë të thjeshtë brenda 7 ditëve. Mandati i Kryetarit përkon me atë të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Neni 41. Pas nenit 147 shtohet neni 147/a, me këtë përmbajtje: Neni 147/a
1. Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron përgjegjësitë e mëposhtme:
a). Emëron, vlerëson ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët, me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; b). Vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; c). I propozon Presidentit të Republikës kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, sipas procedurës së caktuar me ligj; d). Miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr respektimin e tyre; e). Drejton dhe menaxhon administratën e gjykatave; f). Propozon dhe administron buxhetin e gjykatave.
2. Këshilli i Lartë Gjyqësor bën planifikimin strategjik për sistemin gjyqësor, raporton publikisht dhe përpara Kuvendit për gjendjen e sistemit gjyqësor, si dhe ushtron përgjegjësi të tjera të caktuara me ligj.

Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor 
Neni 42. Pas nenit 147/a shtohet neni 147/b, me këtë përmbajtje: Neni 147/b
1. Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor mbaron kur: a). arrin moshën e pensionit; b). përfundon mandati 5 vjeçar; c). jep dorëheqjen; ç). dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose vendim përfundimtar në një procedurë disiplinore; d). deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
2. Mbarimi i mandatit të anëtarit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
3. Kur vendi i anëtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar anëtarin paraardhës, sipas nenit 147 emëron një anëtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të larguar. 
4. Kur mandati i anëtarit përfundon për shkaqet e parashikuara në pikat c), ç) dhe e) të këtij neni si dhe për shkelje disiplinore sipas nenit 147/c, procedura e emërimit të anëtarit të ri fillon menjëherë dhe përfundon brenda 60 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit që deklaron mbarimin e mandatit të anëtarit paraardhës. 
5. Kur anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor jep dorëheqjen, ia paraqet atë Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor i cili menjëherë njofton organin e emërtesës, i cili plotëson vendin vakant, sipas nenit 147. 
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë 
Neni 45. Pas nenit 147/ç shtohet neni 147/d, me këtë përmbajtje: Neni 147/d
1. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore dhe ankesave kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin e gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë;
2. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga të cilët vijnë nga gjyqësori dhe 2 nga prokuroria. Ata emërohen nga Kuvendi me tri të pestat e gjithë anëtarëve, midis kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. 
3. Këshilli i Lartë Gjyqësorpërzgjedh dhe rendit gjashtë kandidatë nga radhët e gjyqtarëve ose ish gjyqtarëve me të paktën 20 vjet përvojë si gjyqtarë, me rezultate të larta në punë dhe integritet të lartë, mbi bazën e propozimeve të gjyqtarëve. Procedura e përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve rregullohet me ligj.
4. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh dhe rendit katër kandidatë nga radhët e prokurorëve ose ish prokurorëve me të paktën 20 vjet përvojë si prokurorë, me rezultate të larta në punë dhe integritet të lartë, mbi bazën e propozimeve të prokurorëve. Procedura e përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve rregullohet me ligj.
5. Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestash për asnjë prej kandidatëve të secilit grup,kandidatët e renditur në 3 vendet e para nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe 2 vendet e para nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë quhen të emëruar.
6. Anëtarët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë kanë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
7. Kandidatët për anëtar të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë i nënshtrohen një kontrolli të thelluar të pasurisë, të integritetit dhe të së shkuarës.
8. Procedurat për marrjen e vendimeve nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë rregullohen me ligj.
9. Ministri i Drejtësisë merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe kryerjen e inspektimeve dhe verifikimin e ankesave.
10. Anëtarët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej nëntë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit anëtarët rikthehen në vendet e mëparshme të punës.
11. Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë zgjidhet nga radhët e anëtarëve gjyqtarë me 2/3 e votave të anëtarëve të Inspektoratit. Kur në votimin e parë nuk arrihet shumica prej dy të tretash, brenda 7 ditëve nga votimi i parë bëhet një votim i dytë vetëm për kandidatin që ka marrë më shumë vota në votimin e parë. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë brenda 7 ditëve. 
12. Inspektori i Përgjithshëm drejton mbledhjet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë si dhe bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës.
Sigal