Spiralja e krizës së çmimeve që vijon, po gërryen ato pak të ardhura të shtresave më të brishta të shoqërisë, pa kursyer edhe të moshuarit në azile. Që prej vitit 2018 atyre iu është përcaktuar një kuotë ditore për t’u ushqyer në vlerën e 360 lekëve apo 10 mijë e 800 lekë në muaj. Por sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit për shkak të mos-indeksimit me ato para ata po arrijnë të blejnë më pak produkte.
Sipas raportit të titulluar “Kujdesi ndaj të moshuarve” kapacitetet aktuale akomoduese janë të pamjaftueshme. Bazuar edhe te parashikimet e Institutit të Statistikave mbi ecurinë e demografikë KLSH nxjerr në pah nevojën emergjente për ndërtimin e azileve të reja.
Një tjetër shqetësim që KLSH ngre lidhet me tarifën 40 për qind të pensionit që i moshuari duhet të paguajë për të qëndruar në azil. Sipas KLSH, ky kusht për një pjese të të moshuarve që nuk kanë të ardhura, krijon pabarazi dhe diskriminim.
Një në gjashtë shqiptarë është aktualisht i moshuar. Në raport me numrin e popullsisë rezidente, e cila përllogaritet në pak më shumë se 2.7 milionë banorë, personat mbi 65 vjeç zënë 46.5 për qind të totalit. Një pjesë e tyre, kryesisht pa pasardhës apo të afërm të tjerë jetojnë në Institucionet Rezidenciale për të Moshuar, njohur ndryshe si azile.