46 fëmijë në karantinë nga Covid-19, mbyllet Qendra e Zhvillimit Rajonal

305
Sigal

Qendra e Zhvillimit Rajonal në Berat ku prej vitesh qëndrojnë 46 fëmijë me aftësi të kufizuara, me aftësi ndryshe dhe të braktisur, është izoluar dhe i gjithë stafi dhe fëmijët janë karantinuar brenda saj.

Pas infektimit të 4 kujdestarëve dhe 2 fëmijëve rezidentë disa ditë më parë, sot 2 kujdestare të tjera dhe 2 punonjëse administrate janë konfirmuar zyrtarisht “pozitive” me Covid-19.

Kjo ka sjellë mbylljen e plotë të dyerve të kësaj qendre dhe karantinimin brenda saj të stafit e fëmijëve, që do ti nënshtrohet të gjithë kryerjes së tamponit.

Burimet zyrtare brenda ISHP-së Berat bëjnë me dije se, stafi i kujdestarëve, punonjësve të administratës dhe fëmijët janë karantinuar në dhoma sipas grupeve dhe po asistohen rregullisht me mjekë, për të parë zinxhirin e infektimeve brenda kësaj qendre.

Infektimet kanë vijuar edhe sot në institucionet vendore e arsimore dhe në Burgun e Beratit.

Një mësuese në shkollën 9-vjeçare “Thimi Tani” dhe 1 mësuese në shkollën 9-vjeçare “1 Maji” në Berat kanë rezultuar të infektuara me Covid-19.

Edhe në Filialin e Postës Shqiptare në Berat është konfirmuar sot “pozitiv” një punonjës i burimeve njerëzore, ndërkohë që edhe në zyrat e Albtelekomit një punonjës ka rezultuar i prekur me Coronavirus.

Infektimet në Burgun e Beratit kanë vijuar edhe sot,me konfirmimin “pozitiv” të një tjetër gardiani,edhe pse brenda këtij institucioni të vuajtjes së dënimit janë mbyllur disa sektorë. Edhe një mjek veteriner në Berat ka rezultuar sot “pozitiv” me Covid-19, duke shtuar frikën e infektimeve mes klientëve të tij që frekuentonin klinikën veterinare të mjekut.

Zyrtarisht në qarkun e Beratit regjistrohen 519 raste aktive me Covid-19, ndërkohë që edhe numri i personave që kanë humbur jetën nga ky virus ka njohur rritje.