404 mijë euro pa zot në tubin e aspiratorit/ Prokuroria shtrin hetimet në Kadastër dhe banka

103
Sigal

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të zbuluar të tjera detaje se kujt i përket shuma e majme e parave që u zbulua pas përgjimit ambiental të nënë e bir.

Për Rozeta Dobi Policia dhe Prokuroria thonë se ka vjedhur shumën prej 120 mijë eurosh në shtëpinë e ish-zyrtares Alda Klosi, ndërsa ende nuk është mësuar se kujt i përket shuma prej 404 mijë eurosh që u gjet në tubin e aspiratorit në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi.

Prokuroria e cila po heton krahas vjedhjes edhe për veprën penale të pastrimit të parave, ka urdhëruar kontrollin e disa banesave, ndërsa pret përgjigje nga bankat e nivelit të dytë, për të parë nëse e dyshuara dhe i biri kanë llogari bankare dhe sa është shuma në këto llogari.

Ndërsa është kërkuar informacion në banka, por edhe në Kadastër, për llogaritë bankare dhe pasuritë që zotëron Alda Klosi, por edhe zyrtarë të tjerë në shtëpitë e të cilëve punonte si pastruese Rozeta Dobi.

Kjo e fundit, po mbahet nën masën e arrestit me burg bashkë me të birin 21-vjeçar Havier Dobi, i cili shfaqte luks në rrjetet sociale, pasi kishte shpenzuar shuma të mëdha parash nga ato që kishin vjedhur në banesat e zyrtarëve.

49-vjeçarja është e vetmja, që mund të hedhë dritë mbi misteret e kësaj ngjarjeje dhe të sqarojë se kush është pronari i shumës së majme, por ajo ka refuzuar të flasë, edhe pse Prokuroria i ka ofruar lehtësi në dënimin e të birit, nëse ajo bashkëpunon.